Të duhet të rrish orë, ditë, vite në këtë vend për të kuptuar në terren ringritjen e shpeshtë të popullit polak. I kanë thyer, mundur, nëpërkëmbur, luftuar, por polakët kanë kundërshtuar gjithnjë sipas mënyrës së tyre. Herë me urtësi, shpesh me kinse-bindje por më shpesh kanë marrë armët. Një vend i vërtetë mes Lindjes dhe Perëndimit, që i mësoi i pari ish-komunistët e Lindjes se sistemi ekonomiko-shoqëror i tyre nuk vlente për asgjë. Desidentët e këtij vendi s’kanë plagë, varre pafund, por kanë prodhuar ide. Masë idesh që u kanë shërbyer të gjithë kombeve dhe që të duhen vite, ditë e orë të tëra t’i shpjegosh…
Nga Warshawa, Ben Andoni
Jan Litynski vjen pakëz fare me vonesë. 70-vjeçari s’ka nevojë të prezantohet. E ka pak ndjesinë e legjendës urbane polake, sepse sapo më sheh të vetëm në restorantin italian, ma bën me dorë çlirët, sikur njihemi prej kohësh, duke thënë: Ja, erdha! Gjatë mungesës së tij, në Koszykowa në një mjedis të thjeshtë intim, i bëj shoqëri vetes, duke u munduar të gjej kuptimin e kompozimit në një foto të varur, ku një grup italianësh, shqyejnë me sy një bukuroshe, që u kalon përmidis. E kuptoj: është e vetmja pjesë Mesdheu në këtë ditë vere, që ndriçon këtu. Nxin qielli, kurse mjedisi është një Vjeshtë e tretë tiranase. Shiu që sapo ka filluar në Varshavë është argumenti i parë i bisedës me këshilltarin e presidentit Komorowski. Ky i fundit pak ditë më vonë do t’i lerë vendin dikujt tjetër. Po ju?! “Ti e di si janë këto punë. Do mbledh kartonat dhe marsh në shtëpi. Mosha!”. Qesh. Vitet e kanë rrudhur shumë desidentin e njohur dhe pas syzeve me skelet të trashë ngjan fare i vogël. “Po pata kohë do bëj një pushim të gjatë. Kam planifikuar të vij dhe në Shqipëri, më thotë…Vitin tjetër”! Ehh.
…
E gjithë skema e rezistencës polake anti-komuniste, kuptohet se shtrihet para se ai të futej në të. Por, s’ka më mirë se të kesh në rrëfim vetë Litynskin, një nga figurat polake më të njohura të antikomunizmit. E kam njohur vetëm nëpër foto. Me anglishten e vet jo të mirë por të kuptueshme, më tregon si organizoheshin. Ku mblidheshin! Kush i financonte? A ju qëllonin?-e pyes naivisht. “Jo-sepse nuk ka qenë si te ju”. Në fakt, di fare pak për Shqipërinë. Befas më tregon duke qeshur sesi një polak u arratis nga Kina dhe erdhi në Tiranë për të transmetuar nga Radio Tirana. “Nga shiu në breshër”, më thotë. Qeshim. Nuk merr poza dhe të liron në pyetje. Me pak fjalë e ashtuquajtura “Desidencë “ në regjimet komuniste të Evropës Lindore nuk mund të reduktohet vetëm me nocionin e thjeshtë të një “opozitë”, si përkufizim, por dhe më sjell ndërmend atë që kanë thënë disa mëndjehapur të Evropës Qendrore: ajo mund të konsiderohet si një përpjekje për të ndërtuar një “Polis paralel”, bazuar në përgjegjësinë e çdo qytetari me qëllim për të zënë hapësirat ku liria kulturore, sociale dhe njerëzore munden të shprehen. Karta 77-i them. Po, edhe ajo më thotë për lëvizjen mendore të desidentëve të Evropës Lindore. Fuqia jonë ishte se duhej të fitonim mbi frikën dhe përpiqeshim për të “jetuar të vërtetën” brenda një shoqërie të bazuar vetëm në gënjeshtrën. Pushojmë pak.
