Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier tha sot në Prishtinë se njohja reciproke e Kosovës dhe Serbisë mbetet synimi kryesor i SHBA-ve dhe se duhet ta marrin seriozisht dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore, pasi ka pasur ngecje në vitin e fundit.
“Njohja reciproke mbetet synimi kryesor i SHBA-së në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kjo është e qartë. Presim që të dyja palët të sillen plotësisht në përputhje me të gjitha obligimet që dalin nga dialogu dhe presim që ta marrin seriozisht dialogun”, tha Hovenier në “Samitin e Paqes dhe Demokracisë” në Prishtinë.
Hovenier tha se tani duhet “serioziteti dhe qëllimi i këtij dialogu”.
“Mund ta quash një fillim të ri, mund ta quash një ripërkushtim, mund ta quash një qasje të re, mund ta quash një qasje më energjike. Ne kemi nevojë për këtë dhe ne kemi nevojë që të dyja palët ta bëjnë këtë”, shtoi ai.
Hovenier tha se Kosova dhe Serbia duhet të punojnë për përfitim të ndërsjellë nga dialogu dhe jo të kërkojnë të jenë fituesit e vetëm.