Për 2 prillin 1991 është folur shumë gjithë këto vite, pasi jo vetëm nuk është vënë drejtësia në vend, por ende edhe sot e kësaj dite nuk dihet mirë rrethanat e ngjarjes ku u vranë 4 qytetarë. Ka shumë mister e dilema të pazbardhura në lidhje me rrethanat, por mbi të gjitha mbi autorët dhe urdhërdhënësit.
Shaqir Vukaj, ish-nënkryetar i Kuvendit, ish-ministër i Mbrojtjes dhe ish-ambasador i Shqipërisë në Moskë, ka publikuar së fundmi librin e tij “Nga gjakosja e Shkodrës (pranverë 1991) tek pergjakja e Shqipërisë (pranverë 1997)”, libër ku ai flet për ngjarje shumë të rëndësishme të historisë së Shqipërisë në 30 vite. Që nga 2 prilli 1991, ngjarjet e tmerrshme të vitit 1997, ku Shaqir Vukaj, si ministër i Mbrojtjes tregon si i shkatërrua ushtria, por dhe dokumenton në mënyrë preçize përpjekjet e çmendura të Sali Berishës për të bombarduar Vlorën dhe jugun e Shqipërisë.
Nga Shaqir Vukaj
(Vijon nga numri i kaluar)
Por ajo që tërheq vëmendjen ishte një fakt tepër interesant. Ato ditë kanë qarkulluar fjalë se kur turma iu afrua Radio Shkodrës, brenda turmës u dëgjua që dikush fliste serbo-kroatisht Njëri që ishte aty afër, i indinjuar kishte thënë se ç’donin këta të huaj midis tyre, për më tepër jugosllavë. Madje njëri prej tyre deshi t’i përzinte, por një tjetër, që dukej se i shoqëronte jugosllavët, të paktën i ruante nga mbrapa u tha “Mos i ngacmoni se për këta është në dijeni doktori”. Nuk u mor vesh cili doktor, ai i madhi në Tiranë, apo ai vogli në Shkodër, por këto fjalë kanë qarkulluar shumë kohë në Shkodër….
Bënte përshtypje fakti se në radhët e demonstruesve kishte fshatarë nga rrethinat e Shkodrës, madje edhe nga zonat e thella të Malësisë së Madhe dhe Dukagjini. Siç më ka thënë më vonë një zgjedhës nga zona ku isha deputet, ata kishin ardhur në Shkodër një ditë më përpara të thirrur nga Partia Demokratike……
Duke ndjekur nga dritarja e zyrës zhvillimet në sheshin midis dy komiteteve, pashë që disa persona nga turma kishin vënë përfund dhe po godisnin Sekretarin e Komitetit të Partisë, Xhorxh Grabova. Arrita të shoh se dy persona, me sa duket nga ata “me autoritet” arritën tua shkëpusnin nga duart atyre që po e godisnin, dhe me Xhorxhin në mes, u nisën drejt pallatit përbri Komitetit Ekzekutiv (pallatit të kinezëve si quhej në atë kohë). Një pjesë e turmës u vu në ndjekje, por ata arritën ta fusnin Xhorxhin në pallat nga ana e shkallëve që ishin në krah të Komitetit Ekzekutiv. Në atë moment dola në dritaren tjetër që ndodhej përballë shkallëve për të parë se ç’po bënin me të.
Duke parë turmën të irrituar, shkova te Kryetarja e Komiteti dhe i tregova ngjarjen me qëllim që të njoftonte policinë për ta nxjerrë Xhorxhin prej aty e për të shmangur ndonjë vrasje tjetër. Mbas njoftimit të saj, një skuadër policësh, doli nga krahu tjetër për të mbrojtur Xhorxhin. Në atë moment kam parë njerëz nga turma që filluan të qëllonin me pistoletë kundër policisë. Dy policë, nga ata që kishin ardhur për të mbrojtur Komitetin Ekzekutiv, që po ndiqnin situatën nga dritarja, kur panë që po qëllohej kundër shokëve të tyre, drejtuan automatikët drejt atyre që po qëllonin. Në moment u kam kapur automatikët dhe u kam bërtitur me sa forcë kisha që mos të qëllonin. Ata, të hutuar siç ishin, më panë dhe nuk u ndjenë, por ulën armët.
