Deputeti “i rikthyer” në parlament, Tritan Shehu në një intervistë për “Gazetën Shqiptare” ka pohuar se pavarësisht pakënaqësive të disa individëve, Partia Demokratike është e hapur dhe ka vend për të gjithë. Sipas Shehut, “ministrat teknikë” e patën të pamundur të frenonin deformimin e votës më 25 qershor.
Z. deputet, së pari, më lejoni t’ju uroj për rikthimin tuaj në parlamentin shqiptar. Më lejoni të mësojmë diçka më shumë çfarë shkoi mirë për ju e keq për rezultatin e ulët të 25 qershorit?
– Së pari, ju falënderoj për urimet që më bëtë dhe dua ta nis këtë intervistë nga pika e dytë që ju thatë, domethënë që rezultati i 25 qershorit nuk ishte ai i pritshmi. Po, ishte rezultat larg pritshmërisë që mund të kishim, jo se nuk arritëm të jemi maxhorancë, por veçanërisht për numrat që dolën nga këto zgjedhje. E gjitha kjo që ka ndodhur, po na bën të mendojmë thellë për problemet e ndryshme. Unë mendoj se shkaqet lidhen me dy elementë: së pari, elemente që lidhen me PD, organizimin e saj, me strukturat e saj, me rolin e individit deri tek anë- tari i PD-së, si baza e motorit të saj, sepse kjo parti është bazuar tek individi i lirë, aktivist për të realizuar programet dhe idealet tona. Prandaj duhet të përqendrohemi në këto elemente të brendshme të partisë, që krahas forcimit të strukturave do të forcojnë rolin e anëtarit të saj, duke bërë përpjekje të zgjerohesh, të afrosh të tjerë dhe të jesh i pranishëm në të gjithë territorin e vendit
Elementi i dytë qëndron jashtë PD-së, me ato probleme që lidhen me deformimin e demokracisë në Shqipëri, probleme që çojnë ne deformimin e votës. Kjo ka të bëjë me disa elementë, e mbi të gjitha, me një ambient mbytës në këtë periudhë, autokratik, ku përveç tjerash sundon krimi, droga, korrupsioni me shuma dhjetëra milionëshe që qarkulluan për të blerë votën e individit, duke përfituar, pa dyshim, nga varfëria dhe nga një situatë e vështirë që po kalojnë qytetarët shqiptarë. Në këtë fushatë elektorale u duk qartë blerja e votës, deformimi i saj nga presioni, përdorimi si presion elektoral i drogës së kultivuar dhe akoma të fshehur nga fshatarët, që mbasi kanë u paguar haraçin njerëzve të shtetit, tashti terrorizohen nga ata. Patjetër ishte dhe një presion i madh mbi administratën, mbi qytetarët, duke krijuar një atmosferë mbytëse. Pra, analiza fillon nga vetë PD-ja me qellim ristrukturimin e saj, për të vazhduar me problemet e funksionimit të demokracisë në Shqipëri, gjë për të cilët pati edhe një raport të vlefshëm nga ministrat teknikë.
Ju filluat nga e ashtuquajtura “çadra e lirisë” me thirrjen: “Republike e Re”, me një entuziazëm të paparë. Pse ndodhi “shfryrja” e saj, çfarë çoi te marrëveshja jo e qartë Rama- Basha?
– Unë kam një perceptim të ndryshëm mbi këto elemente. Së pari, asnjë nuk duhet të fajësoj çadrën për rezultatin negativ tonin në zgjedhje. Çadra ishte një opsion, për mua, mjaft pozitive, ndihmuese, gjallëruese për PD dhe transparence. Ajo luajti një rol të rëndësishëm, duke bërë të qartë para opinionit publik shqiptar dhe atij ndërkombëtar gjendjen reale të Shqipërisë: drogën, sundimin e krimit, rrezikun e shit-blerjes së votës, përdorimin e administratës.
