Dështimi i Evropës ka edhe fytyrën e Kosovës
Nga Ben Andoni /
Nëse do ta gjykosh fytyrën e Evropës sot, mjafton të shikosh pak Kosovën, shtetin-fëmijë, që e ka menaxhuar ajo vetë. Dhe, pos kësaj, atë që i ka bërë nën drejtimin e saj. Ta fillosh me të fundit, Gjykatën Speciale, atributet e të cilës duhej t’i kryenin deri më tani strukturat e drejtësisë të UNMIK-ut dhe EULEX-it dhe ajo mori e madhe zyrtarësh që shkuan e vajtën duke mos lënë asgjë. Në median kosovare është raportuar se kur UNMIK-u u largua prej misionit, la pas vetes 250 mijë raste gjyqësore të pazgjidhura!! Ndërkohë zhurma e fundit për Gjykatën Speciale e kalon masën. Paradoksi është se serbët, që janë shkaku i kësaj tollovie, janë jashtë juridiksionit të kësaj gjykate, që është lavdëruar nga kryeministri de jure Mustafa. Por, në mos këto, duhej të ishte Gjykata e Hagës që duhej të kishte mbaruar punë tashmë me kosovarët kriminelë. Megjithatë, përpos zhurmnajës, dënimit të pamjaftë të shumë kriminelëve dhe zhdukjes së shumë dëshmitarëve, Haga ka qenë e paaftë të vërë gishtin në plagë.
Dhe, çfarë ka ndodhur, pos kësaj, nën sytë e ndërkombëtarëve: një mori zyrtarësh kosovarë, që ishin të varfër para luftës janë tashmë të pasuruar, kurse Kosova është katandisur në një vend të mjerë. Si dy pika uji me Shqipërinë, edhe prona e Kosovës u shit për asgjë. Llogaritet rreth 600 milionë Euro, aq sa mund të kushtojë privatizimi i një biznesi të zakonshëm në Serbi. UNMIK-u, me të cilën u lidh fillimisht fati i Kosovës, jo vetëm që s’drejtoi por edhe menaxhoi keq ndërmarrjet publike, që në logjikën e kapitalizmit duhej të drejtoheshin nga teknikë, por që u mbushën me kushërinj, miq dhe dashnore. Dhe, ideimi i privatizimit të ndërmarrjeve, që duhej të bëhej sipas logjikës së “tregut të lirë”, shkoi thjesht në favor të shfrytëzimit. Kosova vuajti problemet me energjinë prej kësaj logjike dhe telashet e telefonisë derisa arriti që shërbimi i Postë Telekomunikacionit të Kosovës ra disafish, si vlerë.
UNIMIK-u morr më shumë me dukje sesa me kriminelët e vërtetë, që njerëzit i kishin para syve, ashtu si i la të lirë hajnat e shumtë që e kanë mësyrë Kosovën pas mbarimit të luftës. Po se mos vetëm kjo: Po udha e Kombit, me një megaskandal, që e barazoi atë që ndodhi në Shqipëri. Dhe, dënimet kanë munguar krejt, sepse të huajt shpalosën jo thjesht moskuptimin e tyre, por edhe logjikën e mbrapshtë të përfitimit dhe mbi të gjitha kaosin e tyre burokratik.
Të mendosh se EULEX-i, që do mbushte gropën e UNMIK-ut, i ka lënë sot Kosovës plot 400 mijë raste të pazgjidhura në Gjykatë. Që nëse do kesh kohë e t’i numërosh me kujdes do të kuptosh se Evropa lëngatën e tregon edhe me rritjen që i bëri fëmijës së saj Kosovë.









