Nga Moikom Zeqo
Në vapën apokaliptike të Tiranës duket sikur gjithçka plogështohet, njeriu mezi merr frymë dhe mirëfilli shtjellohet një mërziti e jetës. Mund ta mbiquajmë Sezonin e Vapës, gati si një titull klishe të disa fazave të caktuara kohore, që janë të përsëritshme përherë. Ajo që të shtang dhe të trazon shpirtin është, se Sezona e Vapës, në Shqipëri konceptohet edhe si Sezona e Politikës.
Dhe politika përmbyt dhe zotëron gjithçka. Politika është gati një mitologji ekzistenciale e shqiptarëve. Zgjedhjet e përgjithshme politike përfunduan në 25 qershor të këtij viti. Qeveria që çoi në këto zgjedhje qe një Qeveri Trinitare, domethënë e PS, PD dhe LSI. Vetëkuptohet që zgjedhjet i fitoi PS. Kjo nuk çuditi askënd.
Jemi në mesin e gushtit dhe Qeveria Trinitare jo vetëm nuk është zhbërë por mbijeton dhe është jo vetëm konvencionalisht. Dekorativiteti i saj është ende funksional.
Vetëm në shtator do të arrihet tek qeveria e postzgjedhjeve, tashmë një qeveri e një partie të vetme. Por gati në harkun kohor të 100 ditëve të kësaj Qeverie Trinitare, përveç vapës ka ndodhur dhe një dukuri e tmerrshme: djegia masive e pyjeve. Janë qindra hektarë me dru pyjorë të djegur dhe të shkrumbuar, janë shkatërruar habitate jetike të kafshëve, shpendëve, duke krijuar kështu një mjedis të shkatërruar.
U pa në TV disa avionë që fluturonin, duke hedhur kimikate për shuarjen e zjarrit. Por çuditërisht këto avionë të kujtonin mizat e vetmuara të një sezoni të përshkruar ironikisht dhe me nota kafkiane të Migjenit para gati 80 vjetësh. Vërtet ka ikur gati një shekull, ndërsa moduli kohor i përshkrimit është gati tautologjik.
A mundet vallë të mendojë njeriu i qetë se në trysninë psikike të një ngulçi të ditës por dhe të natës, të mendohet vetëm për mizat, të cilat janë bërë stolia e vetme e qyteteve? Të luftojmë mizat! Ja një devizë grishëse. T’i vrasim mizat, të bëjmë një disifektim tërësor.
Dhe pikërisht një personazh me një emër të çuditshëm Hylli, ndoshta nuk ka asnjë ndryshim nga emri i rëndomtë Ylli, bën një meditim melankolik, por dhe monoton. Hyllit i kujtohet se mësuesi në shkollën e fillores u deklaroi nxënësve se kush mbyt një mizë në pranverë ka mbytur me mijëra miza që do të ishin pjellë nga ajo deri në verë.
Por mizat janë miza.
Hylli shikon si fluturon në tavan një mizë, ëndërron për origjinën e saj, për faktin se ka ardhur nga një zanafillë e kuptueshme, nga një tok plehu, aty afër dhe ndoshta nga plehu në oborrin e një vajze të bukur, që e ka shtëpinë pranë shtëpisë së Hyllit. Atëherë Hylli e shikon me simpati mizën.
Por miza është ambikuide. Një ndjesi kurioziteti nuk të çon asnjëherë në gëzim. Natyra pesimiste e djaloshit të ri revoltohet. Sepse arsyeton është me të vërtetë e tepërme kjo mizë në planin hyjnor, pra të krejt gjenezës biblike. Së paku për hatër të njeriut nervoz mos të krijohej miza. Por kush e dëgjon këtë arsyetim naiv?
Dhe Hylli e demozion arsyetimin e tij. Miza si miza, përzihet në punët e huaja. Nuk tutet. Nuk pyet. Si aeroplan vëzhgues fluturon mbi kafe. Dhe personazhi befas merr trajtat dhe artikulon zërin e një profeti shoqëror: “Po ku janë, xhanëm, kompetentët? Njerëzit, që marrin rroga për mizat ku janë? Deputetët çka bajnë?”
Kjo skicë mund të konsiderohet një element i kronologjisë, apo dhe i biografisë jetësore të Migjenit. Por i shpërthen kufijtë e ngushtë të personales, kapërcen në kohë dhe hapësirë.
Pse dreqin, shkrimtarit në një detyrë modeste, tejet modeste në Mbretërinë Shqiptare të Ahmet Zogut, domethënë me detyrën e mësuesit i kujtohet diçka politike, madje esencialisht dhe substancialisht politike, domethënë, po e përsëris, për të dalë tek deputetët. Dhe pse deputetët duhet të përgjigjen për mizat? Apo vërtetë deputetët përgjigjen për mizat? A kemi këtu një kapërcim logjik? Apo një trill të metaforës migjeniane?