Çadra nuk i krijoi këto, i evidentoi. Së dyti, çadra theu terrin informativ që ekzistonte dhe kishte rrethuar PD-në. Pra, bëri që PDja të ngrejë këta probleme dhe t’i bëjë të njohura. Ajo arriti sukses, në masën më shumë se 70 për qind kërkesat iu realizuan, kjo tregon se problemet qëndronin. Por çadra nuk u kthye në atë që prisnim, ajo nuk u kthye në një lëvizje popullore për të sjellë përmbysje në Shqipëri, por ngeli në një simbol shumë pozitiv.
Ju thatë që çadra çoi në një marrëveshje. E vërtetë është! Kishte dy rrugë ose nuk arrihej marrëveshje dhe PD-ja nuk hynte në zgjedhje, gjë që kushdo e kupton se do të ishte një vetëvrasje, një izolim i thellë i PD-së edhe ndërkombëtar, ose do arrihej një marrëveshje sa më e favorshme kjo, ku nuk mund të fitohej çdo gjë Sa i përket rezultatit të marrëveshjes ka vend për diskutim se për shembull ata 6 apo 7 ministra me dinjitet, që tashmë kanë dhënë dorëheqjen, nuk mund të bllokonin të gjithë atë makinë, nuk mund të ndalonin revanshin e pushtetit për të deformuar votën, aq më shumë që u sabotua në zbatim nga Rama. Ajo marrëveshje ishte një përpjekje për t’u bërë pengesë ndaj revanshit të krimit dhe të autokracisë, pavarësisht sa e arriti qëllimin. Në të njëjtën linjë kjo marrëveshje synon të zgjidhi dhe disa probleme në të ardhmen, që lidhen me vazhdimin e luftës për dekriminalizimin e institucioneve e të parlamentit ku ka akoma persona të inkriminuar. Po kështu me reformën zgjedhore, me votimin elektronik, gjera që kërkojnë një dakordsi të gjerë. Mendoj se ajo marrëveshje nuk kishte ndonjë gjë të fshehtë, ajo marrëveshje nuk ka asnjë ‘shtrigë’ brenda saj. Më një fjalë ishte një marrëveshje e realizuar midis kryetarëve të dy forcave politike kryesore. Rëndësi sot ka fakti që PD do të bëjë një opozitë të fortë demokratike, në funksion të qytetarit, vlerave të integrimit.
Nga ana tjetër, kemi një grup figurash të pakënaqura të hierarkisë së PD, që bojkotoi edhe ri konfirmimin e kryetarit Basha. A mund të ketë një parti të re nga ky fraksion?
– Së pari, nuk dua të paragjykoj kolegët e mi për vendimet që mund të marrin. Por dua të theksoj se PD është një parti e hapur dhe aty të gjithë mund të shtrojnë problemet, brenda institucioneve të saj për të arritur pastaj në vendime të përbashkëta. Padyshim që unë kuptoj edhe anën emocionale që kanë shumë kolegë kur nuk janë në parlament dhe unë e kam provuar vetë këtë. Por duhet të dominojë vullneti dhe lënë hapësira për të bashkëpunuar në vazhdim të projektit tonë të përbashkët brenda PD-së. Unë mendoj se PD ka hapësira për të gjithë, edhe për qëndrime të ndryshme, sepse është një parti e qendrës së djathtë me nuanca brenda një programi të gjerë. Pra, pikësynimi kryesor është që jo vetëm të qëndrojmë kaq sa jemi, por dhe të afrojmë të tjerë. Kjo bëhet me përpjekje të përbashkëta brenda partisë, qëndrime etike reciproke, pavarësisht je apo nuk je në parlament. Jo domosdoshmërish qenia në parlament kushtëzon të bërit politikë.
Në të gjithë këtë kontest, z. deputet, si e shikoni gjendjen e Shqipërisë, e kam fjalën në aspektin ekonomik, social, të rendit, zjarret, mungesa e ujit?
