Dhjetëra shpendë të ngordhur janë gjendur nga qytetarët në lagunën e Nartës në Vlorë. Dyshimet janë për praninë e gripit të shpendëve. Shërbimi veterinar ka marrë mostra për të analizuar në Institutin e Veterinarisë në Tiranë.
Ministria e Bujqësisë thotë se ende nuk ka një përgjigje zyrtare për analizat e kryera dhe se duhet të presim për të konfirmuar nëse ka prani të gripit të shpendëve apo jo.
Ky i fundit u rikthye në Shqipëri përpara dy muajsh në Njësinë Administrative Kashar në Tiranë. Sipas ISHP, transmetueshmëria e virusit nga shpendët tek njeriu është me risk të ulët dhe nuk ka vend për alarm.
Shenjat e gripit të shpendëve, H5N1 kanë një ngjashmëri me gripin sezonal në raste më të rënda edhe më vështirësi në frymëmarrje.
Për këtë arsye, vetëm analizat laboratorike mund ta diferencojnë atë. Specialistët e ISHP kërkojnë që personat që kujdesen për shpendët të tregojnë kujdes dhe të përdorin veshjet speciale.