Ilda Kërkapi, mbesa e ish-kryeprokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, është marrë e pandehur nga prokuroria e Tiranës, për akuzën e “Mashtrimit” më shumë se një herë. 25-veçarja, e cila rezulton të jetë mbesa e Llallës, ka shfrytëzuar postin e dajës së saj në funksionin e Prokurorit të Përgjithshëm, duke vënë në zbatim një skemë mashtrimi, ku personave të ndryshëm u ka marrë shuma të konsiderueshme euro nga 2000 deri në 3000 euro, me qëllim për t’i punësuar në funksione të ndryshme në administratën e Prokurorisë së Përgjithshme.
Vetë Ilda Kërkapi, prezantohej para njerëzve që piketonte për të mashtruar si punonjëse e Prokurorisë, njëherësh si mbesa e Adriatik Llallës, por edhe si vajza e një prokurori të Krimet e Rënda. Në fakt gjatë periudhës vjetore 2017-2018 e pandehura Ilda Kërkapi, ka shërbyer si praktikante pranë sektorit të Financës në Prokurorinë e Përgjithshme. Gjatë marrjes në pyetje Kërkapi ka pranuar se kishte mashtruar njerëz të ndryshëm duke i premtuar se do i fuste në punë, por nuk ka qenë në gjendje të kujtojë se sa persona ka mashtruar me këtë skemë.25-vjeçaria ka rrëfyer se gjithçka e ka kryer pasi ka pasur nevojë për lek, ndaj dhe ka mashtruar njerëz që ajo i njihte krejt rastësisht dhe u premtonte punësimin në Prokurorinë e Përgjithshme.
Shqiptarja.com zotëron të plotë dosjen e prokurorisë së Tiranës, ku qartësohet mekanizmi i skemës së mashtrimit që ka përdorur e pandehura Ilda Kërkapi. Deri në këtë fazë të hetimin, Kërkapi ka pranuar se ka mashtruar qytetaren Armira Baboçi, të cilës i ka marrë 3500 euro dhe shtetasin Blerti Osmani, të cilit i ka marrë plot 1750 euro, me qëllimin e vetëm për ta punësuar si recepsionist pranë Prokurorisë së Përgjithshme.
Në rrëfimin para oficerëve e dëmtuara, Armira Baboçi, ka deklaruar:”…Ilda Kërkapin e kam njohur rastësisht në parukerinë e lagjes. Prej aty kemi krijuar një marrëdhënie miqësore dhe herë pas here konsumonim ndonjë kafe pasdite. Më të flisnim për familjet tona dhe më ka treguar se vinte nga një familje e ngritur me babain prokuror pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe nënën mësuese në Vorë. Madje më ka pohuar se ishte mbesa e Adriatik Llallës dhe ky i fundit e ka ndihmuar për të filluar punë pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Ilda më ka treguar gjithashtu se ishte shtatzënë pa dijeninë e familjes, por shtatzënia s’po i shkonte mbarë dhe sipas mjekëve kishte nevojë për ekzaminim me qëllim për të ditur ecurinë se si do të veprohej më tej, nëse do ta vazhdonte shtatzëninë apo do e ndërpriste. Duke qenë se nuk fliste për këtë temë me familjen, më kërkoi ta ndihmoja me para, shuma të cilat më premtoi se do mi kthente sërish shumë shpejt. Në mirëbesim duke parë kushtet dhe rrethanat e saj, duke u konsultuar dhe këshilluar me anëtarët e familjes, vendosa t’i jap herën e parë 1500 euro. Disa ditë më pas më ka kërkuar sërish 2000 mijë euro dhe sërish kam pranuar t’ia jap, por me kushtin që të bënim një deklaratë noteriale tek noteria Margena Çela. Eurot ja kam dhënë në 21 janar 2020 dhe të dyja së bashku ramë dakord dhe shumën financiarë do ma kthente brenda 30 ditëve. Pas përfundimit të periudhës kohore jam përpjekur të komunikoj me Kërkapin por komunikimet tona kanë qenë shumë të pakta, ndërkohë takimet thuajse fare për shkak edhe të karantinës. Në disa biseda që kam pasur me të në telefon ajo më ka pohuar se për të shmangur kthimin e borxhit ose huasë, më ka ofruar mundësinë e punësimit në Prokurorinë e Përgjithshme. Por unë duke qenë se jam e punësuar, nuk pranova dhe dyshoja në vërtetësinë e fjalëve të saj. Unë ndihem e mashtruar nga mbesa e Adriatik Llallës dhe sot e kësaj dite nuk kam marrë asnjë shumë financiare nga Ilda Kërkapi…”.