Njerëzit duan të ikin si në ’90-ën. Shqipëria sot është në një ndër momentet më të vështira të saj të periudhës që nga ardhja e demokracisë. Vërtetë mund të ishim më të varfër në ’92, ’93, por kishte një besim dhe shpresë për të ardhmen. Fatkeqësisht në këto katër vjet të qeverisje së majtë ka humbur shpresa tek e ardhmja. Një nga simptomat e qarta janë qindra-mijëra azilantë që Shqipëria ka eksportuar tashmë në vendet evropiane, janë mbi 200.000 njerëz, të cilët kanë aplikuar për lotarinë amerikane. Pra, është një dëshirë e thellë e masive për të ikur. Në dy vjet e gjysmë Shqipërinë e kanë lënë mbi 400 mjekë. Kësisoj rrezikojmë të mbetemi pa burime njerëzore dhe intelektuale. E përgjegjësia është krejtësisht e qeverisjes, e cila nuk ka pasur projekte zhvillimi, ka shtuar varfërinë, dhe ka çuar në ekstrem arrogancën e pushtetit ndaj qytetarëve. Ju patë fushatën elektorale të Z. Ramaa foli për ekonominë, “shëndetësinë falas”, arsimin? Nuk tha asgjë. Përmendi vetëm simbole parahistorike: tepsinë e kazanin. Nuk ka tallje më të madhe se kjo! Nëse Shqipëria është kthyer në hambarin më të madh të drogës, dhe këtë nuk e them unë, nëse kriminaliteti është shtuar në këtë mënyrë galopante, patjetër përgjegjësia është e qeverisë, paaftë- sisë, e lidhjeve të forta të saj me botën e krimit. Edhe më parë ka pasur korrupsion, ka qenë i lartë dhe një prej shkaqeve të humbjes në 2013. Por sot kemi një fenomen akoma me të rrezikshëm – kemi institucione jo thjeshtë të korruptuara, por të kriminalizuara. Sot është krimi në parlament. Kjo gjendje kërkon një përgjigje të fortë të opozitës së bashku me qytetarët, që duhet të bëhen të ndërgjegjshëm për situatën që të reagojnë, e gjërat të ndryshojnë. Ndryshe do të shkojmë keq e mos më keq.
Shumë hamendësohet për riorganizim e skenës politike shqiptare. Flitet për koalicion PS-PD, koalicion të PD me LSI në opozitë. Ju lutem, ç’ mund të na thoni për alternativa?
– Kam folur edhe më parë mbi këto probleme. Të gjitha këto mjegullnaja kanë synim të njollosin PD-në, ta godasin dhe pastaj të kthehen në bateri topash kundër z. Basha. Ne kemi thënë qartësisht: PD-ja do të jetë në opozitë. Ajo do të bëjë një luftë të vërtetë opozitare, demokratike, programatike, të qartë, të ashpër, pikërisht për të shkuar te qytetari dhe për të dobësuar presionin e madh që është mbi qytetarin. Ky do të jetë raporti ynë me pushtetin, një raport i qartë opozitar, thellë- sisht demokratik, europian dhe perëndimor. Kjo do të ndihmojë edhe në rrugën drejt integrimit, e cila është e vetmja alternativë për këtë vend. Në opozitë do të jemi strumbullari i saj për dimensionet që kemi, për të drejtën morale, për rolin dhe forcën. Por qartësisht e them se ne duhet te jemi të hapur të bashkëpunojmë kur interesat e kërkojnë, kur programet dhe idetë përputhen me të gjithë ata, që duan të bëjnë luftë opozitare të vendosur ndaj këtij regjimi autokratik. Kam dëgjuar dhe është folur për koalicione opozitare si p.sh. me LSI. Këto janë ide së paku, irracionale (përveç atij parazgjedhor) dhe tingëllojnë më shumë si provokacione ndaj pozicionit të PD-së. Tjetër është bashkëpunimi opozitar.
Si e shikoni diplomacinë tonë në funksion të integrimit, marrëdhënieve me fqinjët e me gjerë?
