Preç Zogaj ka deklaruar më se njëherë që tashmë e gjen plotësisht veten në linjën e përcaktuar nga Lulzim Basha për drejtimin e opozitës, shkruan gazeta Dita.
Ai ka justifikuar protestat e opozitës si plotësisht të përligjura, edhe kur qeveria kishte vetem pak muaj ne pushtet.
Në përvjetorin e pestë të 21 janarit, Zogaj heshti.
Por ai është një nga dëshmitarët dhe i lidhur në 21 janar dhe më pas me familjen e një prej të vrarëve, Aleks Nikës.
Në librin “Në kërkim të zgjedhjeve të humbura” ai shkruan me detaje mbi 21 janarin.
Dita ka botuar pjesë nga ky libër që është një tjetër dëshmi se qëndrimet e personave publikë janë shpesh pasojë e piruetave politike, jo ajo që ndjejnë dhe dinë realisht:
***
“Në thellësi të korridorit pashë Spartakun që po vinte drejt meje i ndjekur nga një duzinë njerëzish. I vrullshëm si gjithnjë, por edhe i irrituar më tha se kishte folur jashtë para mediave. -Masakër, kjo është masakër. Duhet t’u ngremë moralin njerëzve. Berisha duhet të japë dorëheqjen!
Ishin pak a shumë termat e prononcimit që sapo kishte dhënë. Nuk ma tha atëbotë “skupin” për vrasjen e trembëdhjetë mijë vetëve, me të cilin do të spekulonin gjatë qeveria dhe mediat e saj. “Edhe trembëdhjetë mijë janë gati të vriten për t’i thënë stop këtij regjimi”, kishte thënë Spartaku kur kishte folur për tre të vrarët e asaj dite. Qeveria do të përpiqej ta trajtonte si plan dhe jo si deklaratë politike këtë shprehje. Por pa treguar se kush do t’i vriste këta trembëdhjetë mijët.
Një gazetar m’u afrua dhe më tha se mediat jashtë po më prisnin edhe mua për të folur. Isha në dilemë. Situata ishte kaq delikate. Spitali ushtarak me të vrarët dhe të plagosurit brenda ishte në vëmendjen e mbarë vendit atë mbrëmje, për të mos thënë edhe të diplomatëve dhe zyrtarëve ndërkombëtarë që merreshin me Shqipërinë. Ndërkohë që funksionet e mia politike në opozitë nuk ishin të asaj shkalle që t’i përgjigjeshin asaj pritjeje. Por përderisa mediat më kërkonin, kjo do të thoshte se kishte interes për fjalën time.
U konsultova edhe një herë me radiologun për plagën e Aleks Nikës, vajta dhe e pashë sërish në sallën e reanimacionit, bisedova me mjekë, takova motrat e tij dhe të afërt të tij, që kishin ardhur ndërkohë nga Lezha. Të gjithë ishin të tronditur, por tek kishin marrë vesh se kishte edhe të vrarë, kishin një arsye të falënderonin Zotin që të dashurit të tyre i rrihte ende zemra dhe t’i luteshin të njëjtit Zot t’i hapte sytë dhe ta kthente në jetë me zërin dhe buzëqeshjen që kishte pasur. Kishin shpresë, sepse vetëm shpresa i mbante të mos rrëzoheshin, sepse shpresën ia kishin detyrim Aleksit. Kur nuk të merr me të tjerët, vdekja ka menduar diçka tjetër, do të më thoshte nëna ime pak ditë më vonë për Aleksin. Me shpresë edhe ajo.
