Deputeti i LDK-së, Shpejtim Bulliqi, ka thënë Kosovës nuk i duhet lufta ndërmjet krerëve shtetërorë se kush i ka meritat për dhënien e urdhrit për ndalimin e trenit ilegal të Serbisë në Kosovë.
“Javën që e lamë pas, e përmbyllëm me provokimin e radhës nga Serbia e cila me vetë dëshirë apo e shtyrë nga aleati tradicional i saj Rusia, kësaj radhe ‘invazionin’ kishte vendosur ta realizonte me ‘vozin rus’ të cilin e kishin ‘armatosur’ me mbishkrime ofenduese e provokuese ndaj Kosovës dhe qytetareve të saj. Fatmirësisht institucionet tona edhe pse me vonesë megjithatë reaguan duke zbatuar detyrat dhe obligimet që kanë sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, e kuptuan se pozita ka edhe përgjegjësi që kërkojnë veprime praktike jo vetëm deklarative”, ka shkruar Bulliqi.
Ai ka thënë se për aq sa është vërejtur në këtë aksion që u realizua me sukses nga organet e sigurisë e përkrahën të gjithë.
“Pra kishte koncensus nacional, sepse njerëzve ju ka ardhur në maje të hundës tolerimi dhe koncesionet e bëra ndaj Serbisë”.
“Ajo çka pamë pas vendosmërisë për të mos lejuar trenin ilegal, ishte ‘lufta’ ndërkosovare për meritokraci, jo dhashë urdhër unë jo dha ai, këto gjëra nuk na duhen sepse urdhrin dhe masat duhet ti ndërmarrin ata që e kanë obligim/përgjegjësi sipas postit që bartin, të gjithë në Kosovë duhet ta kuptojnë se nuk janë postet e larta institucionale vetëm për ti shfrytëzuar beneficionet (paga, makina, shoferi, udhëtimet jashtë vendi, mëditjet, hotelet etj), por për t’i kryer detyrat që e përcjellin atë post”, ka thënë më tej ai, përcjell Koha.net. (b.an)