Polonia
Historia e pasluftës së Dytë Botërore në Poloni përfshin dominimin sovjetik dhe kjo të bën të kapesh me ngut e të gjesh paralele me Shqipërinë. Po zhgënjimi do ndjek zhgënjimin në bisedën tonë. Ajo, që të thotë desidenti s’ka asfare lidhje me ne, kuptohet përveç nocionit të ngritjes së socializmit dhe sukseseve të industrializimit dhe urbanizimit, që trumbetojnë komunistët. Bierut kishte kontroll të fortë në mbarë vendin, i cili do të mbetet pjesë e sferës sovjetike në Evropën Qendrore dhe Lindore. I ke dhënë lule,-i them. Qesh. Ka qenë fare i vogël. Si biçim pioneri. Dhe, rusët. Sa probleme krijuan! Më shpjegon konceptin rus të gjigandomanisë në qytet. Pallati i Kulturës, në mes të Varshavës, me atë zymtësinë e vet dhe i lënë pas dore është kujtimi më real i kësaj. Jam ngjitur dikur sipër. Gërmadha e Varshavës, njësoj si Piramida jonë, por ani ajo duket sërish më impozante.
Pas vdekjes së Stalinit në vitin 1953, BRSS duket se i lejoi polakët të ishin më liberal. Litynski është teorik për këtë periudhë sepse ka qenë fare i vogël. Vjen koha e Gomulkës, që ne e kemi hasur nga qesënditë e Enverit, në veprat e tij. Ai është liberal, por jo ekonomia e vendit, që nga mesi i viteve 1960, filloi vështirësitë. Dhjetë vjet më vonë, vjen koha e viteve ‘70, kur pati një rritje çmimesh të konsumit, që çoi në një valë grevash. Dhe, qeveria polake s’e zgjati shumë. Paraqiti një program të ri ekonomik të bazuar në huamarrjen në shkallë të gjerë nga Perëndimi, që si fillim bëri një rritje të standardit të jetesës, por që sërish nuk zgjati shumë. Po kushtetuta?-i them. “Ah, këtu ishte ndryshe, jo si tek ju. U bënë modifikime”. Në vitin 1976, qeveria e Eduard Gierek u detyrua të rrisë çmimet përsëri, dhe kjo çoi në një tjetër valë protestash publike. Rezistenca dhe desidentët ishin gjithnjë e më të fortë. Dhe, nuk pati represione. Po ky paska qenë i mirë!-i them. “Po ky ishte pozitiv. Dhe përndjekja s’ishte si te ju”, e përsërit. Ndërkohë, Litynski dhe shumë si ai, krijojnë të ashtuquajturën Trupën Walterowskiego. Studenti i Matematikës bëhet një nga pjesëmarrësit aktivë të fjalimeve të studentëve gjatë ngjarjeve të marsit. Dhe vjen dënimi. U dënua me 2.5 vjet burgim. Pas lirimit të hershëm në vitin 1969, punon si punëtor krahu dhe hap e mbyll organe shtypi, që bëhen në kushte anonimati. Po kush i financon? Në vitin 1976 bashkë-themeloi Buletinin “Kor”. Më vonë është një nga redaktorët e “Punëtori”, një revistë e pavarur që kërkon krijimin e sindikatave të lira. Ndërkohë vendi gëlon nga organe kulturore, që janë forma e desidencës dhe askush s’i ndalon. Kisha polake bën një akt madhor. “Po, ata e thyen për herë të parë realisht”, më thotë. I bënë një letër peshkopëve gjermanë dhe i falën gjermanët për atë që ata bënë gjatë luftës!!!
Lufta e tyre kulmoi me zgjedhjen e Karol Wojtyla në krye të papatit më 1978. Bashkatdhetari i tyre, që do njihet me emrin Papa Gjon Pali II, jo vetëm e forcoi Opozitën në sistemin ende autoritar dhe joefektiv të nomenklaturës, por kur erdhi në Poloni më 1979 i dha shkelmin e parë komunizmit. Atë që e kam dëgjuar në shkrimet për Valesën dhe pres ta dëgjoj direkt nga goja e tij pas dy ditësh. Në fillim të gushtit 1980, vala e rezistencës ka rezultuar në themelimin e Sindikatave të Pavarur “Solidariteti” (polonisht: Solidarnosc) e cila udhëhiqet nga elektricisti Leh Valesa.