Unë dija prognozën e mjekëve dhe sesi më vinte. Fillova të mendoj se i kisha edhe unë një detyrim atij njeriu, që as jepte, as merrte, që nuk ishte as në këtë botë, as në botën tjetër, por diku në mes, hije këndej dhe hije andej, mashtrues i pafajshëm i dy pritjeve – i pritjes së të gjallëve këndej dhe i pritjes së të vrarëve andej. I kisha borxh një fjalë për plagosjen e tij, më saktë për vrasjen e tij, sepse nuk kishte shanse të përmendej e të ngrihej më. Fati e kishte ndaluar pak ditë në boshin e humnerës, si Dafi Dok-un e famshëm, por vazhdimi i këtij numri të fatit ishte rënia, jo kthimi. Nuk ka mrekulli aty ku duhet të ketë.
I kisha borxh një fjalë Aleksit, po i kisha edhe atij të mjerit tjetër, Hekuran Dedës, të cilin e kishin rrethuar me tuba në shtratin e lartë, në një si mizanskenë çmendurake: të luante të gjallin, duke qenë i vdekur. Ua kisha borxh edhe dy të vrarëve të tjerë, Ziverit dhe Faikut, emrat e të cilëve nuk i kisha mësuar akoma, por më kishin thënë se kufoma e të parit ndodhej në morg, ndërsa e të dytit po udhëtonte drejt vendlindjes në Fier. Mjeku që më kishte çuar te Hekuran Deda më kishte thënë para se të ndaheshim edhe një gjë tjetër: Të vrarët dhe të plagosurit nuk kishin shenja djegieje rreth plagëve. Pra, nuk ishin qëlluar nga shumë afër, siç kishte thënë drejtori politik i urgjencës dhe menjëherë pas tij edhe Kryeministri i vendit. Më troç akoma, nuk ishin qëlluar nga killer të maskuar si demonstrues, nuk ishin vrarë në pabesi nga forca politike që i kishte thirrur në demonstratë, por… por… ishin qëlluar nga një distancë e mesme, nga brenda rrethimit të Kryeministrisë; ishin qëlluar duke u marrë në shenjë, ishin qëlluar nga forcat mbrojtëse të Kryeministrisë, nga policia, garda apo civilët e armatosur atje, të cilët, në konfigurimin e masakrës në bulevard rezultonin të mos ishin forca mbrojtëse, por forca sulmuese, forca vrastare. Nuk kisha parë në atë moment asgjë nga filmimet live të vrasjes së Ziver Vezit dhe Hekuran Dedës, nuk kisha parë asnjë prej pamjeve që do të bënin xhiron e botës qysh atë mbrëmje, duke treguar një si Tien An Men në mes të Europës. Por kisha parë Aleksin në koma dhe Hekuranin të vdekur. Duhej të flisja për të nxjerrë në pah, në dritën e plagëve të tyre, të vërtetën. Atë të vërtetë që nuk njihte, nuk donte ta njihte ose donte ta transformonte kryeministri i vendit, Sali Berisha. Fati më kishte caktuar ta përgënjeshtroja që nga spitali ushtarak në një fushë për momentin të zbrazur nga personazhet e tjerë.
Nuk është e vërtetë se janë qëlluar nga afër. Aleks Nika ka një plagë snajperi në kokë. Nuk ishte nevoja të derdhej gjak. Ju e derdhët, demonstruesit vetëm e dhanë. Nuk ka asnjë zyrtar të shtetit në këtë ndërtesë që ngjan me një spital lufte. Ngrihuni, harroni për një çast se keni qenë ju që dhatë urdhër të qëllohej në turmë, me një gjest, me një shenjë a me një tik që ka lindur për të mos u kapur kurrë, në një fraksion sekonde që ka rënë tashmë në oqeanin e madh të kohës; harroni për një çast se keni qenë ju që keni vrarë në tronditje e sipër, në urrejtje e sipër, në marrëzi e sipër. Lëvizeni botën me fuqinë që kemi, për të shpëtuar të plagosurit, për të shpëtuar jetët që fati i ka lënë varur; shpëtoni shpirtin tuaj duke derdhur lot, nëse lot keni, në dërrasën e qivureve të atyre që na lanë.
