Nga Fatjona Mejdini
Gjatë dy muajve të pandemisë si pasojë e COVID-19, banorët e fshatrave të thellë malorë të njësisë administrative Derjan dhe Rukaj në Bashkinë e Matit ndërprenë protestën e nisur që në janarin e vitit 2019 kundër ndërtimit të dy hidrocentraleve që e marrin ujin nga kjo zonë.
Por kompania Seka Hydropower sh.p.k., e cila në tetor të vitit 2018 ka marrë të drejtën nga Këshilli Kombëtar i Territorit për të ndërtuar hidrocentralet e Sekës dhe Zajsit në zonën malore të Bashkisë së Matit dhe asaj të Mirditës, vijoi e pashqetësuar punën.
Në fund të majit gjithsesi, kur liria e lëvizjes u rikthye, një përfaqësi e banorëve të zonës mbërritën në fshatin Melth dhe Zall-Gjoçaj për t`u përballur me ekskavatorët e kompanisë, të cilët vijonin punën të pashqetësuar. Në emër të ndërtimit të hidrocentraleve ata tashmë kishin prishur një pjesë të peizazhit të zonës dhe ndotur përroin që buron nga fshati Zall-Gjoçaj – pjesë e Parkut Kombëtar Lurë-Mali i Dejës.
Melthi dhe Zall-Gjoçaj janë fshatra të vegjël malorë në brigjet e këtij përroi, ku historikisht buron uji i maleve, të cilin banorët e përdorin për ta pirë, ushqyer bagëtinë dhe peshkuar troftë.
Si pasojë e ndërtimit të dy hidrocentraleve, duke shfrytëzuar degët e lumenjve Urak dhe Zalli i Melthit, jo vetëm këto dy fshatra, por edhe të tjerë, si ai i Rukajt, Prellit, Rremullit, Derjanit, Urxallës, Bardullejit, Dukagjinit, Gjoçajt, Lamit të Madh, rrezikojnë të humbasin burimet e tyre ujore. Ndërkaq nga ky projekt preket dhe njësia administrative Selitë në Bashkinë e Mirditës, duke përllogaritur se afërsisht 20 fshatra në të dyja bashkitë janë të rrezikuar të dënohen me thatësirë.
Në mënyrë që uji i lumenjve të shkojë në turbinat e hidrocentraleve që po ndërtohen, kompania është duke futur segmente të degëve të tyre nëpër tuba, duke i transferuar ato përmes tuneleve, duke e devijuar kështu rrjedhën natyrale të ujit dhe dënuar banorët me thatësi.
Adem Gjikola nga fshati Gjoçaj prej 15 vitesh merret me rritjen e bletëve, të cilat mund të ushqehen me mbi 200 llojet e bimëve mjekësore që gjenden në malet përreth.
Por, sipas tij, gjelbërimi i të gjithë zonës do të thahet nga futja e ujit nëpër tuba dhe ata, jo vetëm nuk mund të zhvillojnë më aktivitetet që iu sigurojnë jetesën, por do të detyrohen të shpërngulen nga zona.
“Ndikimi i hidrocentraleve është i tmerrshëm, sepse do të thahet natyra, sepse nga këta lumenj avullon uji në natyrë dhe gjelbëron gjithë vendin. Pa ujë, jo vetëm bleta që nuk jeton, por dhe jetët tona këtu vendosen në pikëpyetje”, – thekson ai.
Sipas tyre, protesta dhe ndalimi me forcë i punimeve është e vetmja rrugë që iu ka mbetur për të rezistuar. Të gjitha institucionet vendimmarrëse i kanë hapur rrugë ndërtimit të këtyre dy hidrocentraleve që pritet të prodhojnë së bashku 14,926 KW energji.
Kjo nismë gjithashtu mbështetet edhe nga Bashkia e Matit.
Të ndodhur përpara kësaj situate, banorët kanë bërë një padi pranë Gjykatës Administrative në Tiranë për të anuluar ngritjen e hidrocentraleve, e cila është ende duke u shqyrtuar.
Në të banorët theksojnë se nuk janë konsultuar nga kompania për ndërtimin e kësaj vepre dhe se ajo shkon në kundërshtim me interesat e tyre. Në nëntor të vitit 2019 kjo gjykatë rrëzoi kërkesën e banorëve të zonës për ndalimin e punimeve të firmës deri në vendimin final.
Mes ujit, pa ujë
Për të mbërritur në fshatrat malorë të njësisë administrative të Derjanit në skajet e Bashkisë së Matit, kufizuar nga bashkitë e Mirditës dhe Dibrës, nuk është e lehtë.
