Njëri prej personave më të fuqishëm të lobit shqiptaro-amerikan, ish-kongresisti dhe kryetari i Ligës Qytetare Shqiptaro – Amerikane, Joe DioGuardi, në një intervistë për “Interaktiv” të KTV-së, ka folur shumë ashpër për politikanët shqiptarë.
Ai thotë se ata kanë shkatërruar Shqipërinë dhe Kosovën.
DioGuardi ndalet veçanërisht tek Sali Berisha, Fatmir Mediu dhe Hashim Thaçi.
“Nëse flasim për politikën, fjala e vetme që më bie ndërmend është keq. Ju e dini çka do të thotë keq.
Nuk po e shoh zhvillimin e demokracisë që besoja se do të vinte në Kosovë, pas punës që kam bërë në Kongres dhe pas punës së të gjithëve në bordin e Ligës Qytetare Shqiptaro – Amerikane.
Ne shpresonim që pas pavarësisë do të fitonim një lloj demokracie, ndoshta jo të nivelit amerikan, por që do të ishte mjaftueshëm e mirë që populli të fliste, jo politikanët, jo partitë, që njerëzit të ishin krenarë që kanë një shtet që ofron punë për ta dhe fëmijët e tyre. Shikoni se çfarë ndodhi në 10 vjet dhe këtë e kam përjetuar pothuajse me lot në sy.
Politikanët nuk arritën të bindnin Evropën që t’u japin shqiptarëve viza për të udhëtuar në Perëndim për të kërkuar punë. Ata mund të shkojnë vetëm në Turqi. Kush dëshiron të shkojë në Turqi tani që Erdogani po sillet si në kohën e Perandorisë Osmane.
Ky është njeriu që shkoi në zyrën e Sali Berishës dhe tha: ‘Ku e morët këtë fotografi të Gjergj Kastriotit? Ai është tradhtar. Hiqeni!’, Dhe, çka bëri ai? E largoi.
A janë këta shqiptarët që i zgjodhëm për të qenë politikanët tanë, në Shqipëri, Kosovë apo kudo tjetër. Dhe, tani e kemi problemin me Ali Ahmetin në Maqedoni.
Çfarë është duke bërë ai? 15 vjet kemi bashkëpunuar me Arbën Xhaferin, një nga politikanët shqiptarë më të mençur. Madje, e lamë që të fliste në një mbledhje të Komitetit, siç e bëmë edhe me Ipshekvin Sopi, që pati një pjesëmarrje të rëndësishme këtu për të treguar se Kosova nuk është vetëm islamike.
Nuk kam problem me të qenët mysliman, por serbët po i sillnin këtu vazhdimisht peshkopët duke thënë: Jemi të krishterë, jemi të krishterë. Kongresmeni Heid më tha: Joe, a ka ndonjë të krishterë në Kosovë? I thashë: po 200.000. Më tha: Sille një peshkop këtu. I thashë që nuk fliste anglisht. Më tha që s’ka problem se marrim përkthyes dhe këtë punë e bëri Faton Bislimi.
Na duhej të tregoheshim të mençur për të bërë atë që bëmë. Por, a e humbëm kohën? E gjithë kjo punë e mirë që kemi bërë a shkoi kot? Që partitë politike po i përdorin njerëzit deri në atë pikë sa që njerëzit po dëshpërohen, kanë frikë për vendet e tyre të punës, kanë frikë për të ardhmen e fëmijëve dhe me sa kam dëgjuar, autobusët po largohen me njerëz nga Kosova, sepse nuk e dinë se si mund të qëndrojnë më aty për të mbajtur familjet.
Falë Zotit, kemi njerëz të rinj, sikurse Faton Bislimi, të cilin e ndihmuam me shkollimin këtu, në Harvard. I thashë që ne do të ndihmojmë, por ti duhet të kthehesh në Kosovë. Dhe, ai e la familjen e tij në Edmonton dhe u kthye në Gjilan, dhe kjo nuk është e lehtë. Nuk ka ndonjë punë të madhe për të atje, e shpresoj që kjo do të ndryshojë. Ne po punojmë që të shohim se sa shqiptarë të rinj do të mund të edukoheshin këtu në Amerikë dhe që pastaj të jemi në gjendje të themi që nëse doni të ktheheni, do të provojmë që të sigurojmë ca para që ju të jetoni atje, por nuk mund t’ju bëjmë që të ndiheni si politikanë të mëdhenj atje.
