Nga Skënder Minxhozi/
Dikush tha më te drejtë në njërën nga ditët e protestave të 35 viteve më parë në Qytetin Studenti: gjak nuk provokoi ky revolucion po baltë prodhoi me shumicë. E thënë në atë moment shprehja qe spontane dhe jo mbartëse apo parashikuese e diçkaje të keqe. Balta identifikohej me motin me shi, e jo labirinthin e errët ku do të hynte vendi në vitet që pasuan. Pakkush mendonte keq në atë moment, në vrullin e romantizmit që kishte kapluar të gjithë ambjentin ku lindi pluralizmi shqiptar. Ishim të varfër, të frikësuar, të paqartë mbi të gjitha, por mendonim “vetëm për mirë”.
“Do e shihni që do bëhemi Evropë brenda tre vjetëve”, ishte një ndër batutat që dëgjoje më shpesh në atë kohë. Koncepti i hyrjes në Evropë artikulohej “do bëhemi Evropë”! “Do bjerë shi jeshil dollarësh, do zbarkojnë amerikanët të na ushqejnë e të na veshin”, ja priste tjetri. Në skamjen e komunizmit fundor të gjitha këto tingëllonin profetike, paçka se në thelb ishin dhe janë akoma dhe më shumë sot, thjesht parashikime naive dhe fëminore. Çka pasoi nuk ishte as shiu i dollarëve dhe as bashkimi me Evropën.
Sot, 35 vite më pas ngjarjet e dhjetorit ’90 kanë më së shumti vlerë për të analizuar kurbën e daljes së Shqipërisë nga sistemi totalitar komunist dhe tranzitimin e ngadaltë e plot gropa, kthesa e të përpjeta, drejt një shoqërie demokratike normale. Objektiv të cilin nuk e kemi arritur as pas tre dekadash e gjysëm hallakatjeje nëpër kallamishtet e tranzicionit.
Dekada e parë e tranzicionit, vitet 1991-2000, është ana tjetër e medaljes iluzive të rënies së komunizmit. Është ana e errët e një historie shprese dhe zhgënjimi. Qyteti Studenti u zbraz shpejt në dhjetor ’90 nga idealistët dhe vendin e tyre e zunë të rastësishmit dhe llogaritarët e pushtetit. Aq e vërtetë është kjo saqë teksa vendos përballë fotot e atyre ditëve, studentët dhe njerëzit e thjeshtë që gëzonin, me galerinë e fytyrave të pushtetit që u ndërtua mbi baltën e Qytetit Studenti, kupton sesa i rastësishëm, joprofesional dhe disa herë keqdashës e abuzues ka qenë shteti i ri që mori formë në fillimet e demokracisë shqiptare.
Në fakt teksa bën këtë fluturim në kohë, kupton të vërtetën e madhe se PD, si fryti madhor i lëvizjes studentore, qe një jo-projekt i lindur me nxitim për shkak të krizës së regjimit që po binte, e jo si rezultat i një kulture të konsoliduar demokratike. Karrieristë dhe të dështuar e të pakënaqur të regjimit komunist u kthyen në materien bazë që krijoi shtetin e të ardhmes. I cili kishte brenda shumëçka nga praktikat, fryma dhe konceptet bazë të shtetit të së shkuarës. Nuk pati një telajo sado të vagullt për të hedhur themelet e shtetit post-komunist, nuk pati traditë pluralizmi, nuk pati as organizata apo organizime të çfarëdo që të mbartnin mendimin alternativ. Ndërtuam mbi rërë dhe e pamë veten përtokë në tërmetin më të parë (kupto piramidat dhe vitin e mbrapshtë ’97)!
Përtej asaj që studentët dhe qytetarët e tjerë shpalosën në ato ditë dhjetori, ajo që pasoi më pas nisi si një histori e stisur keq qysh në krye të herët. Tamam si ajo këmisha të cilën e mbërthen keq në kopsën e parë dhe të shtrëngon në fyt në kopsën e fundit.
Pasi hoqëm qafe komunizmin, ju kthyem të heqim qafe gjithçka që trashëguam prej tij. Një operacion natyrisht i lëvdueshëm për pjesën e çmontimit të regjimit represiv, instalimin e ekonominë se tregut dhe hapjen e vendit ndaj botës, por jo në mënyrën sesi u sollëm me shtetin, administratën, drejtësinë, infrastrukturat, natyrën, me fenomene sociale si urbanizimi apo me dërgimin për skrap të thuajse gjithçkaje që breza shqiptarësh kishin ndërtuar me mund e djersë.