Rruga e shtruar arrin deri në fshatin Shqefën, 20 kilometra në veri të qytetit të Burrelit.
Nga aty udhëtimi drejt fshatrave Urxallë, Dukagjin, Gjoçaj, Melth dhe Zall-Gjoçaj, që preken më së shumti nga devijimi i rrjedhës së lumenjve, është i mundur vetëm përmes makinave që ecin jashtë rruge.
Rruga përshkohet nga male të larta, gjelbërim i dendur, përrenj të kristaltë dhe fshatra, ku ngrenë kryet kullat 100-vjeçare, tradicionale të zonës.
Izolimi dhe mungesa e infrastrukturës ka bërë që në fillimin e viteve `90 kjo zonë të përballet me një emigrim masiv të banorëve drejt Greqisë dhe Italisë, por po kështu dhe një migrim të brendshëm të tyre drejt zonave periferike të Tiranës, si Kamza.
Por një nga problemet më të mprehta që banorët e kësaj zone kanë hasur është mungesa e ujit. Prej 30 vitesh ata kurrë nuk kanë pasur ujë të rrjedhshëm në shtëpitë e tyre.
Ilir Likola nga Dukagjini thotë se e ka kaluar jetën rrugëve të emigracionit, për shkak se fshati i tij nuk ofron asnjë mundësi për jetesë normale.
“Jemi plotësisht të izoluar, pa rrugë, qendër shëndetësore, madje zona as nuk mbulohet nga telefonia celulare. Mospasja e ujit nëpër shtëpi na e bën gjendjen edhe më të vështirë.
Gjithë shpresa jonë ishte të furnizoheshim nga burimi i Zall-Gjoçajt, por tani ai ujë do të kalojë për nevoja të hidrocentraleve”, – thekson ai.
Kryetari i Bashkisë së Matit, Agron Malaj, e kundërshton këtë qëndrim. Prej kohësh ai është shigjetuar nga banorët e zonës se ka vendosur interesat e kompanisë që do të ndërtojë hidrocentralet e Sekës dhe Zajsit përpara interesave të tyre.
Por Malaj thekson se ndërtimi i këtyre dy hidrocentraleve nuk i pengon planet e Bashkisë së Matit për të ndërtuar një ujësjellës që do ta marrë ujin pikërisht nga burimi i Zall-Gjoçajt.
Sipas tij, ky ujësjellës do të furnizojë rreth 10 mijë banorë në 17 fshatra të njësive administrative Derjan, Rukaj dhe Macukull dhe do t`i sigurojë qytetit të Burrelit po kështu ujë 24 orë pa ndërprerje, nga katër që ka aktualisht.
“Hidrocentralet nuk e dëmtojnë planin tonë për ujësjellësin që tani është në fazën finale dhe do të bëjë të mundur që banorët e këtyre fshatrave pas 30 vitesh të kenë më në fund ujë në shtëpitë e tyre”, – thekson ai.
Kryetari i Bashkisë së Matit thekson se burimi i Zall-Gjoçajt është i pasur me ujë dhe vetëm një pjesë e vogël e tij do të shfrytëzohet nga firma që po ndërton hidrocentralin.
Ëndrra me turizëm
Banorët e zonës refuzojnë ta trajtojnë revoltën e tyre ndaj autoriteteve vetëm si një çështje të furnizimit më ujë të pijshëm. Sipas tyre ndërtimi i hidrocentraleve dëmton potencialin e zonës për të zhvilluar turizmin, nevojat e zhvillimit të bujqësisë dhe rezervën e nevojshme ekologjike që e mban zonën të gjelbëruar.
Agim Koleci, një 52-vjeçar nga fshati Melth, emigroi në vitin `91 drejt Greqisë për të siguruar një të ardhme më të mirë për veten dhe fëmijët. Pas 17 vitesh emigrimi aty ai u vendos në Kamzë, por gjithmonë me ëndrrën se një ditë do të mund të kthehej për të jetuar në fshatin e tij mes maleve, gjelbërimit dhe ujërave të kristalta.
“Gjyshi im më ka lënë trashëgimi në Melth një kullë të ndërtuar në vitin 1938 dhe vitet e fundit kam menduar ta restauroj dhe ta kthej në bujtinë për pushuesit. Por tashmë ujërat që rrjedhin nga mali në këmbët e fshatit Melth do të futen nëpër tuba dhe zona do të dënohet me vdekje, duke u tharë e mbetur e shkretë”, – thotë ai.
