Nga Ben Andoni
Propaganda e sotme e tregoi zotin Rama për një moment sesi në takimin e Berlinit, kancelaria Merkel, një nga personazhet më të fuqishme të kohës sonë, e këqyrte nga poshtë kryeministrin e gjatë të vendit fare të vogël shqiptar. Me pamje që të bënte të mendoje, se ajo ishte me padurim duke pritur këshillat e liderit shqiptar!!!
Makineria e tij e propogandës nuk u ndal këtu. Në të gjitha fotot e Ramës përdoret shtati dhe gjestikulacionet që i japin fuqinë e madhe të liderit mbi këdo.
Piktori i talentuar Enkeled Zonja, pak vite më parë, bëri një provokim me imazhin e Enver Hoxhën në një pikturë që e quajti “Vizitë në plagë”, një risjellje gati identike e një pikture klasike, ku u shfrytëzua imazhi i liderit komunist. Për ata që se kanë jetuar atë kohë, manipulimi i imazhit ka qenë një nga gjërat më të dashura të komunistëve, madje ata me anë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve i vunë Artet Pamore nën pushtetin e imazhit propagandistik. Ku punëtorë dhe fshatarë të fortë kishin marrë përsipër, falë forcës së muskujve dhe buzëqeshjes së “mirëqenies”, progresin e vendit! Enver Hoxha retushoi gjithçka, deri edhe personalitete të mëdha të kohës, për të evidentuar forcën e vet dhe pasqyrimin e tërheqjes prej gjuhës së tij të trupit. Fshatarë, punëtorë dhe lidera që e shikojnë me adhurim.
Ahmet Zogu dhe njerëzit përreth tij ngritën kultin e mbretit si pasardhësi real i Skënderbeut, për ta justifikuar monarkinë e tij të vetëshpallur, që nuk mundi kurrë të ngrihej në një rang që nuk i takonte. Pushtimi fashist e shkërmoqi jo vetëm ushtarakisht por edhe moralisht “heroin”, ku vetë ai dhe shumë prej njerëzve të tij më të afërt dezertuan turpshëm. Ashtu si historia e turpëroi ngrehinën e Hoxhës dhe bashkëpunëtorëve të tij. Njerëzit edhe atë më të varfrit, por edhe studentët, deri një vit pas vdekjes së tij, besonin se Enveri ishte i pastër, por ata që ishin rreth tij ishin përgjegjës të së gjithë asaj që po kalonte vendi ynë! Do të kalonin pak kohë dhe e vërteta do të dilte në shesh, por ndërkohë fuqia e imazhit e kishte bërë të vetën. Fshatarë të këputur, punëtorë të stërlodhur, familje pa shpresë dhe të zhgënjyer ishin ushqyer me imazhin dhe ndryshimin, që nuk erdhi kurrë. Imazhi identifikonte realitetin.
