Konflikti që përfundoi në mënyrë tragjike pas mesnate në kryeqytet nisi në një market. Pas mesnate në rrugën “Irfan Tomini” është qëlluar me armë zjarri dhe për pasojë edhe ka ndërruar jetë 29-vjeçari Jurgen Duka (Mëziri).
Dyshohet se viktima bashkë me shokun e tij, O. D. kanë hyrë në një market dhe pas një debati kanë nisur një konflikt me një person tjetër të pa identifikuar. Ky i fundit ka qëlluar me armë dhe nga plagët e marra ndërroi jetë tek Trauma Jurgen Duka.
Sipas policisë, nga verifikimet e kryera rezulton se viktima është person me precedent të mëparshëm kriminal.
Por Duka ka qënë pjesë e grupit që trafikonin kokainë dhe heroinë nga Amerika e Jugut dhe Evropa Veriore.
Ai u arrestua në vitin 2020 në kuadër të një operacioni anti-drogë mes Shqipërisë dhe Italisë ku u prangosën edhe disa persona të tjerë. Operacioni “Riviera” u iniciua nga Prokuroria Rajonale Antimafia në Bolonja, në bashkëpunim me Grupin e Operacioneve Speciale (ROS) të Karabinierisë në Bolonja. Grupi kriminal i trafikut përbëhej nga shqiptarë dhe italianë. Operacioni në Itali u zhvillua në Marche, Emilia Romagna, Lombardi dhe Liguri.
Mbetet e paqartë se si viktima u lirua nga qelia. Ndërkohë vijon puna nga autoritetet për të identifikuar dhe arrestuar autorin e rasjes.
g.kosovari