E ç’ishin deputetët e kohës së Migjenit? Kush i kujton emrat e tyre? Shpresoj që as mbreti Zog nuk i dinte të gjithë emrat e deputetëve, madje nuk kishte asnjë interes të vërtetë dhe mbushamendës, të rëndësishëm dhe kuptimor për t’i ditur emrat e deputetëve.
Për shkak të zgjedhjeve politike në rrafshin kushtetues dhe juridik, deputetët janë përfaqësues të popullit, apo sipas shprehjes entuziaste të Zhak Zhak Rusoit janë përfaqësuesit e sovranitetit popullor, të konvertuar përkohësisht me mandate politikë.
Gjatë vapës frymëmbytëse dhe të tmerrshme të kësaj vere, asnjë nga deputetët e porsazgjedhur më 25 qershor nuk foli asnjë fjalë, jo thjesht për mizat, por nuk folën fare për zjarret dëmsjellëse dhe tragjikë që shkrumbuan vise të tëra shqiptare.
Cili nga deputetët dha diçka, kontribuoi, me një pjesë të pasurisë (dhe dihet që deputetët janë të gjithë të pasur, aq sa mund të thuhet se nëse je i varfër nuk mund të jesh deputet) për shuarjen e zjarreve, pra për ta bërë emergjencë kombëtare një apoteozë të solidaritetit njerëzor, një përndritje të vetëdijes kombëtare, një mrekulli të ëndërruar të qytetarisë, kaq kohë të plogësht dhe të rënë në një heshtje të frikshme.
Por ja që nuk ndodhi kështu.
Po pse nuk ndodhi xhanëm? Ku janë kompetentët? Ah, më duket se po përsëris fjalë të njohura. Por kjo nuk shpjegon asgjë. Kjo na komplikon më tepër. Kjo gjë na përvëlon nga brenda.
Pa vetëdije nuk mund të jemi dot shqiptarë. Nëse s’jemi tani, mundet të mos jemi dhe më vonë. Ndaj ajo që duket si një përsëritje e rëndomtë e një elementi kriticist të dramës shqiptare, nëse nuk kuptohet plotësisht, nuk mund të shndërrohet në një etikë të së ardhmes. Dhe nëse etika e së ardhmes nuk na bën për vete, normalisht në vend që të qytetërohemi, bëjmë të kundërtën.
Meqenëse mizat janë simbole të përjetshme, meqenëse vapa është ende larg që të zhduket, pra ende do të kemi vapë, do të jetë shumë mirë për të gjithë që të rilexojmë se çka shkruar Migjeni në skicën e tij ku një personazh ndoshta me një emër të shpikur nuk është gjë tjetër veçse edhe moduli i emrave tanë, ku e përgjithshmja është gjithmonë edhe e përveçme.
Dhe ja skica e Migjenit si më poshtë:
NË SEZONËN E MIZAVE
Tashmë është rritë, dhe nuk mundet, si dikur, me nga pas mizave nëpër shtëpi, që t’i mbysi, se kishin me thanë ka dalë mendsh. E kojshitë, kojshitë gojëkëqij mezi që presin me ia qitë bishtin ndokujt. Por kujtohet Hylli, si t’ishte sot, kur mësuesi, në tretën të fillores, u tha nxanësve s kush mbyt një mizë në pranverë, ka mbytë me mijëra miza ,që do t’ishin pjellë nga ajo deri në verë.
E kur nji nga nxansit ma i madhi pyeti a duhet me mbytë miza femen apo mashkull, mësuesi nuk di se si iu ngatërrue gjuha dhe mezi tha cilado qoftë duhej mbytë.
Asaj pranvere, mbas fjalve të mësuesit, gërsitshin tryezat, muret, arkat, kkarigat nga shuplakat e nxansve, të cilët me shtytjen e mësuesit u kishin shpallë luftën mizave. Ne nesrë në shkollë secili tregonte sa armiq ka mbytë, ne ç’mënyrë, me ç’armë.
E Hylli s’kish qenë as ma i miri, as ma i keqi ushtar nd’at luftë të mbytë mizën, por kish thye edhe gotën dhe për at arsye kishte qenë rrahun nga e ama.
Tash Hylli, shtri në një karrige të gjanë me një libër, po shikon kah tavani një mizë që fluturon, dhe mezi përmbahet nga dëshira me kërcye si dikur dhe me e mbytë.
Por shpejt, i çuditun nga vetja me kët mendim vëllavrasje, ngadalë qetsohet.
Ma miqësisht fillon të mendojë mbi mizën. I ep emin lajmtari i verës, edhe pse lajmtarin e pranverës ende s’e ka pamun. Pse tash ma s’e interesojnë ato gjana. Dallëndysha, punë andrrash!