Sikur të mos kishte ndodhur gjë, periudha demokratike, që erdhi si dëshmi e një të vërtete që i takonte shqiptarëve, shumë shpejt braktisi parimet dhe iu drejtua njësoj rrugës së paraardhësve. Presidenti Berisha, kryeministri Fatos Nano, kryeministri Berisha dhe kryeministri e kryetari i Bashkisë Edi Rama, lideri i opozitës Lulzim Basha janë të pranishëm dhe gati agresivë në propagandën e tyre, pothuaj njësoj si paraardhësit e politikës shqiptare. Kryeministri Rama është në tre deri katër vende në të njëjtën ditë dhe me minutash të palimituar, ashtu si paraardhësi i tij Berisha merrte minuta të tëra teksa monologonte në mbledhjet e qeverisë së tij, para ministrave gati kukulla pa gojë. A ka një rol kjo fuqi e pamat imazhi, që transferojnë këto personazhe për shqiptarin e thjeshtë? Patjetër që po. Këtë e kupton nga sintaksa gati e njëjtë që përdor sot një fashë e madhe e politikanëve që imiton liderat respektivë, por këtë e shikon edhe më mirë akoma nga përcjellja e të njëjtës sjellje te militantët dhe në fashat e gjëra të popullsisë. Modeli i sotëm nuk është punëtori apo njeriu që mbijeton, por është politikani/nja që mundohet të na shpëtojë përmes klithmave të tij për “të drejtën dhe vizionin e të ardhmes”. Është për të ardhur keq, sepse në një formë apo në një tjetër, këtë diktaturë imazhi e has në formën më të papërpunuar tek diktatorët e pakët dhe liderat e fortë. Në Korenë e Veriut, Kim Jong është i rrethuar nga femra të bukura që qajnë pareshtur dhe e shikojnë në sy, ashtu si Putin e shikon rëndom mes Turmës dhe megjithëse jo me trup impozant del vazhdimisht që ai mbizotëron dhe drejton. Erdogan ecën i patrembur përpara dhe mposht pafund “armiq”. Ka një ngjashmëri, nga ky element, të cilin e gjejmë të shpjeguar në atë që Psikologët dhe Sociologët që studiojnë terrorizmin thonë se: diktatorët janë në gjendje të përhapin frikë midis njerëzve të tyre dhe ta vendosin veten si shpëtimin e tyre të vetëm. Prodhimi i një kërcënimi të jashtëm, si rrethimi imperialist-revizionist i Enver Hoxhës apo në “kërcënimin” e të gjithë Perëndimit të sotëm ndaj Kimit, ndihmojnë në mbajtjen e shoqërisë jashtë fokusit real të jetës dhe në mënyrë kolektive paranojake. Këtë referencë e kapim në atë që Alice LoCicero psikolog i njohur i Keimbrixhit adreson direkt:
Diktatorët shfrytëzojnë një instinkt të mirënjohur për shumicën e njerëzve që zakonisht kërkojnë mbrojtje nga një udhëheqës i fortë, por që ai e referon mbi lidhjen e udhëheqjes së sotme dhe terrorizmin. Dhe vazhdon:”Sjellja jonë është ende e ndikuar nga ajo që ndodhi mijëra vjet më parë”, shprehet LoCicero. Sipas tij, “Në evolucionin darvinian, njerëzit që u lidhën me udhëheqësin mbijetuan”.
Ka një paralele interesante. A mundet realisht që këta njerëz të jenë shpëtimtarët “e vetëm?” Nga propaganda dhe diktatura që bën imazhi i tyre në përditmëri, ata sundojnë vetëdijen tonë dhe gati janë bërë pjesë e nënvetëdijes. Dhe, realisht, fati i shumë njerëzve është i lidhur me fatin e qeverisjes së tyre. Këtë bën imazhi i tyre që është “i justifikuar”, por edhe ajo që ata shpallin me ingranazhin gjigand të propogandës.
A mund t’i shpëtojmë dot diktaturës së imazhit? Jo, përderisa të jetë ky model ekonomie pa model dhe Shqipëria të jetë një vend hibrid demokracie, publiku do të vuajë dhe do t’i nënshtrohet diktaturës së imazhit, sepse ndjekja e saj është e vetmja shpresë e mbijetesës. E dimë të gjithë, e stigmatizojnë, shfaqim filma ku shkojmë përçudnimin që bënë diktaturat e shekullit të XX dhe ato që po e sajojnë në ditët tona, por jemi të dënuar të përsërisim të njëjtën gjë. Shqiptari i shekullit të XXI nuk jeton dot pa diktaturën e vërtetë të imazhit, sepse nga ajo matet valenca e shumë njerëzve në shoqëri, por nga ajo jetojnë politikanët, që bëjnë fatkeqësisht jetën tonë. Është e hidhur, por kështu është e thënë: nuk jetojmë dot pa diktaturën e imazhit. (Homo albanicus)