Policia e Tiranës arrestoi ditën e sotme dy persona dhe shpalli në kërkim një tjetër, të cilët akuzohen se rrëmbyen dhe dhunuan një 32-vjeçar.
Sipas policisë, u vunë në pranga shtetasit Hysen Neza (33 vjeç) dhe Kevin Neza (25 vjeç), ndërsa Jurgen Neza, vëllai i Kevin Nezës u shpall në kërkim. Sipas burimeve hetimore, dy vëllezërit Neza dhe kushëriri i tyre, njihen si persona me precedent penal për vjedhje dhe konflikte të ndryshme, dhe gjithashtu dyshohet se janë përdorues të lëndëve narkotike. Ata kanë organizuar rrëmbimin pasi kishin kohë që monitoronin lëvizjet e 32-vjeçarit.
I rrëmbyeri, me mbiemrin Sula, biznesmen nga Divjaka, kishte vetëm rreth dy muaj që ishte kthyer në Shqipëri, pasi ndodhej jashtë vendit. Ditën e ngjarjes, ai ndodhej duke pirë kafe pranë zonës së ish-Parkut në Tiranë, kur tre autorët i janë afruar sapo është larguar nga lokali.
Ata i janë prezantuar si agjentë të BKH-së dhe e kanë detyruar të hipte në automjet. Njëri prej tyre mbante kapele dhe syze, ndërsa dy të tjerët ishin të maskuar me maska farmacie dhe syze për të fshehur identitetin.
Pas rrëmbimit, 32-vjeçari është dërguar në një ambient në zonën e Xhafzotajt, ku është mbajtur për disa orë. Gjatë gjithë natës, ai është dhunuar fizikisht dhe kërcënuar për t’i marrë një shumë të madhe parash.
Fillimisht, autorët i kanë kërkuar 2 milionë euro. Pasi ai ka kundërshtuar duke deklaruar se nuk dispononte një shumë të tillë, ata e kanë ulur kërkesën në 1 milion euro, e më pas në 500 mijë euro. Në fund, e kanë liruar në orët e mëngjesit me qëllim që të siguronte shumën e kërkuar.
Menjëherë pas lirimit, biznesmeni i është drejtuar policisë dhe ka kallëzuar ngjarjen, duke vënë në lëvizje strukturat e hetimit.
Gjatë operacionit “Hijet”, u sekuestruan disa automjete, telefona celularë, një shumë parash dhe sende të kundërligjshme.
Policia vijon punën për kapjen e personit të tretë dhe për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale.