Prej kah ka ardhë kjo mizë? Do të ketë ndoj pleh këtej afër. Dhe kujtohet si n’oborr të kojshies së bukur rastësisht ka pa plehin.
Domethanë, se miza qenka nga shtëpia e kojshies së bukur.
Filloi Hylli me simpati ta shikojë mizën. Nisi të admirojë në fluturimin e saj tërthuer nën tavan. Miza, plehi, kojshia e bukur në një mbasdreke pranverore tinglluen në një rapsodi – në rapsodin e jetës donë qytetare në një mbasdreke maji.
Por miza nuk mbeti në naltësinë e vet të zakonshme, por filloi të zbresi dalngadal ndër sferat ma t’ulta të dhomës. Hylli u frigsue mos t’i mbytet në kafe, që tash ia sollën.
I shkoi një rrënqethme neverie nëpër gurmaz, kur mendoi se me kafe mund të kapërdijë dhe mizën e mbytun. Natyra e tij pesimiste revoltohet.
Me të vërtetë, asht e tepërme kjo mizë në planin hyjnuer, – mendonte.
Shegertat pa punë dhe nxansit nëpër shtëpia kishin gjetë ndoj punë tjetër, po mos t’ishin këto miza.
Por si tha Shopenhaueri gëzimi asht vetë pushimi i shuar i dhimbjes, e cila shpejt do të vazhdojë.
S’paku, për hatër të njeriut nervoz mos t’u krijonte miza.
Se sa e sa miza tjera ka jeta e njeriut! edhe çfarë mizash! Si ato të kalit, të cilat, kur të ngjiten, s’të hiqen pa paravesh (ma mirë me thanë mbrapavesh).
Miza si miza, përzihet në punët e huaja dhe don ta bajt të vetën. Si aeroplan vëzhgues, fluturonte mbi kafe.
Po ku janë, xhanëm, kompetentët? Njerëzit që marrin rroga për miza ku janë? Deputetët çka bajnë?
Miza u banë stolia e vetme e qyteteve tona! I Hueji me të vërtet ka çka të shofi… dhe kështu, në mendim e sipër, Hylli bahej nervoz pa dashje, ban një lëvizje të shpejtë dore kah miza, e çel grushtin, por s’e kish xanë; edhe një herë fap…
Kur qe në derë të dhomës, ia bef dikur shok lufte me miza e sot kolegu universitar.
– Çka po ban, Hyll? Po xen miza-a?
– Asgja… Veç po mendoj se sa kot po jetojmë,- u përgjegj Hylli si gjithmonë.
*****
Migjeni citon një shprehje të Shopenhauerit. Nuk është hera e parë dhe e fundit që e bën një gjë të tillë. Në një tjetër shkrim të Migjenit, konkretisht një letër dërguar mikut të tij Teufik Gjylit, Migjeni përsëri përplaset por dhe artikulon emrin e Shopenhauerit.
Konkretisht Migjeni shprehet se ka mendime të idhëta që e therin ndër ndjenja dhe e pezmatojnë, por ai shënon:
“Do t’u thuesh, T, se jam pesimist i pashërueshëm, se më ka tërheq Shopenhaueri me stilin e vet të bukur… Jo! – Admiroj stilin e Shopenhauerit, por ndjenjat dhe mendimet e tij, për veten teme janë vetëm fusha ku lexuesi mundet me shijue gjithë atë bukuri stili, pra, nuk jam Shopenhauerist – pesimist nuk jam, se besoj në një fuqi të njeriut, besoj në Mbinjeriun! (tue mendue kështu, në vesh më tingëllojnë fjalët e dikujt: “Besimi yt të shpëtoi!”). po pate dhe ti këso mendimesh, po të rekomandoj kët besim, ma modern dhe ma të përshtatshëm të kohës së soçme – besimin në Mbinjeriun!… Pse nuk jam një Pontefiks Maximus, një Papë, ose një Patrik, të hudhi mallkimin e plotë, t’ anatemizoj sëmundjen epidemike bashkë me shkaktarin e saj?… Përqark, natyra me gjelbërim, më ngjan si një konketë e bordellit, e veshun në një dekolte pikante. Liqeni me përralla të marrë të “Njëmijë e një natës”, malet me një heshtje qesharake, e mbi këto dielli i vjetër, dielli i njëmijë, pesëmijë, dhjetëmijë, e kush di sa vjet mot?… Përqrk, natyra me gjelbërim, më ngjan si një koketë e bordellit, e veshun në një dekolte pikante. Liqeni me përralla të marrë të “Njëmijë e një natës”, malet me një heshtje qesharake, e mbi këto dielli i vjetër, dielli i njëmijë, pesëmijë, dhjetëmijë, e kush di sa vjet motçëm. Jo, jo, diell, nuk pajtohem me ty, nuk pajtohem me të qeshurin tand ironik që ta ka ndy fytyrën! T, e vetmja dëshirë që ushqej tashti, asht dëshira me ju ngërdhesh, me iu dëftue gjuhën këtij dielli, që aq indiferent perëndon prapa maleve.”