Dua të vë në dukje një fakt interesant. Sapo filloi grumbullimi para Komitetit të Partisë, zyrat e Komitetit Ekzekutiv filluan të boshatisen. Të parët ikën “trimat”, ata që deri dje nuk duroheshin nëpër mbledhje duke shitur trimëri e burrëri dhe nga ora 12 kishin mbetur shumë pak punonjës dhe ato dy gra burrnesha, Kryetarja Tereza Marubi, Sekretarja Esma Ulqinaku, n/Kryetari Lutfi Troshani dhe unë.
Siç më tha më vonë Esma Ulqinaku, persona të panjohur kishin kërcënuar që të largoheshim sepse kishin vënë mina nga të katër anët e Komitetit Ekzekutiv, por pavarësisht nga kërcënimet ne qëndruam deri vonë në darkë aty.
Rreth orës pesë mbas dreke, kur ndërtesa e Komitetit të Partisë vazhdonte të digjej, kam parë kamionë që ngarkoheshin me libra që nxirrnin nga Biblioteka e Shkodrës. Deri më sot nuk e kam marrë vesh kush ishin organizatorët dhe sa libra janë marrë atë ditë.
Mbas dreke shkova në shtëpi për pak minuta, për të parë fëmijët. Në rrugë nuk kishte këmbë njeriu. Shkodra i ngjante një qyteti të vdekur. Shkodranët ishin mbyllur në shtëpia dhe nuk dilte njeri në rrugë. Komiteti i Partisë vazhdonte të digjej. Kalova lirisht në sheshin midis dy komiteteve, aty ku pak orë më parë kërciste pushka e automatiku.
Mbas dreke vonë, erdhi në Shkodër grupi i xhirimit i RTSH. Në lajmet e darkës, u dha njoftimi për atë që kishte ndodhur në Shkodër, shoqëruar edhe me pamje, por vetëm pasojat, ndërtesa e Komitetit të Partisë që po digjej, dy autoblinda të djegura etj. Por kryesorja, në njoftimin e bërë nga Ministria e Brendshme, protestuesit quheshin vandalë dhe kryesorja gënjehej hapur kur thuhej se “Më përpara ishte djegur Komiteti i Partisë dhe më vonë ishin vrarë viktimat”.
Në darkë vonë bashkë me Lutfiun përcollëm në shtëpi Kryetaren dhe Sekretaren e Komitetit. Në atë periudhë ndiqja rregullisht lajmet e televizioneve të Titogradit (Podgoricës) dhe Beogradit. Atë natë në lajmet e këtyre dy televizioneve, ndër kryesoret ishin ngjarjet e asaj dite në Shkodër. Në lajmet e tyre, atë natë pashë të gjitha ato që kishin ndodhur atë ditë në Shkodër, që nga marshimi i nxënësve të shkollës “Jordan Misja”, grumbullimet para Komitetit të Partisë, turmën në rritje, përleshjet me policinë, skenat e djegies së Komitetit të Partisë, grumbullimet para Radio Shkodrës, grabitjet etj. Më bëri përshtypje të veçantë se nga i kishin marrë jugosllavët të gjitha ato skena ku pasqyrohej me hollësi gjithçka që kishte ndodhur atë ditë. Atë natë nuk e dija se një grup i RTV Jugosllav kishte qenë ato ditë në Shkodër…..
Më 2 prill u vranë Arben Broci, Bujar Bishanaku dhe Besnik Ceka, disa dhjetëra të tjerë u plagosën dhe të nesërmen ndërroi jetë Nazmi Kryeziu që kishte marrë një plagë të rëndë mbas shpine, duke e çuar numrin e të vrarëve në katër.
Më datën 3 prill u bë varrimi i tre të vrarëve. Dhjetëra mijëra vetë morën pjesë në ceremoninë e varrimit. Ishin hapur fjalë se mbas ceremonisë së varrimit turma do të drejtohej drejt ndërtesës së Komitetit Ekzekutiv për ta djegur edhe atë si ndërtesën përballë, si dhe do të sulmoheshin Dega e Punëve të Brendshme, Radio Shkodra etj.
