Edhe pse ishte trumpetuar prej një viti, edhe pse ligji u miratua në Kuvend në dhjetor dhe u dekretua më 6 janar nga Presidenti i Republikës, procesi për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme nuk ka nisur ende të zbatohet.
Shkak është bërë mosmiratimi i akteve nënligjore nga Ministria e Financave. Kjo situatë ka sjellë bllokimin e tregut imobiliar, pasi qytetarët, bizneset dhe profesionistët e tregut të pasurive të paluajtshme nuk po kryejnë veprime, në pritje të rivlerësimit të pronave.
“Ne kemi shumë klientë që duan të rivlerësojnë pronat, por pa aktet nënligjore nuk mund të ecim përpara. Tregu është ngrirë dhe kjo po krijon konfuzion si për shitësit, ashtu edhe për blerësit”, shprehet agjenti imobiliar Orgeste Beti.
Ky ngërç po krijon gjithashtu hapësirë për manovra informale në treg, me kontrata që vonohen apo marrëveshje që shtyhen në pritje të rregullave të reja.
“Çdo ditë vonesë i shton pasigurinë tregut. Disa po përpiqen të gjejnë rrugë alternative jashtë procedurave, gjë që rrit rrezikun e informalitetit”, tha agjenti imobiliar, Gjin Gjoka.
TV Klan ka kontaktuar Ministrinë e Financave për të marrë një përgjigje se kur do të jenë gati këto akte dhe pse ka vonesa, por deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar. Në këto kushte, rivlerësimi i pasurive vijon të mbetet një ligj në letër, funksional vetëm në teori, por jo në terren.
Ministria e Financave nuk sqaron as arsyen e vonesave në përgatitjen e akteve nënligjore, por burime nga ky dikaster thonë se ngërçi qëndron te mosmiratimi i çmimeve të reja të referencës.
Tv Klan











