Sipas përllogaritjeve, rreth 4,000 raste të dhunës në familje u raportuan në Shqipëri gjatë vitit 2014 dhe rreth 3,000 raste deri në shtator të këtij viti.
C’po bën ti për të përmirësuar të ardhmen për femrat shqiptare? “Mënyra më e mirë për të parashikuar të ardhmen është ta krijosh atë,” ishte mesazhi përmbyllës i Scott Jenkins, një oficer policie në pension nga Duluth, Minesota, i cili vizitoi Shqipërinë në 29-30 tetor, kur foli me një grup oficerësh policie, prokurorësh, gjykatësish, punonjës të SHSSH, dhe OJQ gjatë një workshop mbi “Dhuna në Familje – Përvoja e SHBA.”
Scott ka udhëtuar në shumë vende të Europës në pesë vitet e fundit për të prezantuar modelin e Duluth dhe u shpreh se për sa i përket ligjeve në letër, ligjet e Shqipërisë janë ndër më të mirat dhe më të avancuarat, por aplikimi i tyre mbetet një sfidë.
Gjatë takimeve me Aleancën e Grave Deputete, zyrtarë të Ministrisë së Mirëqenies Sociale, gjykatës dhe prokurorë të ardhshëm, median, etj., Scot Jenkins foli mbi modelin Duluth të përgjigjes së koordinuar komunitare për dhunën në familje, një model i përdorur tashmë në 22 vende në botë.
Sipas Z. Jenkins, ndërhyrjet e efektshme në rastet e dhunës në familje kërkojnë që me anë të përpjekje të agjencive të ndryshme të institucionalizohen procedura që: vendosin në qendër sigurinë e viktimave, përmirësojnë llogaridhënien e autorëve të dhunës, dhe ndryshojnë mjedisin komunitar që të mos tolerojë dhunën në familje. Scott theksoi se ndërhyrjet duhet edhe të përpiqen të identifikojnë dhe parandalojnë abuzimin e fëmijëve që mund të shoqërojë dhe që ndodh në rastet e dhunës në familje.