Dhe kështu, pasi fola para kamerave që transmetonin live, kalova edhe njëherë, para se të largohesha, nga salla e reanimacionit ku ishte shtruar Aleks Nika. Dy-tre burra dhe një grua po rrinin në korridor. Dukeshin të mpirë e të prerë si të gjithë ata që presin lajme prapa dyerve të spitaleve.
-Pse na vratë, o Preç Zogaj? – m’u drejtua gruaja, me një ton midis dëshpërimit dhe kërkesës së llogarisë. Ndalova në vend i habitur. Nga theksi e kuptova menjëherë se ishte tropojane. Për një çast mendova se mos më kujtonte akoma deputet të PD-së. Takoja plot njerëz në Shqipëri që nuk shihnin më lajme dhe nuk kishin asnjë ide për lëvizjet e mia politike. M’u duk banale të sqarohesha me të në rrethanën ku ndodheshim.
E pyeta kë kishte të vrarë? Nuk m’u përgjigj menjëherë, ndërkohë që burrat që ishin me të e tërhoqën ngadalë nga vetja e tyre.
-Vëllanë kam! – tha sertë. Mbeta pa fjalë. Një infermiere që po na shikonte u afrua dhe më shpjegoi se bëhej fjalë për një polic të plagosur me mjete të forta, por që ishte jashtë rrezikut për jetën. Saora e kuptova si ishte puna. I thashë gruas “të shkuara vëllait”, e luta të qetësohej, sepse në atë spital kishte të vrarë të vërtetë, ndërkohë që djali i një mikut tim ishte plagosur për vdekje. Mirësjellja e acaroi me shumë.
“Vëllai im”, tha, “nuk ju ka pas asnjë borxh ty e Spartak Ngjelës që keni shku me Edi Ramën!”
Ishte pa kuptim t’i ktheja përgjigje. Përshëndeta instinktivisht me kokë dhe mora të largohesha. Shoqëruesit e mi të rastit dhe kushërinjtë e Aleks Nikës erdhën pas meje. Në të ikur, dëgjova gruan që lëshoi të fundit: “Dhe keni fytyrë të vini në spital”. Tani e kishte tepruar përnjimend, sado të madhe ta kishte dhimbjen. Njëri prej shoqëruesve të mi u kthye dhe tha: “Nuk vinë për ty, moj motër! Vinë për atë që ka marrë plumbin në ballë nga policët e Sali Berishës”. Nuk foli më njeri. Të afërmit e Aleksit më përcollën deri jashtë. U ktheva në qytet.
Ja, kjo ishte e gjitha. Motra e një polici të plagosur me gurë ishte legjitimisht e zemëruar atë mbrëmje. Aq dinte. Si gjithkujt, i dhimbsej para së gjithash vëllai i saj, i cili, për fat të mirë, ndryshe nga shoku i tij i pavijonit, Aleksi, do të shërohej shpejt e do të dilte shëndosh e mirë nga spitali. Më gjeti mua për të shkarkuar zemërimin e saj. Kaq.
Por “sistemi”, vetë gruaja, apo ndonjë prej burrave që ishin me të, kishin lajmëruar Kryeministrin për këtë episod pa rëndësi. Ngjarja, që nuk kishte ekzistuar deri në atë çast, fillon në momentin kur Berisha mori mesazhin. Ai hapi fjalën në media dhe kudo ku gjendeshin klakerët e tij se motra e të plagosurit Aleks Nika i kishte thënë Preç Zogajt “më vrave vëllanë, mos eja më këtu”. Në komunikimet e tij të shpeshta me mediat kapet fort pas këtij trillimi. Nganjëherë e zëvendëson emrin tim me emrin e Spartak Ngjelës. Nganjëherë nuk përmend asnjë emër, por flet në përgjithësi, “ua tha, po, po, ua tha ajo motra nga Lezha: më vratë.” Nuk ka dëshirë të më rëndojë shumë? Apo dëshiron të rëndojë më mirë dy se një, dhe më mirë të gjithë se dy?