Sepse, Shqipëria tash, më falni, Kosova, por edhe Shqipëria e ka këtë problem si Rusia – ka oligarkë. Njerëzit që janë në pushtet, po pasurohen e pasurohen, e njerëzit që thonë se i përkrahin zgjedhësit e tyre, po varfërohen. Më keq se kaq, nuk shohin ardhmëri për familjet e tyre atje, përveç nëse nuk I shërbejnë partisë. Dhe, çka dëshiron partia është: na i sillni gjithë vota e familjes dhe ndoshta ju sigurojmë dy vende pune në Qeveri. Çka është kjo? Vetëm mafia e bën këtë në këtë vend dhe ajo po zhduket. Pra, shqiptarët e Kosovës duhet të zgjohen.
Ata nuk po përfaqësohen nga njerëz që e kuptojnë demokracinë e vërtetë, përfaqësimin e njerëzve, e jo te vetvetes dhe partisë. Është e pakuptimtë që të vihet më lista e njerëzve për zgjedhje. Bëjeni si në Amerikë, lejoni çdo individ të thotë: Unë dua të jem përfaqësuesi yt. Unë jetoj afër jush, prandaj votoni për mua. Partitë le të bëhen bashkë, pasi që njerëzit të zgjidhen. A nuk ua treguam ne Kosovës, e Shqipërisë se si funksionin demokracia këtu në Amerikë?
Kurrë nuk e harroj kur shkuam në Shqipëri dhe e ndihmuam zgjedhjen e Sali Berishës president. M’u desh të shkoja dy herë, sepse në vitin 1991 komunistët kontrollonin gjithçka. Isha atje me delegacion dhe kur u ktheva, thashë se këto nuk ishin zgjedhje të mira dhe u desh t’i përsërisnim. Unë nuk e dija që Sali Berisha ishte i përzgjedhuri i komunistëve për të garuar. Shikoni videot e mia në YouTube, të viteve 1993-94, intervistat me të. I thashë: Bëjeni një qeveri të njëjtë me atë në SHBA. Por, ai nuk e bëri. Gjëja e parë që donte të bënte ishte të kontrollonte gjyqtarët, drejtësinë. Çfarë qeverie e bën këtë? Dhe vetëm tash po ndodh vetting me reformën gjyqësore.
Dhe, unë isha shumë kritik, pasi që keni pasur shqiptarë nga Shqipëria që vinin këtu për Lutjet e Mëngjesit, që ishin përgjegjës për Gërdecin, për vendosjen e minave aty, njerëz që u shisnin plumba kinezë amerikanëve. Këtë janë njerëz që vijnë tani në Washington për Lutjet e Mëngjesit. Duan të bëjnë fotografi me politikanët këtu.
Duan të mashtrojnë njerëzit në Shqipëri, duan të mashtrojnë njerëzit në Kosovë duke u thënë se i njohin në Washington. Po, por çka po bëni me këtë? Si do t’i përfaqësoni njerëzit? Për këtë bëhet fjalë. Prandaj, unë mund të vazhdoj të flas, por ju i keni pyetjet tuaja”, thotë DioGuardi.
Ai ndërkohë, pavarësisht se nuk është më në Kongres, thotë se do të vazhdojë të punojë për çështjen e kombit shqiptar.
“Mendoni se ndalova së punuari, apo që u pensionova? Më patë këtu. Do të jem 78-vjeçar këtë vit, dhe a më patë të pensionuar? Jo. Por, të gjithë duan t’u thonë njerëzve që puna e tij e ka pasur, e ka bërë punën e tij, tani lëreni vetë. Jo. Puna ime nuk ka përfunduar. Puna për kombin shqiptar nuk ka përfunduar. Dhe, ky është problem i madh që kemi. Si mund t’i bëjmë 7 milionë shqiptarë në Ballkan të mendojnë si një komb. Ata e kanë historinë e njëjtë, gjuhën e njëjtë. Janë në tokat e paraardhësve të tyre, që serbët dhe të tjerët duan t’i copëtojnë.
E kanë kulturën e njëjtë, dhe unë dua që t’i zgjoj. I patë italianët këtu sonte? Më duhet t’jua kujtoj sa të rëndësishëm shqiptarët ishin për 500 vjet në Itali. Ata luftuan me Garibaldin për ta bërë Italinë shtet në vitin 1861 dhe kryeministri i parë ishte Francesco Crespi, që kishte prindër shqiptarë. Italianët mbase e kanë harruar këtë, e shqiptarët ka gjasa që nuk e dinë fare. Prandaj, njerëz të mirë si ju duhet të udhëtojnë më shpesh për të përçuar mesazhin se duhet pasur media të mira dhe të lira në Kosovë. Lejoni njerëzit që të flasin. Mos provoni ta kontrolloni mesazhin, sepse pastaj bëheni shtet komunist sërish”, thotë ai.(TemA)