Megjithëse ditë pune, shumica e punonjësve të Komitetit Ekzekutiv nuk ishin në punë, ato dy gra burrnesha, Kryetarja, Tereza Marubi dhe Sekretarja, Esma Ulqinaku qëndronin në krye të detyrës. Megjithëse kishte ndonjë polic si roje, dukej qartë se ata ishin të trembur dhe nëse do të kishte ndonjë tentativë për të sulmuar Komitetin Ekzekutiv, ata do të ishin të parët që do të iknin.
Megjithatë gjithçka shkoi pa probleme.
Mbas varrimit madhështor që rrallë e kishte parë Shkodra, turma u shpërnda qetësisht dhe nuk pati asnjë kërcënim ndaj Komitetit Ekzekutiv apo të tjerëve.
Sipas traditave të Shkodrës, të nesërmen e varrimit, në familjet e të vdekurve, shkojnë për ngushëllim mijëra njerëz. Për më tepër, në këtë rast. Kisha dëshirë të shkoja në tri familjet, por mendova se do të ishte mirë të shkoja me ndonjë deputet të Partisë Demokratike. Mendova se më i përshtatshmi ishte Bujar Golemi, me të cilin njiheshim prej shumë vitesh, kishim marrëdhënie të mira, të dy kishim qenë kryeinxhinierë ndërmarrjeje, kisha shoqëri me vëllain e tij etj. Pa shkuar në punë, rreth orës 6 e gjysmë të mëngjesit, mora në telefon Bujarin, tashmë i zgjedhur deputet i Partisë Demokratike. Mbas përshëndetjeve të zakonshme i thashë se dua të shkoj për ngushëllim, dhe se unë mund të shkoj vetëm në familjet e të vrarëve, për më tepër se dy prej këtyre familjeve i njihja, por dëshiroj të shkoj me ty si deputet i Partisë Demokratike. Si deputeti i vetëm i Partisë së Punës në qytetin e Shkodrës (dy deputetët e tjerë jetonin në Malësi të Madhe) doja të jepja mesazhe mirëkuptimi e bashkëpunimi. Bujari u shpreh i gatshëm, madje i pëlqeu propozimi im, kështu që lamë takim rreth orës 9 për të shkuar bashkë për ngushëllim në këto tri familje. Ndërmjet tjerave, më tha se fillimisht do të shkoj tek Partia Demokratike dhe mandej do të vi tek ti.
Erdhi mbas orës 9 dhe më tha se ishte vonuar sepse donin ta bisedonin këtë problem me qendrën, me dikë që ishte në krye të PD-së. Mu duk e pabesueshme, ata nga Tirana i kishin thënë që në asnjë mënyrë të mos shkonte bashkë me një deputet të Partisë së Punës. U çudita dhe njëkohësisht më lindën dyshime se përse drejtuesit e kësaj partie nuk duan mirëkuptim, nuk duan bashkëpunim, për më tepër në një rast si vdekja, siç është traditë në Shqipëri, që i bashkon njerëzit.
Gjatë bisedës, Bujari po me tregonte ngjarjen e datës 2 prill, siç e kishte përjetuar ai, ku kishte qenë, çfarë kishte bërë etj. Një ditë më parë kishte vdekur edhe Nazmi Kryeziu, i plagosur më 2 prill. (atë ditë në mëngjes në të gjitha shpalljet e përhapura nëpër qytet për vdekjen e tij, ishte shtuar me germa dore “Vrarë nga komunistët”). Bujari më tregoi me hollësi si ishte plagosur ai. Unë- vazhdoi Bujari- isha me Nazmiun brenda turmës, në sheshin midis dy komiteteve, në afërsi të gjimnazit “29 Nëntori”. Në një moment u dëgjuan krisma automatiku, dhe ne të frikësuar u nisëm me vrap drejt derës së gjimnazit. Megjithëse krismat e automatikut pushuan, në atë kohë u dëgjua një krismë e vetme dhe menjëherë mbas kësaj dikush bërtiti “më vranë”. Unë bashkë me një tjetër u lëshuam drejt tij dhe pamë Nazmiun, e morëm nga krahët dhe e futëm brenda në ndërtesën e gjimnazit. Ai kishte marrë vetëm një plumb nga mbrapa. Gjetëm mundësinë dhe menjëherë e nisëm me një makinë drejt spitalit, ashtu si shumë të tjerë që ishin plagosur atë ditë.