Unë kam qenë në spital, kam parë të vrarë dhe të plagosur, kam takuar të afërmit e tyre, kam kaluar përmes zemërimit dhe zisë, kurse Sali Berisha, ngujuar në pallatet e tij, gjen kurajë dhe kohë, duke nënqeshur ndoshta me inxhinieringun e tij mediatik, të marrë ca fjalë këtu e t’i çojë atje, t’ia heqë nga goja motrës së policit të plagosur dhe t’i vendosë duke i ashpërsuar në gojën e motrës së të vrarit prej gardës tij dhe t’u shpifet kësisoj dy njerëzve që së paku kanë guxuar të shkelin në fushën e minuar të tragjedisë. Dhe, më e rënda, gjen kurajë dhe kohë t’i shpifet njërës prej katër motrave të Aleks Nikës, s’ka rëndësi, të parës, të dytës, të tretës apo të katërtës, që vetëm qajnë dhe vetëm luten për vëllanë dhe as që dinë fare ç’po bëhet e ç’po thuhet përtej asaj salle spitali ku luhet fati i jetës së Aleksit. I shpifet duke i vënë në gojë në formë të ekzagjeruar fjalët e një gruaje tjetër, fjalët e motrës së policit. I shpifet dikujt që nuk sheh lajme e nuk lexon gazeta, dikujt që nuk do ta marrë vesh se po shpifin për të. Por edhe po të qëllojë t’i thotë dikush se Kryeministri i vendit kështu e kështu, ajo vetëm do të dëgjojë me habi, e çuditur që bota vazhdon të jetë ajo që ka qenë, plot me llafe e fjalë, e pangeshme dhe e pafuqishme për të dalë nga vuajtja dhe shpresa e saj dhe për t’u marrë me gjëra që nuk kanë asnjë lidhje me fatin e Aleksit.
Edhe unë kam një pengim t’u kërkoj Nikajve të bëjnë një përgënjeshtrim. Ku halli i tyre e ku cicmicet e politikës. Madje, kam një mungesë dëshirë t’u përgjigjem papagajve të Berishës në studiot e televizioneve, kur një e dy më kujtojnë mua sesi ajo motra… “e kupton vetë ti…”
Megjithatë, Berisha nuk e ka lajthitje ngatërrimin e motrave. E ka politikë. Politikë nga halli.
Qëkurse janë vrarë e plagosur njerëz në bulevard, ai nuk bën gjë tjetër veçse mendon e vepron si të heqë përgjegjësinë nga vetja, si ta largojë fajin nga oborri i Kryeministrisë, si ta hedhë tutje si një zhapik në oborrin e opozitës dhe Presidentit të Republikës. Kjo shpjegon nxitimin e tij për të marrë e plasur në media si të mirëqenë, pa asnjë verifikim profesional, deklaratën e marrë, në mos të porositur, të drejtorit të urgjencës në spitalin ushtarak për vrasjen dhe plagosjen e demonstruesve nga afër, me pistoleta të vogla, duke e mbërthyer këtë gjoja lajm me forcë dhe me gëzim, siç mbërthen i urituri copën e bukës apo siç mbërthen vrapuesi i radhës stafetën që i dorëzon shoku për t’u nisur me vrull e për ta çuar më larg, në destinacion: Eureka! Ata i kanë vrarë vetë, me killer, nga brenda.
Një njeri që në ethen e përleshjes me përgjegjësitë sajon apo beson makabritete të tilla, nuk e ka për gjë fare të trillojë dhe besojë një gjë më të lehtë. Motra e një demonstruesi të plagosur për vdekje, që me demek i kërkon llogari dhe i jep munxët një përfaqësuesi të opozitës – kjo është një gjetje djallëzore. Është si një biçim fermenti që vlen për të ngjizur një ngrehinë të tërë mendore të atavizmave dhe prishamendjeve, një fabrikë të ngatërrimit të lëmshit në lidhje me vrasjet, që njerëzia të flasë pak ose mundësisht të mos flasë fare për ata që vranë, por për ata që i thirrën njerëzit në demonstratë. Këta janë shkaktarët e vrasjeve, këta dhe… vetë të vrarët. Ç’donin ata në Tiranë, ç’donin në bulevard, ç’donin në demonstratë? Pse nuk ndenjën në shtëpinë e tyre? E kanë thënë të parët: Ku vran e gjëmon, rri më mirë në shtëpi!