Asnjë studim paraprak, asnjë model ekonomik e zhvillimor, asnjë vetëfrenim i arsyeshëm për hapat që po hidhnim në errësirë. Thjesht pranim i thatë dhe mekanik i formulave shpesh idiote që vinin nga organizmat ndërkombëtare, ku burokratë të panjohur eksperimentonin me vendet lindore si me minjtë në një vazo qelqi.
Me qetësinë dhe kthjelltësinë që kemi sot, nuk na duhet shumë për të kuptuar sesa amatore, inatçore dhe e mbarsur me ideologji e propogandë boshe ka qenë dekada e parë e pluralizmit që erdhi pas Dhjetorit ’90. Një brez drejtuesish me kostume antikomuniste, që vepronin në mjaft raste pikë për pikë si aparatçikët e regjimit të saporrëzuar.
Dhe rezultantja e kësaj linje politike i dha frytet e saj të hidhura. Shqipëria e filloi epokën e pluralizmit politik duke parë të futej në burg kryetari i opozitës. Ajo qe këmbana e parë e deformimit demokratik që po pësonte vendi. Më pas erdhi demarshi për të instaluar një kushtetutë ku të gjitha pushtetet t’i kishte një dorë e vetme, Sali Berisha. Më pas pasuan piramidat dhe në fund, “qershia” mbi tortë, erdhi 97-ta e frikshme megjithë bilancin e saj tragjik. Shembja e shtetit dhe rrënimi deri në qelizë i gjithçkaje ishte ndërtuar. Ekuacioni i dekadës së parë të pluralizmit u mbyt në gjakun e derdhur pa e ditur pse dhe pa e marrë vesh për çfarë. Marrëzi kolektive për një vend që vegjentonte në një gjendje thuajse natyrore.
Të gjitha këto qëndrojnë pas atij shansi të humbur të vitit 1990, kur largimin e komunizmit dhe hapësirën e oportunitetet që sillte me vete ajo ngjarje, i deformuam duke ja vënë shtetin në dorë batakçinjve politikë dhe tregtarëve të paskrupullt të flamujve.
Një ëndërr e bukur u kthye gradualisht në makth, aq sa edhe sot askush nuk është në gjendje ta shpjegojë, fjala vjen,se përse kur ra sistemi komunist në dhjetor ’90 nuk u derdh asnjë pikë gjaku, por ama kur erdhi puna për të parin rotacion të pushtetit brenda sistemit të ri demokratik, u vranë nja 2 apo 3 mijë njerëz! Këtë paradoks sot nuk e shpjegon dot askush, përveçse me faktin se në vitin ’90 komunizmit i kishin rënë patkonjtë dhe shqiptarët donin lirinë, kurse në 1997 kur puna qe për ndarjen e pushtetit mes një klase politike të vradzhtë dhe përjashtuese (shto dhe fajdet), gara për pushtet u kthye në faturë gjaku.
Prandaj është mirë të përkujtohet e mbi të gjitha të studiohet Dhjetori ’90 me të gjitha efektet që prodhoi. Pa ditirambet e shëmtuara e glorifikimin grotesk që vërehet rëndom kur afrohet data, por me koshiencën se nga largësia e 35 viteve ka ardhur më në fund momenti për të pasur një refleksion mbi atë që shkoi mirë, por mbi të gjitha dhe kryesisht mbi atë që shkoi keq në atë moment ngjizjeje të vetëdijes sonë demokratike. Dhjetorin ’90 duhet ta kujtojmë për atë që fituam, por më shumë dhe më shpesh për atë që humbëm.
Sepse humbëm shansin për të vënë themelet e një shteti normal, një demokracie funksionale të rregulluar nga shteti ligjor dhe një vendi që të mban, jo që të përze 35 vjet rresht! Kishim shansin historik të ndërtojmë mbi rrënojat e komunizmit një shoqëri humane, e jo një kazan grykësish që abuzojnë me shtetin dhe me pushtetin. Për këto ja vlen vërtetë të kujtohet Dhjetori ’90!











