Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se Irani ka lejuar kalimin e dhjetë cisternave të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit, duke e cilësuar këtë si një “dhuratë” nga Teherani.
Trump kishte përmendur fillimisht disa ditë më parë një “dhuratë shumë të madhe” nga Irani, ndërsa tani zbuloi detaje, duke thënë se pala iraniane kishte premtuar fillimisht kalimin e tetë cisternave të mëdha me naftë, por në fund lejoi kalimin e dhjetë të tilla.
Ai shtoi se disa prej anijeve mbanin flamurin e Pakistanit dhe e cilësoi këtë veprim si një shenjë se SHBA-të “po negociojnë me njerëzit e duhur” në Iran.
Presidenti amerikan theksoi gjithashtu se Irani nuk duhet të kishte të drejtë të vendoste tarifa kalimi (“taksë”) për anijet që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit, por sipas tij, kjo praktikë vazhdon.
Trump përmendi edhe mundësinë që SHBA-të të marrin nën kontroll naftën iraniane, por nuk dha më shumë detaje lidhur me këtë opsion.
Deklaratat e tij vijnë në një moment tensionesh të larta mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa zhvillimet në një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë mbeten në fokus të vëmendjes ndërkombëtare.