Më pas
Fuqia në rritje dhe veprimtaria e opozitës shkaktoi që qeveria e Wojciech Jaruzelski të deklaronte gjendjen e jashtëzakonshme në dhjetor të vitit 1981. Këtu fillon dhe kalvari i Litynskit me shokë. Në natën në mes të 12 dhe 13 dhjetor të vitit 1981, gjatë grusht shtetit, udhëhequr nga gjenerali Jaruzelski, Lech Valesa u arrestua dhe internua. Njësoj dhe Litynski. Mundohen t’i degjenerojnë dhe t’i tallin. Askush prej tyre s’pranon ofiqe, kur u ofrohen. Burgosen, por askush nuk e braktis Poloninë edhe pse i kanë të gjithë kushtet për këtë. Valesa bën një akt më të madh. Në prill 1983, ai u kthye për të punuar në kantierin “Lenini”, atje ku e gjeti më 5 tetor lajmi se nderohej me Çmimin Nobel për Paqe. Dhe, qeveria kupton se ashtu si po rrëshqet nuk mund të bëj dot pa desidentët dhe të kundërtit. Kjo hap rrugën për bisedime dhe një moment, që përcolli në legalizimin e Solidarnosc. Për herë të parë polakët bëjnë zgjedhje të lira. Sa larg janë me ne!
Dhe, ishit të kënaqur?-e pyes Litinskin. “Si të mos ishim. Në vitin 1990, Jaruzelski dha dorëheqjen si President i Republikës së Polonisë dhe, pas zgjedhjeve të dhjetorit të vitit 1990, u pasua nga Valesa”. Më duket si desidencë qejfi. Ia shpreh. Më duket vetja pak cinik. “Po, por ne luftonim me ide. Prodhonim organe. Mbështeteshim nga vetë punëtorët dhe intelektualët si dhe nga jashtë. Të mendosh rroga atëherë ishte 30USD”…
Intermexo
Gjatë ditëve të qëndrimit më qëllon të flas me shumë njerëz. Polonia si ka shpëtuar dot ngjarjeve të sotme botërore. Ankohen për mjedisin, varësinë e importeve të gazit nga Rusia. Forcën e punës që po pakësohet (plakjes së shoqërisë) dhe papunësinë relativisht të lartë. E se mos vetëm kjo?! Kanë rënë eksportet në vendet e tjera të BE-së dhe këto duhet të kompensohen duke eksportuar më shumë në vendet në zhvillim. Këtu fillon një debat i gjatë me Małgorzata Bonikowska, një presidente e një Qendre të Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Po çfarë ju duhen gjithë ato ambasada që keni ngado, kur s’e bëjnë këtë punë? “Oh, pyetje e mirë. Por, këtë duhet ta kuptojnë burokratët tanë. Ne ende bëjmë diplomaci kortezie, -më thotë dhe pak mendojnë që sot diplomacia është zotësi të fusësh ekonominë”. Me gruan flasim për gjeopolitikë, por edhe për shumë e shumë gjëra. Shkalla e ulët e lindjes. Varfëria relative dhe Qeveria. Flasin shumë si kudo, qeveritarët tanë por s’bëjnë aq, më thotë. Dhe, biem dakord të dy për burokracinë. O Zot, sa shumë edhe këtu. Shkresa kudo, shumë nëpunës, shumë pak punë e vështirë. Ligje të komplikuara, shumë pengesa. Dhe, feja. Ajo na ka mbajtur, më thonë. Por gjatë ditëve kisha polake më përshfaqet me disa fytyra: nacionaliste, disa konservatore dhe tashmë dhe pak liberale…
Vështrimi në të shkuarën
E vallë, feja ju ndih? “Po na ka ndihur shumë”, më thotë Lytinski. Si e keni marrëdhënien me të shkuarën? “Më qartë…?” Lustracioni. Spiunët. “Ahhh”. Një pjesë kanë rënë në qetësi, por nuk kemi dënuar aq shumë. Kujtohem se duhet të takoj Profesor Antoni Dudek, autoritetin, që drejton Institutin Kombëtar Përkujtimor. “Ah, ai do të thotë shumë gjëra”, më thotë Lytinski. Por takimi me profesorin s’bëhet. Ka thyer këmbën. Gjatë ditëve të mia në Poloni, takimeve u ndodh gjithnjë diçka, që në fund më bëjnë të qesh me veten dhe fatin. Një zyrtar më i ulët më tregon piramidën e institucionit të përkujtimit. Sipas një ligji, i cili hyri në fuqi më 15 mars 2007, ky Institut është mandatuar për të kryer procedurat e lustrimit të parashikuara nga ligji polak. Megjithatë roli i tij të duket disi i paqartë. Zyrtari, që është shtrirë gati në kolltuk, flet e flet. Unë mbaj shënime. Por, janë në internet, i them një moment vetes. Iki…
Qendra historike e Varshavës
Dhe në netët polake, prehem aty. Nuk kam se çfarë të them për të. E ndjek zakonisht vonë, ku lëshohem i vetëm në disa kafe, që i njoh prej të shkuarës. Disa vajza më ftojnë shpesh në klube striptizmi. Dua të iki.
