Pas rreth një muaj nga ngjarja e rëndë e ndodhur në fshatin Braçanj të rrethit të Devollit, ku një person u vra dhe një tjetër u plagos si pasojë e prishjes së pazareve të drogës, familjarët e të akuzuarit për këtë vrasje hedhin akuza të ashpra ndaj policisë, duke pretenduar pafajësinë e tij.
Pasi Gjykata e Shkallës së Parë në Korçë la masën e sigurisë arrest me burg për David Myrten, edhe Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi të njëjtin vendim ndaj 25¬ vjeçarit, i cili akuzohet për vrasjen e ndodhur më 19 mars në fshatin Braçanj. Sherri barbar me mjete të forta, i cili përfundoi me një viktimë dhe një të plagosur rëndë, u zbardh brenda 24 orëve nga policia dhe David Myrte u akuzua si personi përgjegjës për vrasjen e Zarif Alliut me mjete të forta dhe plagosjen e Mendar Burnazit.
Por edhe pse 25-vjeçari u la në masën e sigurisë arrest me burg pas dëshmisë së dhënë nga njëri prej personave që ndodheshin në vendin e ngjarjes, ai refuzoi të kishte lidhje me këtë krim. Sipas babait të tij, Rami Myrte, prova e vetme me të cilën 25¬vjeçari po mbahet në burg është dëshmia e dhënë nga njëri prej personave të përfshirë në sherr, ndërkohë që janë me dhjetëra dëshmitarë të cilët pohojnë të kundërtën.
Pse thoni se djali juaj është i pafajshëm?
Djali im është i pafajshëm dhe këtë nuk e them vetëm unë, por e di një fshat i tërë. Ka persona që e vërtetojnë këtë gjë, por askush nuk po i merr për bazë. Mbrëmjen e ngjarjes ai ka qenë me shokët dhe vëllain e tij binjak në lokalin e fshatit. Unë vetë me gruan i kemi parë atë natë kur po rrinin në lokal sepse e kemi përballë shtëpisë. Dëgjoheshin zërat, të qeshurat dhe dola 2-3 herë me time shoqe për t’i parë. Janë drita e syve tanë si për çdo prind, fëmija ashtu është. Më pas erdhën në shtëpi, hëngrën darkë dhe ranë të flinin. Po të kishin bërë gjë do të dallohej se do të kishin diçka ndryshe, një sjellje, rrobat, por ata s’kishin asgjë, ranë të qetë në gjumë.
Çfarë ndodhi më tej?
Po flinim të gjithë. Ishte ora 04:00 kur trokiti dera fort dhe u ngritëm menjëherë. Menduam çfarë kishte ndodhur. Fillimisht kujtova se mos ishte ndonjëri nga komshinjtë dhe kishte nevojë për gjë, por kur e hapa ishte policia. Kërkuan djemtë. Na thanë se do t’i merrnin për një verifikim të dy. Ka ndodhur diçka në fshat më thanë dhe do t’i marrim t’i pyesim, madje më thanë të mos shqetësohesha se do t’i sillnin brenda pak orësh, por mua djalin po ma mbajnë në burg pa prova.
Pse thoni se po e mbajnë pa prova?
Sepse ka dëshmuar njëri që Davidi e bëri këtë gjë dhe ata direkt e në burg. Djemtë e mi janë binjakë identikë dhe as ne prindërit e tyre nuk jemi në gjendje t’i dallojmë, jo më t’i dallojë dikush tjetër. Danjeli dhe Davidi nuk kanë lidhje me këtë rast dhe për këtë jam i sigurt. Si mundet dikush t’i dallojë në mes të natës dhe të thotë ky e vrau, kur unë djemtë i kisha në lokal me shokët. I kam parë me sytë e mi, kanë qenë me shokët dhe nuk janë shkëputur asnjë moment. Po ma burgosin djalin kot më kot, po ma quajnë vrasës vetëm e vetëm se kështu do policia. Pse nuk marrin për bazë dëshminë e shokëve, por marrin për bazë atë që duan?
Pse mendoni se është përfshirë emri i djalit tuaj në këtë histori?
Sepse ka qenë një herë i dënuar për drogë. Ishte i vogël, e gënjyen dhe u dënua me 2 vite e 5 muaj burg në Greqi. E çfarë pastaj se gaboi atëherë, dhe tani duhet që për çdo gjë që ndodh në fshat të fajësohet ai?! Me ç’të drejtë e bëjnë këtë gjë?! Do doja shumë që ai lokali të kishte pasur kamera dhe atëherë do të shihnim policinë çfarë pune bën. Në gjyq do t’i kisha hedhur. Policia nuk është e aftë të gjejë autorët dhe dënon të pafajshmit. Është e turpshme kjo që po bëjnë me djalin tim dhe ndoshta me shumë të tjerë.
Sipas jush, autorët janë të tjerë?
Po këtë vetë policia e ka pranuar, se kanë qenë 5 persona me dialekt veriu ata që i rrahën personat. Por janë të paaftë, ndaj merren me djalin tim dhe me ne. Jemi familje pa krah, por jetojmë me punë të ndershme. Kam një jetë që punoj tokën dhe mbaj shtëpinë pa i rënë në qafë njeriu. Po të merreshin djemtë e mi me drogë, siç thotë policia, do kishim ngritur vila e saraje. I bëj apel shtetit dhe drejtësisë të mos ma burgosin djalin kot. /Panorama/ma.me