Ndërkohë në një rrëfim tjetër të Blerti Osmanit, ky i fundit ka deklaruar në prokurori:“…Ilda Kërkapi ka shkruar në “Facebook” e motrës time, duke e uruar për lindjen e djalit, pasi njiheshin që në shkollën e mesme. Në bisedë e sipër Ilda i ka pohuar motrës time se punonte në Prokurorinë e Përgjithshme dhe se mund të ishin kolege nëse do ishte në Tiranë, se aty në prokurori kishte një vend pune, por për të filluar aty duhej të paguhej një shumë lekësh. Pasi mësoi se motra ime jetonte në Itali, u hodh ideja që në punë në Prokurori të Përgjithshme të filloja unë, por që duhet të plotësoheshin dy kushte. Duhet të jepeshin 250 euro për regjistrim dhe 2500 euro që do i merrte drejtori. Unë kam marrë numrin e kontaktit të Ildës dhe së bashku jemi takuar tek 9 katëshet dhe i kam thënë që do ti gjej 2500 euro dhe në datën 3 prill 2020 jam kam dhënë këtë shumë Ildës, tek zona e Maternitetit. Nga kjo datë deri në datën 14 prill nuk kemi pasur më kontakte. Në datën 14 prill i kam shkruar që nëse i ka regjistruar aty, ku i kam thënë nëse do filloja apo jo në datën 20 prill 2020. Atë ditë nuk më ka kthyer përgjigje por të nesërmen më ka thënë se e ka regjistruar, por kishte djalin pa qejf ndaj nuk i ishte përgjigjur. Ndërkohë në datën 23 prill Ilda më ka shkruar se duhet të paguaja dhe tarifën e regjistrimit prej 250 euro dhe se sipas saj mospagesa e kësaj shume, ka vonuar mbylljen si muhabet. Unë ia kam dhënë dhe shumën 250 euro tek kafe “Flora” dhe e kam pyetur nëse e ka mbaruar si muhabet dhe ajo më tha se e kishte përfunduar, ku të dy së bashku do takoheshin në datën 27 prill 2020. Mirëpo ditën e hënë të 27 prillit, Ilda ka filluar të thotë se ka djalin sëmurë dhe nuk mund të takoheshim duke më siguruar se dokumentet kishin shkuar dhe unë mund të filloja punë. Me këtë justifikim më ka shtyrë disa ditë derisa në datën 30 prill 2020, më ka thënë se kishte nxjerrë djalin nga spitali dhe se në datën 1 Maj 2020 do shkonin së bashku në prokurori. Por në datën 1 maj 2020 Ilda më ka dërguar një mesazh, ku më thoshte se i ka ndërruar jetë djali. Unë e kam telefonuar disa herë deri në 3 maj por ajo më pohoi se po shkonte në prokurori me motrën e vetë. E kam humbur tërësisht besimin dhe i kam kërkuar lekët e mia mbrapsht…”.
Me të njëjtën formë ka vepruar dhe me shtetasin Real Lule, të cilin mbesa e Adriatik Llallës, e ka pasur shok klase. Lule e dinte që Ilda Kërpaku kishte kryer praktikën në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në bisedë e sipër i ka pohuar nëse kishte vende bosh për OPGJ, Oficer të Policisë Gjyqësore. Këtij shtetasi, mbesa e Llallës i ka marrë 2300 euro me premtimin se do e punësonte si OPGJ pranë Prokurorisë së Përgjithshme,por një gjë e tillë nuk ndodhi kurrë.
Momentalisht Ilda Kërkapi është marrë e pandehur dhe pritet që në ditët në vijim çështja kundër saj të referohet për gjykim në gjykatën e Tiranës, për akuzën e “Mashtrimit” më shumë se njëherë.
/Shqiptarja.com