Ja, pra, për të mbrojtur Gardën që ka shkelur ligjin në mënyrë flagrante duke hapur zjarr në turmë dhe për të larë duart e veta si Ponc Pilati, Kryeministri ndien nevojën t’u drejtohet dangave të trashëgimisë, pjesëve të këqija të konstitucionit, atyre mbetjeve mendore që e kanë lënë prapa botës popullin shqiptar, atyre vetive e cilësive anakronike që kanë ngrënë nëpër dekada kokat e elitave intelektuale perëndimore; ndien nevojën t’i drejtohet konformizmit parapolitik, nënshtrimit pa kushte ndaj autoritetit shtetëror, servilizmit dhe frikës, ndjenjës së të qenit skllav dhe mizë para të mëdhenjve. Do më thoshte në Lezhë në një mort, disa javë më vonë, një kushëriri im, punëtor i madh, demokrat i flaktë, i pa shkollë te Zoti: “O kusho, keq na vjen që u vranë, por pse nuk u vrava unë? Nuk u vrava unë se shoh punën time.” Mendova: Me njerëz si ky bisedon Kryeministri i vendit kur i mëshon pajada “Ia tha motra: na e more vëllanë, mish për top na e more, ik tani”. Njerëzit përreth mu luten t’i ktheja kushos një përgjigje. “S’kam!”, u thashë. “Si nuk ke? Po të shihte gjithkush punën e tij siç thotë ky, s’do të bëhej demokracia”-u hodh njëri prej të pranishmëve. Kishte të drejtë, por kushos tim dhe sa e sa të tjerëve si ai nuk u hynte në tru kjo gjë. Ata nuk ndryshonin, nuk edukoheshin. Vetëm zëvendësoheshin.
Kam qenë në spital natën e tragjedisë, kam shkuar rregullisht në ditët në vijim për të ndjekur gjendjen e Aleksit, jam konsultuar me mjekët, motrat dhe të afërmit e tij për transferimin e tij jashtë shtetit, më kanë shikuar në dritë të syrit si njeriun e tyre, që mund t’i ngushëllojë, t’u japë shpresë dhe të lëvizë gjithë çfarë mund të lëvizet për të provuar shanset për Aleksin… E megjithatë, Berisha me të tijtë kanë vazhduar avazin si të mos jetojmë më në të njëjtin yll, në të njëjtën Shqipëri, në të njëjtin qytet, në të njëjtën kohë. Nuk është as për të qarë, as për të qeshur, por thjesht për t’u mbajtur shënim. Dhe për t’u mbajtur parasysh gjithashtu: për ta, ngjarjet nuk janë ato që ndodhim, por ato që mendojnë vetë. Njerëzit nuk janë aty ku janë, por atje ku ata duan të jenë. Për ditë me radhë Kryeministri i vendit dhe tabori i tij ngatërrojnë me dashje në artikulimet e tyre vendndodhjen e Edi Ramës gjatë demonstratës. E dinë mirë se nuk e ka kaluar dot urën e madhe të bulevardit, se është bllokuar atje nga gazi lotsjellës, disa media e kanë filmuar mes bashkëpunëtorëve të tij në hyrje të parkut “Rinia”, ku ka ndjekur vazhdimin e demonstratës. Apo nuk është i gjatë një kokë mbi gjithë të tjerët. E megjithatë, shefi i qeverisë dhe zëdhënësit e tij kanë vazhduar t’i atribuojnë një vendndodhje të paqenë, vendndodhjen që duan ata, kafenenë e Fidelit në katin e tretë të kullave binjake. U duhej atje për të plotësuar fiksionin e tyre të vendkomandës prej nga është dirigjuar grushti i shtetit!
