Politika në Kosovë shpreh nevojën për avancimin e procesit të dialogut Prishtinë–Beograd, duke kërkuar ndryshim të qasjes nga Serbia dhe rol më aktiv të faktorit ndërkombëtar. Por partia në pushtet problemin e sheh më së shumti te Serbia.
“Për të pasur normalizim të raporteve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, duhet të ketë qasje ndryshe nga ana e Serbisë, e cila përgjatë gjithë kohës, të paktën gjatë këtyre pesë viteve të fundit, është treguar dekonstruktive, penguese dhe ka bllokuar në vazhdimësi procesin.”
Ndërsa opozita, duke përshëndetur rikthimin e vëmendjes amerikane te dialogu, thekson nevojën për një konsensus të gjerë politik për këtë çështje.
“Kjo vëmendje amerikane do të duhej që natyrisht të replikohet në një plan dinamik, sepse është në interes të Kosovës të përmbyllet procesi si i tillë. Dhe kjo është ajo në të cilën Kosova duhet të ndërtojë një konsensus sa më të gjerë politik.”
Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kosova dhe Serbia shkëmbyen akuza ndaj njëra-tjetrës, ndërsa Shtetet e Bashkuara ritheksuan se normalizimi i marrëdhënieve mbetet rruga e vetme përpara për të dyja vendet.











