Pavarësisht se është fundjavë dhe kushtet atmosferike nuk janë të favorshme, studentët po protestojnë sërish sot para Ministrisë së Arsimit, Sporteve dhe Rinisë.
Studentët kanë deklaruar se nuk do të ketë tërheqje deri në plotësimin e kërkesave të tyre dhe se protesta nuk ka asnjë lidhje me politikën.
Studentet u grumbulluan në fakultetet përkatëse, ndërsa në orën 09:30 nisën marshimin në drejtim të Ministrisë së Arsimit për të mbërritur në orën 10:00.
Studentët shprehen se nuk pranojnë asnjë negociatë pa u plotësuar të gjitha kërkesat e tyre.
Studentët ultimatum qeverisë: Keni afat deri të martën, ose protesta më masive e historisë
Studentët i kanë vendosur si afat të fundit Ministrisë së Arsimit, ditën e martë, kur duhet të jenë plotësuar të gjitha kërkesat e tyre.
“Jemi të gjithë të bashkuar. Do i kërkojmë ministrisë dhe qeverisë të njëjtat kërkesa me 8 pika. Deri të martën është ultimatumi. Nëse nuk plotësohen, të martën do jetë protesta më masive që keni parë ndonjëherë”, u shpreh një prej studentëve për mediat.
E sotmja, do të jetë dita e 5-të e protestave të studentëve për të drejtat e tyre, teksa ata vazhdojnë të bëjnë thirrje për mos politizim të tubimit. Sipas tyre ka pasur tentativa nga disa grupe për t’i përçarë, ndaj kanë hedhur disa ide. Ata kërkojnë që mos ketë një drejtues, por organizimi të bëhet nëpërmjet rrjeteve sociale dhe e dyta që të bëhen të dallueshëm nga grupe politike propozojnë që të mbajnë në dorë një shami të kuqe.
Studentët kundër pedagogut: Arlind Qori, largohu nga protesta jonë!
Në një pankartë të shpalosur nga studentët i kërkohet pedagogut Arlind Qori që të qëndrojë lart tyre. “Arlind Qori nuk na përfaqëson, largohu nga protesta jonë”, shkruhet në pankartë.
Të pyetur se pse kjo thirrje për profesorin, i cili drejton Lëvizjen për Universitetin, njëri nga studentët tha: Nuk duam politikë në protestë, nuk duam praninë e neo-komunistëve. Ai po mundohet të na çajë protestën. Por ne jemi të bashkuar.
Pedagogu është i njohur për aksionet e tij në Lëvizjen për Universitetin kundër reformës në arsimit të lartë dhe është pjesë e së ashtuquajturës Organizata Politike, e njohura për qëndrimet e saj markiste.
KËRKESA E PLOTË E STUDENTËVE
Drejtuar: Ministrisë së Arsimit dhe Sportit
Ministres së Arsimit dhe Sportit Znj. Lindita Nikolla
Lënda: Kthim përgjigje me shkresë zyrtare
1. Përgjysmim i tarifës së studimi
2. Rritja nga 10% në 50% e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan/rekor dhe rritja e përfaqësisë së studentëve në senatin akademik me 20%.
3. Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillet Studentore, Ligji i Arsimit të Lartë pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe IAL-të dhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët.
4. Mbështetje e studentëve për kërkime shkencore.
5. Mbështetje e studentëve të doktoraturës me fonde për kërkimin shkencor.
6. Përmirësim i kushteve të konvikteve të Universiteteve.
7. Dyfishim i buxhetit për arsimin e lartë.
8. Pajisja e të gjithë studentëve me kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019.
Presim përgjigje zyrtare me shkrim deri në orën 14:00. Kërkesa drejtohet nga Këshilla studentor.
PËRGJIGJIA E MINISTRES NIKOLLA:
Të nderuar studentë,
Në përgjigje të kërkesës suaj, nr 12520, datë, 07.12.2018, bashkëlidhur ju informojmë se:
Lidhur me pikën 1, 6 dhe 7 të kërkesës, për vlerësimin e tarifave të studimit, vlerësimin e kushteve të rezidencave studentore dhe buxhetit për arsimin e lartë edhe sipas kërkesës suaj të datës 06.12.2018 do të ngrihen grupet e posaçme të punës, me përfaqësues të këshillave studentore, MASR dhe institucioneve publike të arsimit të lartë.
Lidhur me pikat 2 dhe 3 të kërkesës, konsiderojmë se është e nevojshme të vlerësohen ndryshime ligjore të cilat do të jenë gjithashtu pjesë e diskutimeve, të grupeve të posaçme të punës që do të ngrihen.
Lidhur me Pikën 4 dhe 5 të kërkesës, sqarojmë se mbështetja studentore për kërkimin shkencor dhe të studentëve të ciklit të lartë të tretë të studimeve përfshirë edhe gradën shkencore ‘Doktor’ tashmë është e garantuar ligjërisht.
Lidhur me pikën 8 të kërkesëse, sqarojmë se tashmë nga ana e MASR janë marrë masat e nevojshme dhe brenda vitit akademik 2018-2019, të gjithë studentët do të jenë të pajisur me kartën e studentit.
Ministria e Arsimit Rinisë dhe Sportit është e hapur dhe e gatshme për të diskutuar në institucione, sipas cdo formati të propozuar nga ju të gjitha cështjet e ngritura.

a.cupaj