Bujari e theksoi se në atë moment u dëgjua vetëm një krismë, se nuk kishte qitje automatiku, madje krisma u dëgjua shumë mirë, çka linte të kuptohej se ishte bërë nga afër, nga turma dhe jo nga policia që ishte larg dhe jo brenda turmës. Madje policët ndodheshin larg prej aty, sepse në këtë kohë ata ishin mbledhur para ndërtesës së Komitetit të Partisë.
Dua të theksoj se asnjëherë më vonë nuk u fol për mënyrën e vrasjes së tij. Në Shkodër atëherë flitej se kishin kërcënuar këdo që do të dilte dëshmitar për mënyrën si u vra Nazmiu. Dhe jo vetëm ai, por as si u vra Arben Broci, për të cilin thuhej se ishte vrarë nga shumë afër. Fakti se nuk u lejua asnjëherë të bëhej autopsi linte vend për shumë dyshime….
Me Nazmiun jam njohur që herët. Ndërmjet tjerave, shumë vite më parë kemi qenë komshi me familjen e tij dhe në forma të ndryshme, ruanim marrëdhënie të mira familjare. Madje, kur shkova me grupin e deputetëve më 5 maj në shtëpinë e tij, babai dhe nëna e tij mu drejtuan si një njeriu të afërt dhe sa ndenjëm aty, babai i Nazmiut më mbajti afër vetes.
Me Nazmi Kryeziun kam pasur marrëdhënie mjaft të mira. Disa herë kisha ndenjur me të dhe me Din Zhegen për ndonjë gotë raki. Më ka mbetur në mend takimi i fundit me të. Pak ditë para mbylljes së fushatës, diku nga fundi i marsit e takova afër stadiumit, ku unë kisha shtëpinë në atë kohë. Mbasi u takuam më tregoi se kishte peshk në një çantë që e mbante pothuajse kudo me vete dhe më propozoi të shkonim diku për një gotë raki. i thashë se do të takohemi mbas zgjedhjeve që do mbaheshin më 31 mars. Ra dakord dhe më tha “po, se atëherë do të fillojnë me zanë edhe kubla” (një peshk që shkodranët e preferojnë shumë në atë periudhë) dhe u ndamë. Në ndarje shtova duke qeshur: “Ki kujdes, mos u merr me gjëra të këqija”. Ky ishte takimi i fundit me Nazmi Kryeziun.
Në Shkodër atëherë e më vonë ka pasur shumë njerëz, disa të besueshëm e aktivistë të PD-së, që thoshin me bindje se në ngjarjet e 2 prillit në Shkodër ka marrë pjesë dhe Azem Hajdari “heroi” i demokracisë, si organizator, madje përmendeshin edhe emra me kë ka bashkëpunuar, ku ka qëndruar një natë më parë etj.
Për pjesëmarrjen e Azemit në atë ngjarje kanë folur e shkruar edhe disa nga drejtuesit kryesorë të Partisë Demokratike të asaj kohe. Ja çfarë ka thënë Sali Berisha për të shumë vite më vonë:
“Deputeti Azem Hajdari, i përfolur nga shtypi dhe nga zërat e tjerë për probleme të vrasjeve në prag të zgjedhjeve të 22 marsit dhe 2 prillit, i futur në grevën e urisë i armatosur e, rast unikal në historinë e grevave të urisë, i braktisur nga të gjithë, i shtrydhur….”(Gazeta Rilindja Demokratike 18 gusht 1995).
Ngjarja e 2 prillit siç e kam thënë edhe më sipër ishte e inskenuar. Ajo ka qenë e mirëmenduar dhe e mirëllogaritur nga ustallarë. Humbja e Partisë Demokratike në shkallë vendi duhej kompensuar, duhej gjetur një pretekst për të larguar vëmendjen nga humbja, por kryesorja të gjendej një shkak për të akuzuar Partinë e Punës….Për këtë kërkohej gjak, madje të ndonjë aktivisti të dalluar të Partisë Demokratike. Vetëm me gjak mund të krijohej efekti që krijoi…
Si dëshmitar okular që kam parë shumë atë ditë, por edhe sa më kanë thënë pjesëmarrës në atë demonstratë, mes turmës ka pas disa njerëz të armatosur me bomba molotov apo armë të lehta, pistoleta etj. Sigurisht që për organizimin e asaj kasaphane kanë “futur duart” dhe të huaj, komshi apo të largët….
