Zbardhet dëshmia e ish-deputetit socialist Armando Prenga në seancën gjyqësore ditën e sotme në Gjykatën e Lartë, ku ndaj tij u vendos masa e sigurisë arrest me burg. Siç raporton gazeta Shekulli, i përfshirë në konfliktin me armë në Laç katër ditë më parë, Prenga beson se është shitur nga partia që përfaqëson.
“Kur të mbarojë gjyqi do ta lë mandatin e deputetit. Nga partia e parë ika, ndërsa nga e dyta më shitën”, mësohet të ketë thënë Prenga.
Prenga doli sot për herë të parë para togave të zeza për t’u njohur me masën e sigurisë, ku mësoi se duhet të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimeve.
Ish-deputeti i majtë akuzohet për tre vepra penale, plagosje, kanosje dhe armëmbajtje pa leje.