Po pse Migjeni e përcjell emrin e Shopenhauerit? Ai padyshim që e ka lexuar Shopenhauerin. Siç ka lexuar dhe Niçen. Midis pesimizmit të Shopenhauerit Migjeni parapëlqen besimin për të ndryshuar, atë që Niçja e quante ripërtëritjen e kohërave. Migjeni mbase poetikisht e kupton idenë e Mbinjeriut.
Ai ka bërë dhe një poezi, që e mbiquan si Dithirambë Niçeane, pikërisht për Mbinjeriun. Por duke qenë i ndërgjegjshëm se tekstet e tij një ditë do të gjykohen nga lexuesit e së ardhmes, Migjeni nuk ngurron të thotë se nuk është ithtar i Shopenhauerit.
Të admirosh stilin e një filozofi nuk do të thotë se identifikohesh me filozofinë e tij. Kjo është mjaft e qartë.
Shopenhaueri (1788-1860) është një filozof i shquar, midis Kantit dhe Hegelit, jo jashtë traditës akademike, ka kulturë të gjerë dhe është shumë i interesuar në art dhe në epikë. Ai është i çliruar në mënyrë jo të zakontë prej nacionalizmit gjerman, dhe është shumë familjar me shkrimtarët anglezë dhe francezë, por dhe të vendit të tij.
Apeli i tij ka qenë gjithmonë më pak për filozofët profesionistë, sesa për artistët dhe letrarët në kërkim të një filozofie që ata do të mund të besonin. Sipas Bertrand Rasellit, Shopenhaueri thekson Vullnetin që është karakteristik për shumicën e filozofisë të shekullit XIX dhe XX, për Shopenhauerin Vullneti ndonëse metafizikisht thelbësor, është i keq në pikëpamje etike, pra një opozitë e mundshme vetëm për një njeri pesimist dhe skeptik.
Shopenhaueri njeh vetëm tre burime të filozofisë, Kantin (që u përpoq më kot ta imitonte), Platonin dhe Upanishadat, ndërsa e ironizon krishterimin. Ishte stilist i madh por gjykimi i tij qe më shumë kulturor dhe letrar sidomos në vitet 30 të shekullit XX.
Migjeni është në sferën e këtij ndikimi, por vetëkuptohet e klasifikon vetveten më tepër si niçean. I pakënaqur nga historia e njerëzimit Migjeni mendon se zgjidhja krijimin e Mbinjeriut në kohërat e sotme të postmodernizmit krijimi i Mbinjeriut është si krijimi i Mutantëve, ose Robotëve Kibernetikë, të një Universi Cyberian, që na paraqitet shpesh në filmat e Hollivudit.
Kjo përfaqëson në të vërtetë krizën e zgjidhjes historike, më tepër flet për një utopi, se sa një mundësi të brendshme dhe të shëndetshme të vetë historisë. Por më saktë Migjeni duhet klasifikuar jo aq nga vetvetja e tij.
Teksti i tij i jashtëzakonshëm “Novelë mbi krizë”, Migjeni përfytyron Shtetin X, ku njerëzit e kanë zgjidhur çështjen e papunësisë dhe zhdukjen e krizave vetëm sipas një utopie ,që njerëzit duke mos bërë asnjë punë, vetëm duke shijuar bukurinë e skulpturave që pasqyrojnë dashurinë gjithë botës dhe universit, pra të një varianti tjetër optimistik në raport me raportin e llahtarshëm të Oruellit që sot është më efikas me simbolin e zymtë të Big Brother.
Ideja e Niçes se vetëm bukuria e artit do të jetë shpëtimi i botës në fakt ironizohet dhe hidhet poshtë nga Migjeni nëpërmjet skicës së tij gjeniale. Nëse kalojmë natyrshëm, të futur brenda kallëpit të kohës sonë, tek problemet morale dhe politike të ditës, të gjithë ne kush në thelb dhe kush në sipërfaqe, mund të kuptojmë se tharmi tragjik i ekzistencës sonë nuk i takon vetëm politikës, politika është një aktrim.
Prandaj të tëra meditimet për një Disiplinë të Re, atë të Mizalogjisë, do të kishin një rrethanë të dobishme, do të ishin ftesa të çuditshme dhe të befta të emancipimit tonë historik dhe të së ardhmes. /Gazeta DITA/