Pastaj qëndroj. Dua ajër Varshave, jo kinse-shalë etj. Është krejt rinor i gjithë mjedisi i Qytetit të Vjetër dhe aty përball moshën. Brezin. Pas kryengritjes së banorëve të Varshavës në gusht 1944, gjithçka u shkatërrua. Mu nga këto rrënoja, në mes të 1945 dhe 1966, vullneti i këtij kombi të pagojë solli në jetë përsëri New Warshaw, e cila 85% ishte e shkatërruar. Pikërisht, këtu ku ulem më së shpeshti. Sfida ishte që të bëhej rindërtimi i qendrës historike në mënyrë që ajo të ishte identike me origjinalin. “Na ndihmuan fotografët, piktorët dhe artistët”, më thotë krenare një guidë, që s’pushon, por që është shumë e sjellshme. Ndërtuan, sakaq Katedralen e Shën Gjonit, kishat e Zojës, Shën Gjinit dhe Trinisë së Shenjtë dhe pallatin e madh. Qyteti, pas tyre u mor me dy rrathët historike: Qytetin e shekullit të XIII me pjesën më të Vjetër dhe atë të shekullit XV, atë më ‘të riun’. Të dyja të ribëra nga hiçi më shekullin e XX. Prehem pak në kishën, ku koloneli gjerman që shpëtoi Shpilmanin, ruajti në Kishën e Kryqit të Shenjtë në një kolonë zemrën e Shopenit. Ah, për pak kujtoj sesi mësynë një ditë aziatikët dhe pa e respektuar fare prehjen e katolikëve drejtuan blicët në atë kolonë modeste. Mjaft!-i them një xhuxhi, që lëshon pasthirrma gëzimi…
..
Jan Litynski është i gëzuar dhe i prehur. Nuk e di nga vjen qetësia e disa njerëzve, por tek ai buron natyrshëm. Ai ka bërë vetëm 2.5 vjet burg, desidencë pafund dhe është themelues i disa mediave. Më vitin 1980, ishte këshilltar i autoriteteve të “Solidarnosc”, kurse në vitin 1981, kur ligji ushtarak hyri në fuqi u internua dhe është arrestuar. Kështu qëndroi i fshehur deri më vitin 1984, tashmë si një nga anëtarët kryesorë të Komitetit Rajonal Ekzekutiv të “Solidarnosc”.
Po tani? “Solidarnosc” ka humbur shumë. “Jeta ka ndryshuar, por ishte bukur”, më thotë duke qeshur. Shiu ka filluar ta ulë pak ritmin në Varshavë në këto ditë fillimi korriku. A ia ka vlejtur vallë? “Patjetër, më thotë. Hoqëm një të keqe, për të hapur një udhë, që është sërish e vështirë, por që nuk shtypemi edhe pa bërë asgjë. Çfarë bëhet në Shqipëri?”-më thotë. Ia kthej përgjigjen, por në kokë më vjen një batutë kombëtare, që njerëzit e thjeshtë i drejtoheshin udhëheqësit legjendar: Ç’thotë Evropi? Ai, ngrinte pak dhe fillonte shpjegimin. Atë që unë s’di si t’ia them këtij njeriu, që e ka çuar jetën në bodrume, me shaptilografë dhe vetëm duke sharë komunizmin. Kjo është në fakt desidenca polake. Një shtresë e nderuar, e një vendi, që Evropa i detyrohet shumë, por në dekadat e fundit, pikërisht edhe për faktin se ishte i pari, që na shporri komunizmin. Një erë e lehtë vjen nga Vistula. Jan Litynski tani ngutet. Bën një telefon për shoferin. Unë po ashtu, por për taksistin. Ndahemi, për t’u takuar sërish. Verë. Korrik 2015.