– Së pari, dua të them se rruga e integrimit nuk është thjesht një element i politikës së jashtme, është një proces i zhvillimit demokratik të vendit, i zhvillimit ekonomik, social, luftës kundër krimit, korrupsionit etj. Këto janë faktorë determinues për integrimin tonë europian. Të gjithë e kemi të qartë se rruga e vetme për ne është ajo drejt Europës, që fatkeqësisht për mos funksionimin e elementeve të më- sipërme është bllokuar; ne nuk kemi plotësuar standardet. Këtu gabon politika e jashtme e z.Rama, që kërkon të hedhë fajin tek të tjerët. Jemi ne që duhet të plotësojmë standardet për të qenë pjesë e BE-së. Problemin nuk duhet ta gjejmë te BE, por te vetja, se jemi larg këtyre normave, ndërsa vende të rajonit janë më mirë e po na e kalojnë
Në lidhje me problemet e politikës së jashtme unë mendoj dhe gjykoj se ka pasur një konfuzion total në këtë periudhë, edhe duke dashur të krijohen disa “novitete” sikur bota fillon sot. Nuk është kështu. Diplomacia moderne shqiptare, së paku, ka filluar që nga lindja e demokracisë në Shqipëri. Kjo ka qenë stabël në aleancat e saj, në opsionet e saj strategjike, në pikat e referimit dhe të kërkosh sot të krijosh artificialisht ndryshime thelbësore sui generis është një absurditet që nuk i shërben vendit dhe rajonit. Pa dyshim që, ndërsa linjat jetësore të orientimit tonë europian, perëndimor, me ShBA, euroatlantike në teori janë të pa ndryshueshme, “lëkundjet” e tjera të shpeshta këto katër vite krijojnë konfuzion, pa besueshmëri, zbehin rolin tonë e ngadalësojnë edhe integrimin. P.sh. z. Rama erdhi në pushtet me idenë ‘zero probleme’ me fqinjët, absurde kjo. Sot problemet janë më të mëdha se kurrë me ata. U shkatërruan marrëdhëniet me Greqinë. Ato janë në nivelin më të keq, kur Greqia është një partner shumë i rëndë- sishëm strategjik i joni, anëtar i BE-së dhe NATO-s dhe një vend që na ka mbështetur fort në rrugën e integrimit e demokracisë. Marrëdhëniet me Maqedoninë janë në pika shumë të vështira, ku influencojnë edhe aventurizmat tona. Ndaj Kosovës luhet shpeshherë me një paternalizëm dëmtues, duke harruar që ne jemi dy vende sovrane, që u duhen politika e programe bashkëpunuese të ngushta.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe me tej, duke u tentuar të zëvendësohen disa pole solide tonat në marrëdhëniet ndërkombëtare e rajonale me pole të tjera artificiale në rajon, p.sh. duke kërkuar t’i jepen role më shumë se sa duhet vendeve si për shembull, Serbia. Padyshim me atë kemi pasur e duhen marrëdhënie normale, por deri në një farë niveli e të kondicionuara. Këto nuk duhen ngatërruar me disa barsoleta e batuta. Edhe marrëdhëniet me Italinë megjithëse fatmirësisht ngelin shumë të ngushta, praktikisht nuk janë në nivelet e duhura. Këto kërkohet të personalizohen e të kthehen në selfije. Pra, nuk kanë qenë në lartësinë e duhur, qoftë si marrëdhënie institucionale, ekonomike, në investime, në koordinim të hapave tona, të domosdoshme këto për ne në lidhje me Italinë, si porta jonë kryesore e integrimit, si aleati ynë strategjik, si avokati në Bruksel e me gjerë dhe si partner thelbësor për zhvillimin tonë në përgjithësi. Pra, mendoj se duhet të korrigjojmë marrëdhëniet tona të politikës së jashtme e rajonale edhe për t’u rikthyer në marrëdhënie mjaft të mira me fqinjët, për të zgjidhur problemet, këtu dua të nënvizoj ato me Greqinë, pikërisht për të rivendosur kështu rolin tonë shumë të rëndësishëm pozitiv, por tashmë të dobësuar në rajon. Kjo kërkon seriozitet, vizion e punë të organizuar edhe për të mos u përsëritur dështimi i Samitit të Triestes, ku ne nuk morëm asnjë projekt, asnjë program, asnjë qindarkë, ndërsa vendet e tjera të rajonit morën miliarda, sepse ata kishin shkuar më programe të studiuara e konkrete.