Fshati Zall-Gjoçaj pak metra larg Melthit është shpallur Park Kombëtar i kategorisë së dytë që prej vitit 1996, duke pasur elemente karakteristike të florës pishën dhe arrninë, dhe ato të faunës si ariun, ujkun, kaprollin, shqiponjën dhe gjelin e egër. Në nëntor të vitit 2018, parku i Zall Gjoçajt iu bashkëngjit parkut të Lurës, duke formuar atë që sot quhet Parku Kombëtar Lurë-Mali i Dejës i shtrirë mes Bashkisë së Matit dhe asaj të Dibrës me një sipërfaqe prej më shumë se 20 mijë hektarësh.
Por në brendësi të këtij parku kompania Seka Hydropower sh.p.k., ka nisur punimet me ekskavatorë për të devijuar rrjedhën natyrore të ujërave, duke shkaktuar zhveshje të peizazhit dhe ndotje të përrenjve malorë përmes.
Plani i përgjithshëm vendor i Bashkisë së Matit, i miratuar në nëntor të vitit 2017, gjithashtu e konsideron njësinë administrative të Derjanit si të përshtatshme për turizëm, nisur nga monumentet gjeonatyrore, duke përfshirë malet e larta, ujëvarat, kanionet e Flimit dhe të Urakës, deri te monumentet e kulturës, si kullat 100-vjeçare të zonës.
Selman Pasha së bashku me gruan e tij jeton në një kullë 300-vjeçare në fshatin Gjoçaj.
Asnjë prej 12 fëmijëve të tij nuk jeton me të dhe perspektiva e turizmit në zonë është e vetmja shpresë se ata do të kthehen një ditë.
“Me planet e qeverisë për të na marrë ujin për hidrocentrale, jo vetëm që kjo zonë nuk ka asnjë perspektivë për turizëm, por edhe ne do të detyrohemi të largohemi duke e lënë kullën dhe gjithçka tjetër të shkretë”, – thotë ai.
Prej disa vitesh tashmë ndërtimi i hidrocentraleve të vogla në rrjedhat e lumenjve po shkakton kundërshtim dhe alarm te banorët, të cilët përballen me humbjen e mjeteve të jetesës dhe detyrohen të shpërngulen nga zonat ku kanë jetuar historikisht.
Miratimi dhe ndërtimi masiv i këtyre hidrocentraleve nisi në fund të viteve 2000, por dhe me ardhjen në pushtet të qeverisë Rama në vitin 2013 licencat për ngritjen e tyre nuk u ndalën.
Në afro gjashtë vite kjo qeveri dha rreth 100 licenca hidrocentralesh të reja, në një kohë kur 60 prej tyre kanë qenë nën 2MW, të konsideruara të paleverdishme për prodhimin e energjisë krahasuar me koston e madhe që shkaktojnë në mjedis.
Në verën e vitit 2018 kryeministri Rama deklaroi se në Shqipëri nuk do të ndërtohen më hidrocentrale të vogla nën 2MW. Pak ditë më parë, gjatë prezantimit të projektit të hidrocentralit të Skavicës në kaskadën e lumit Drin, Rama përsëriti se HEC-et e vogla në vend kishin qenë një praktikë e dëmshme.
“Ato në shumë raste kanë funksionuar si shushunja që thithin pikërisht gjakun e organizmit të vendit duke lënë shpeshherë toka të tëra pa burimin e nevojshëm ujor, duke lënë shpeshherë komunitete pa mundësinë për të punuar tokën si rezultat i tharjes së burimit, duke bërë dëme të mëdha edhe nga pikëpamja e ekosistemit”, – theksoi ai.
Ajo që kryeministri harroi të theksonte është se këto shushunja janë duke kërcënuar aktualisht jetën dhe të ardhmen e banorëve të Matit dhe Mirditës dhe askush nuk po bën asgjë për ta ndalur këtë shkatërrim.
Box
Prodhimi i energjisë në vend:
Në tremujorin e parë të këtij viti prodhimi neto i energjisë në vend arriti vlerën 1.546 GWh. Pjesa më e madhe e këtij prodhimi, në masën 51,6%, erdhi nga hidrocentralet private dhe koncesionare dhe 48% nga hidrocentralet publike në vend. Vlen për t`u shënuar se vetëm 0.4% e energjisë në këtë tremujor u gjenerua nga burime të tjera alternative energjie.
Vetëm në fundin e muajit maj iu hap rruga ndërtimit të një parku fotovolatik në zonën e Karavastasë, një investim prej 100 milionë eurosh nga kompania franceze Voltalia me një kapacitet prodhimi prej 140 MW. Kjo nismë pritet t`i hapë rrugë diversifikimit të energjisë në vend.