Franca dhe Gjermania e kanë organizuar seancën e parë parlamentare me përfshirjen e deputetëve të të dyja vendeve si pjesë e zotimit të tyre për forcim të marrëdhënieve. Në këtë seancë parlamentare po marrin pjesë 50 deputetë nga secili shtet, ndërsa në këtë grup janë përfshirë pothuajse të gjitha partitë e Francës dhe Gjermanisë, varësisht nga numri i tyre në kuvendet kombëtare.
Planifikohet që seanca të tilla të përbashkëta në të ardhmen të mbahen rregullisht dy herë në vit. Ky vendim erdhi pas nënshkrimit të Traktatit të Aachenit, me të cilin synohet forcimi i bashkëpunimit mes Francës dhe Gjermanisë në Evropë.
Qëllimi i mbledhjeve të përbashkëta është zbatimi i këtij traktati dhe mbikëqyrja e çështjeve me interes të përbashkët, përfshirë politikën e jashtme, sigurinë dhe mbrojtjen.
Seanca e së hënës është më tepër ceremoniale dhe procedurale. Gjatë këtij takimi u nënshkrua marrëveshja dypalëshe nga dy kryetarët e kuvendeve, Wolfgang Schaube i Bundestagut Gjerman dhe Richard Ferrrand i Asamblesë Kombëtare të Francës.
Kryetari i kuvendit gjerman tha se ky organizim vë në pah zotimin e shteteve për të pasur bashkëpunim dypalësh në kontekstin evropian. “Gjermania dhe Franca kanë përgjegjësi të veçantë për Evropën”, shtoi ai.
Në anën tjetër, kryetari i kuvendit të Francës e publikoi një fotografi të kësaj seance, duke thënë që kjo është një ditë historike. “Nëse motori franko-gjerman nuk punon, e tërë Evropa do të ngadalësohet”, tha ai, shkruan “BBC”.
/a.meta