Kandidati i opozitës për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Halim Kosova, është vënë në vështirësi sot pasdite gjatë një takimi elektoral që ka pasur në zonën e Kombinatit, teksa një prej të pranishmëve në këtë takim e ka pyetur atë pse Bashkia aktuale e Tiranës nuk i ul që sot taksat dhe çmimet, ashtu siç edhe kandidatët e saj premtojnë anë e mbanë vendit.
Ashtu siç ua kujton çdo ditë kandidati i majtë për Tiranën, Erion Veliaj, banori i ka kujtuar Halimit se Bashkinë e Tiranës edhe sot e drejton Partia Demokratike, ndaj pse nuk ulet që sot çmimi i ujit apo edhe i taksave të tjera. I gjendur para një situate të papritur, Kosova iu përgjigj se gjatë drejtimit të Bashkisë së Tiranës në këto 4 vite nga Lulzim Basha ka gjëra që nuk janë bërë mirë dhe që ai premton se do i bëjë më mirë.
Dialogu i plotë:
Banori: Unë dua të them këtë, dua një përgjigje të ndërgjegjshme nga ty. Që të mos më përgjigjesh shkel e shko, kam dëgjuar në ekranet e teviziorit që ju flisni gjithmonë për ulje çmimesh, ulje taksash, këtu e aty. Po mire, në dorë e ka bashkia, PD-ja e ka Tiranën, pse nuk i ulni, vjen fjala, çmimin e ujit? Paguajnë njerëzit nga 17-20 mijë lekë ujin. Pse pikërisht, ja kjo është fare, fare e thjeshtë, pse Bashkia e Tiranës nuk e ul çmimin e ujit?
Halim Kosova: Nuk jam gati për të thënë një gjë që po punojmë me intensitet, që çfarë do bëjë ai që s’ka mundësi që të paguajë ujin. Unë, në qoftë se më keni dëgjuar, kam thënë që nuk jam nga ata, pavarësisht ndryshimeve që janë bërë këto 4 vjet, por edhe 11 të tjerave, ka dhe gabime, ose gjëra që nuk janë bërë mirë, dhe që duhet të ishin bërë më mirë, të cilat kam marrë përsipër që çfarë nuk ka qenë aty, ku unë personalisht mendoj, ose ku si kryetar i Bashkisë do të kem mundësi për të rregulluar diçka, pse jo do ta ofroj. Për këtë qëllim do të ofrojë idetë e mija, mundësitë e mija, por gjithmonë me kalem në dorë.