Kam qenë dhe jam i bindur se ajo është organizuar dhe drejtuar nga jashtë Shkodrës, ku ndonjë nga drejtuesit e PD-së Shkodrës ka qenë zbatues, madje tepër i zellshëm.
Vite më vonë, në vitin 1997 Neritan Ceka, një ndër themeluesit e Partisë Demokratike ka deklaruar: “Nuk ka asnjë dyshim që 2 prilli dhe vrasjet politike të ndodhura gjatë kohëve të fundit janë vepër direkt të provokatorëve të Sali Berishës”
Menaxhimi i situatës së krijuar nga drejtuesit e Partisë së Punës në atë kohë në Shkodër, ka qenë i gabuar, në radhë të parë politikisht. Ajo turmë, ku kishin përfshirë, madje vendosur në krye nxënës, nuk mund të përballohej me polici, për më tepër me një polici të papërgatitur, siç ishte policia jonë në atë kohë. Ajo situatë mund të përballohej vetëm me urtësi e gjakftohtësi, e sigurisht me trimëri e jo siç ndodhi që të gjithë Sekretarët e Partisë ikën, madje i pari iku Sekretari i Parë duke u kacavarur mureve rrethuese dhe asnjëri nuk mori guximin të dilte e të bisedonte që në fillim me nxënësit, pa ardhur turma e organizuar.
Por shumë keq u veprua edhe nga udhëheqja në Tiranë që u përpoq jo vetëm t’i minimizonte ato që kishin ndodhur në Shkodër, por edhe të shtrembëronte të vërtetën, duke u përpjekur të justifikonte vrasjet, që sipas komunikatës që u dha në RTSH atë natë: “Më parë është djegur Komiteti i Partisë e mandej janë vrarë njerëzit” çka nuk ishte e vërtetë. Kishte ndodhur e kundërta, më parë ishin vrarë e plagosur njerëz e mandej i ishte vënë zjarri ndërtesës së Komitetit të Partisë. Po ashtu të gjithë pjesëmarrësit e atij manifestimi u quajtën vagabondë e rrugaçë, ç’ka nuk ishte e vërtetë.
Tepër i dyshimtë ka qenë qëndrimi i organeve të drejtësisë, hetuesisë dhe prokurorisë. Për turpin e tyre, në kundërshtim me të gjitha ligjet e rregullat, ata erdhën në Shkodër dhe filluan punën mbas katër ditësh, kur të gjitha provat ishin zhdukur apo prishur. Ato mund të fillonin këqyrjen e vendit të ngjarjes që atë ditë mbas dreke, sepse organizatorët e “kishin kryer” misionin dhe rreth Komitetit të Partisë, që vazhdonte të digjej silleshin vetëm disa vagabondë e hajdutë ordinerë. Për më tepër që në atë kohë kishin ardhur forcat speciale nga Tirana që shumë mirë mund t’u krijonin mundësi hetuesve dhe prokurorëve të fillonin punën, sipas rregullave e detyrave të tyre.
Partia Demokratike u përpoq dhe deri diku ia arriti qëllimit që nëpërmjet deklaratave, shkrimeve, artikujve etj. jo vetëm të shtrembëronte shumë të vërteta, por arrinte deri aty sa të akuzonte drejtuesit e Komitetit të Partisë dhe të Degës së Punëve të Brendshme e të policisë si organizatorë të ngjarjes së 2 prillit. Madje deputeti i Partisë Demokratike, Rudolf Marku në një shkrim të botuar në Rilindja Demokratike akuzonte me emër njërin nga Sekretarët e Komitetit të Partisë si vrasësi i Bujar Bishanakut e që sipas autorit të shkrimit, ky sekretar nuk ishte as shqiptar.
Por ngjarja e 2 prillit nuk ia arriti plotësisht qëllimit. Do duhej një 2 prill tjetër dhe ndoshta mund të ishte data 17 qershor 1993, dita kur Fatos Nano do të shkonte në Shkodër si Kryetar i PS-së për një takim me anëtarë, aktivistë e mbështetës të PS-së, për të cilën do të shkruaj më poshtë.
Marrë nga Libri i Shaqir Vukaj: “Nga gjakosja e Shkodrës (pranverë 1991) tek pergjakja e Shqipërisë (pranverë 1997)”- Përgatiti për botim TemA