Një krim i rëndë ka ndodhur brenda familjes në fshatin Vidhishtë të Roskovecit mesditën e së martës.
Xhevahir Hoxha, 61 vjeç, pas një sherri që ka vijuar për një kohë të gjatë, ka masakruar me thikë bashkëjetuesen e djalit, Merushe Hazizin, 30 vjeçe dhe më pas në gjendje të rënduar psikologjike, i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur në një pemë prapa banesës.
Mësohet se fillimisht është gjetur i varur nga familjarët jashtë banesës së tij 61-vjeçari, ndërsa më pas, kur kanë hyrë brenda, ata kanë gjetur të pajetë edhe nusen e familjes, e cila kishte marrë plagë të rëndë me thikë.
Burime nga vendi i ngjarjes treguan se autori ka pasur grindje të vazhdueshme me 30-vjeçaren, pasi nuk pranonte që djali i tij të martohej me të. Kjo për arsyen se gruaja e re kishte qenë edhe më parë e martuar dhe, nga ajo martesë, kishte edhe tre fëmijë, të cilët jetonin me burrin e parë.
SHERRI
Konfliktet kanë arritur kulmin ditën e djeshme, kur vjehrri i ka kërkuar bashkëjetueses së djalit të tij që të largohet nga banesa, por ajo nuk ka pranuar të largohet, çka ka çuar deri në agravimin e situatës. Mësohet se e reja i ka thënë vjehrrit se ajo nuk dilte nga shtëpia pa ardhur burri i saj, duke i qartësuar se ajo ishte martuar me djalin e Xhevahirit, Fatjonin dhe se vjehrri nuk duhej të ndërhynte në punët e të rinjve.
Në çastin e sherrit të ditës së djeshme, mësohet se në banesë kanë qenë vetëm nusja dhe vjehrri dhe të dy kanë kundërshtuar njeri-tjetrin vazhdimisht dhe kanë bërë debat me zë të lartë, gjë që është dëgjuar edhe nga fqinjët.
DIVORCI
Mësohet se djali i Xhevairit, Fatjoni, tre vite më parë, për shkak të Merushes që humbi jetën gjatë ditës së djeshme, kishte ndarë bashkëshorten e tij, me të cilën ka një vajzë të mitur. Sherri në familje ka nisur pikërisht në këtë kohë kur Fatjoni kishte nisur të bashkëjetonte me Merushen.
Kjo zgjedhje e djalit nuk është miratuar nga Xhevair Hoxha dhe familja e tij. Ai i ka përzënë, duke u thënë se po qëndruan aty, do ta detyronin ta vriste Merushen, të cilën e akuzonte se i prishi familjen e djalit.
Kjo gjë i detyroi ata të shpërnguleshin nga fshati dhe të gjenin shtëpi në Fier, të cilën e morën me qira. Duke shpresuar se babait i kishte kaluar inati, ata u kthyen para një jave në shtëpi në fshat, por sherri nisi njësoj si ditën e parë. Një nga arsyet që dyshohet ta kenë çuar drejt këtij akti 61-vjecarin ka qenë edhe malli për mbesën e tij të mitur, të cilën e mori nusja e djalit.
SI E MORI VESH LAJMIN
Djali i 61-vjeçarit, Fatjoni, nuk ishte në banesë në momentin e ngjarjes së rëndë. Ai po punonte tokën me zetor dhe e ka marrë vesh shumë vonë ngjarjen.
Vetëm pak minuta pas krimit, forca të shumë Policie kanë mbërritur në vend dhe zona është rrethuar me shiritat e krimit. Në lagjen ku ndodhi krimi, gratë e afërme të familjes shpërthejnë në lot për këtë tragjedi të dyfishtë që ndodhi në familjen Hoxha.
Dëshmia e gruas: Burri kërcënoi me vrasje edhe vajzën
Gruaja e Xhevair Hoxhës shfaqet e qetë përpara gazetarëve teksa pastron në dyshemenë pellgjet e gjakut të bashkëjetueses së djalit të saj, e cila u vra me thikë brenda banesës nga 61-vjeçari. Edhe bashkëshortja e viktimës konfirmon faktin se burri i saj kishte paralajmëruar vazhdimisht se do të ndërmerrte krimin e rëndë.
“Nuk shkonte nusja me atë. Kur erdha unë, ai e kishte bërë atë punë. Ajo thoshte? ‘S’ke punë që të vish këtu, se janë shtëpitë e mia’. E acaronte shumë. As ajo s’e donte, as djali. Kishte një muaj që kishte ardhur pasi jetonin me qira në Fier. Kur ndodhi krimi, isha andej poshtë, kam një kuzhinë poshtë. Erdha deri te gjyma e rrugës, deri te dera dhe nuk kisha guxim të hyja brenda. E pashë atë shtrirë (nusen). Burrin tim e panë që po ecte me vrap nga toka. S’më tregoi fare çfarë kishte bërë. Më tha se do dilte nga toka, iku me vrap. Iku u var andej. Shkoi Policia dhe e gjeti. S’ma priste mendja se do ta bënte. E dija që ishte i egër, por s’ma mori mendja se do ta bënte këtë gjë. Kisha një çupë unë që iku me dashuri, ka 12 vite, dhe thoshte do e vras”, tha gruaja.
Ajo deklaroi gjithashtu se bashkëshorti i saj dhe djali kishin përfunduar edhe në Polici për shkak të konflikteve të vazhdueshme. Ndërkohë, motra e Xhevair Hoxhës tha se lidhja intime midis djalit të 61-vjeçarit dhe viktimës kishte nisur tri vite më parë dhe asnjëherë i moshuari nuk e kishte pranuar këtë bashkëjetesë edhe për faktin se gruaja kishte qenë e martuar më herët dhe se kishte tre fëmijë.
“Vëllai i madh më mori në telefon dhe më tha që Xhevahiri ka therur nusen e Fatjonit. Më solli djali te shtëpia e tyre, nuk e dija që vëllai kishte varur veten, më thanë që ka ikur nga shtëpia. Po bënte tre vjet që Fatjoni bashkëjetonte me atë, por vëllai thoshte nuk e dua, dua nusen e parë. Më mori Fatjoni në telefon para një jave dhe më tha se punët po shkojnë keq, nuk e di si do shkojë puna. Vëllai thoshte do t’i ther të dy, ishte kundër lidhjes së tyre. Kishin shumë konflikte, nipi me vëllanë kanë shkuar edhe në Polici. Nusja rrinte mbyllur në dhomë, nuk dilte dot se kishte frikë”, ka thënë ajo.
/b.h