Aktori i madh shqiptar, Kadri Roshi, pak ditë më parë shënoi 10-vjetorin largimin nga kjo jetë.
Përvejtori i largimit të tij u kalua disi në heshtje, për shkak të vdekjes së shkrimtarit Dritëro Agolli.
Por gazeta “Shekulli” ka sjellë sot një rrëfim të pabotuar më parë, të aktorit të madh.
Gazeta shkruan se teksa i ndjeri aktor përgatiste së bashku me Petrit Rukën filmin dokumentar për jetën e tij, ka rrëfyar nga për origjinën e prindërve libohovitë, për nënën edhe babanë, deri tek fakti se vështirësitë ekonomike bënë që prindërit e tij të shkonin në Ballsh.
“Unë edhe kur flas, flas mallakastërioçe”, tregonte Roshi.
Regjisori Ruka kishte zgjedhur që personazh të vetëm në këtë dokumentar, të kishte vetëm atë, i cili gjatë një ore do të tregonte me imtësi çdo detaj të jetës së tij.
Edhe pse mbi shpinë mbante shumë vite, nuk e kishte harruar asnjëherë jetën e vështirë, që kishte kaluar në fëmijëri.
Nëna e kishte lënë dy vjeç, ndërsa babai në moshën 12-vjeçare.
Plaku i thinjur, përshkruante me detaje, natën e ftohtë, që u largua nga Ballshi për në Kavajë tek motra.
Punët e tij të para, si punëtor krahu 13 orë në ditë, që nga shkarkimi i dërrasave dhe shkarkimi i çimentos, do t’i kujtonte, si punët më të vështira që kishte bërë në jetën e tij.
Më vonë ditën e kapitullimit të Italisë fashiste, ai do t’i shpëtonte vdekjes.
Pas kësaj fati i tij i mirë, ishte shkruar që të vinte në Tiranë.
Ndërsa, puna e parë që do të bënte ishte pastrues në drejtorinë e BKT-së të sheshi “Avni Rustemi”.
“Të tre katet i laja brenda dy orësh i pastroja dhe i bëja edhe me naftë. Nuk ishte e vështirë, sepse isha mësuar me çimenton, që shkarkoja nga 13 orë në ditë”, rrëfente Roshi.
Takimi i tij me kinematografinë ka qenë te kinema “Republika”. Punonte si biletaprerës. “Ngandonjëherë i zoti i lokalit e shikonte se nuk e kisha mendjen te puna, që të grisja biletat. Ndërsa, gjatë intervalit që futeshin njerëz, unë isha i gozhduar pas filmit”.
Në pakun Rinia një ditë takoi mësuesin e tij të shkollës fillore nga Berati. Nuk e njohu. E përshëndeti. E pa dhe i tha: “Jam Kadri Roshi”.
Pasi e njohu e pyeti se me se merrej.
“Jam pa punë i thashë”.
“Pse nuk hyn në sallë të teatrit”, më tha.
“Nga të hy, si të hy, nga hyhet?”
Edhe kështu mësuesi i tij i fillores do të bëhej sebep, që Kadri Roshi të hynte në atë derë, të cilën do ta donte për tërë jetën.
Teksti i parë që mori në dorë, ishte i vështirë për të, aq i vështirë, saqë nuk e kuptoi dot as deri në fund të jetës së tij, kuptimin e tij të vërtetë.
Bëhet fjalë për “Hamletin” e Uilljam Shekspir.
Por, jo gjithçka kishte mbaruar këtu.
Ai nuk do ta kalonte provimin për të qenë pjesë e teatrit.
Por, lotëve të tij plot dënesë do t’u jepte një përgjigje pozitive, drejtori i Teatrit Kombëtar, Xhemal Mbroja.
Ai pasi e pa, vendosi që ta merrte që të angazhohej, si sufler.
“Mezi prisja që të sëmureshin aktorët dhe do t’i zëvendësoja unë. Isha më i sigurt nga të tërë. Por, doni ju që ata nuk sëmureshin”, tregonte Roshi.
Roli i tij i parë në skenë e Teatrit Popullor, që do t’i hapte të dyja dyert e teatrit për të ishte Osipi tek “Revizori” i Gogolit.
Pas këtij roli, atij i del e drejta e studimit në Zagreb të Kroacisë, si aktor.
Por, me prishjen e marrëdhënieve me ish-Jugosllavinë u transferua në Pragë të Çekisë, ku i gjendur përballë një komisioni, sebep apriori kësaj here, që të niste studimet e larta në këtë vend do të ishte origjina shqiptare e Aleksandër Moisut.
Kthimi në Shqipëri në vitin 1955 do të bënte, që ai të luante në skenë role të ndryshëm, ndërsa spektatori i pëlqente të gjitha ato, roli që e bindi atë vet se aktrimi ishte zgjedhja e vërtetë e jetës së tij, do të ishte sërish roli i Osipit nga Gogoli.
“Diplomën e parë ma dhanë pedagogët, por atë më të madhen të shoqëruar me dashuri dhe me ndjenja të pastra dhe fisnike ma dha spektatori”, rrëfen Roshi.
Pas suksesit të Kadri Roshit në interpretimin e rolit Arturo Ui në vitin 1974, u akuzua se kishte ngritur zërin gjatë interpretimit.
Në fund të shfaqjes u dënua, duke u dërguar të punonte, si punëtor në ofiçinën e automjeteve të ndërtimit, OAN.
Por, as pas këtij dënimi nuk ndali së punuari, edhe si aktor edhe si regjisor, duke ngritur një grup amator.
Shfaqja që do të vinte në skenë “Komisari Memo”, do të duartrokitej dhe brohoritej aq shumë nga spektatori, saqë dukej, sikur ata thoshin: “E duam në teatër Kadri Roshin”.
Por, nga se trembej Kadri Roshi? Ai u tremb vetëm nga pleqëria.
“Ajo që më shkatërron mua është pleqëria. Më ruajt qielli prej saj… Çfarë nuk bëj, që bota të mos e vërë re që unë jam plakur, sepse më vjen turp! Hidhem edhe përdridhem, që bota të mos e vërë re. Por, edhe sa kohë thua që do të zgjas kjo gjë…”, rrëfente mjeshtri për vetveten sa ishte gjallë./a.m.