***
Rreth orës 23.00 të asaj nate ishte transmetuar skena e vrasjes me automatik të Ziver Veizit nga shefi i shtabit të njësisë speciale, Agim Llupo, duke rrëzuar kësisoj pa fjalë dhe pa apelim variantin e vrasjes së demonstruesve nga njëri-tjetri dhe duke përcjellë, po ashtu pa fjalë, shtëpi më shtëpi, tmerrin e ekzekutimit me egërsi të një njeriu që po vështronte me habi, me duart në xhepa, që nga bulevardi, ndërtesën e Kryeministrisë. Të gjitha televizionet shqiptare i morën dhe i ritransmetuan menjëherë këto pamje.
Pas mesnate, i shokuar nga pamjet e ekzekutimit të Ziver Veizit, Edi Rama doli në një konferencë shtypi. E mendonte të kapur me presh në duar Kryeministrin, ndaj i bëri thirrje disa herë të dilte dhe të përballej me vrasjet e qytetarëve të pafajshëm. “Dil, Sali Berisha!”-kjo thirrje e përsëritur përcillte vetvetiu asosacionin e një bunkeri ku ishte mbyllur ai që duhej të dilte.
Berisha nuk do të dilte menjëherë atje ku e thërriste rivali i tij kryesor. Filmimet e vrasjeve e kishin gozhduar e vënë në pozitë të vështirë. Nuk mund ta mohonte më se efektivat e Gardës kishin hapur zjarr nga oborri i Kryeministrisë. Le të rridhte nata, le të prisnin sa të zbardhte dita akuzat dhe thirrjet ngadhënjimtare të Edi Ramës. Fundja, le të gëzohej i vetëm në ring për disa orë ky Edvini! Të nesërmen do t’ia kthente përgjigjen. Po mendonte t’i dërgonte publikisht një kërcënim për ta vrarë, nëse i afrohej më Kryeministrisë. “Vetëm ty, mor zotëri, asnjë tjetër”. E mendonte tjetrin të brishtë, timid. Duhej ta trembte, që të mos merrte guximin t’u afrohej më me turma kangjellave të Kryeministrisë. Por donte edhe të trimëronte mbështetësit e tij, strukturat e policisë dhe të gardës. Mbështetësit trimëroheshin duke folur me një gjuhë brigandi. Kështu kishte qenë dhe ishte akoma Shqipëria. Ai ia kishte zgjatur jetën kësaj Shqipërie dhe mund t’ia zgjaste përsëri për nevojat e pushtetit të tij.
Kishte kohë për të gjitha këto. Nata ishte akoma e gjatë, kishin dalë në skenë emergjenca të tjera.
Të tmerruar nga objektiviteti i pamëshirshëm i filmimeve, njerëzit e kupolës kryeministrore ose të Gardës vendosen të kopjojnë dhe të fshijnë nga serveri qendror i Kryeministrisë pamjet e filmuara nga dymbëdhjetë kamerat e saj të jashtme e të brendshme gjatë kohës së demonstratës. Sipas ekspertizës së mëvonshme të FBI-së, ky operacion kriminal do të fillonte pak pas mesnate dhe do të mbyllej rreth orës pesë të mëngjesit. I akuzuari i vetëm nga Prokuroria për ketë vepër penale do të ishte përgjegjësi i IT-së në Kryeministri, A. Kasaj, të cilin gjykata do ta shpallte të pafajshëm me argumentin se zyra e serverit kishte qenë nën mbikëqyrjen e Gardës dhe vetë i pandehuri kishte qenë në shtëpinë e tij gjatë orëve të operacionit.
****
*Nga libri i autorit “Në kërkim të zgjedhjeve të humbura”
DITA