Ndërsa të gjitha ministritë po punojnë për të vendosur se cilët janë sektorët qe njësite vendore do te marrin nen administrim, Ministria e Zhvillimit Urban po vijon takimet dhe konsultimet me përfaqësues të pushtetit vendor lidhur me problematikat kryesore të menaxhimit të mbetjeve.
Sektori i Mbetjeve të Ngurta në MZHU në bashkëpunim me Qendren Rajonale të Mjedisit (REC) ka vijuar edhe gjatë gushtit vizitat në terren për evidentimin e venddepozitimeve të mbetjeve urbane.
Përfaqësues të MZHU-t theksojnë se përveç çështjeve që lidhen me problematikat kryesore të menaxhimit të mbetjeve në këto zona, në bisedat me përfaqësuesit e pushtetit vendor, u vu theksi edhe tek planet e ardhshme që do implementohen nga bashkitë e reja në zbatim të ligjit për reformën territoriale.
Nga vizitat e kryera është vënë re mungesa e venddepozitimeve të përshtatshme në shumë komuna për grumbullimin e mbetjeve.
Po ashtu, nga verifikimet, u vu re se disa prej tyre janë të vendosura buzë rrugëve duke mos respektuar distancat e lejuara.
MZHU-t thekson se mbetet një sfidë e rëndësishme, mënyra e administrimit të mbetjeve dhe venddepozitimeve aktuale nga bashkitë e ardhshme, si dhe gjetja e instrumenteve sa më të përshtatshme për këtë qëllim, që në muajt e parë të hyrjes në punë të administratës së njësive të reja vendore.
Problematikat e hasura nga përfaqësuesit e kësaj ministrie lidhet jo vetëm me mungesën e përcaktimit të një venddepozitimi të përshtatshëm, por edhe me mungesën e infrastrukturës mbështetëse për të mbuluar gjithë territorin me shërbime, vështirësitë në vjeljen e tarrifave, si dhe ndërgjegjësimi i ulët i banorëve.
Një nga problemet e evidentuara më shpesh është mungesa e ofrimit të shërbimit të pastrimit dhe grumbullimit të mbetjeve në fshatrat malorë, ku banesat janë të shpërndara dhe ky shërbim rezulton jo efektiv financiarisht.
Në raste të tilla mbetjet trajtohen nga vetë familjet nëpërmjet gropave të improvizuara, por nuk mungojnë as rastet e djegjes së pakontrolluar, gjë që krijon ndotje të rrezikshme për shëndetin.
Gjithashtu, mungesa e fondeve buxhetore të komunave, ka rezultuar në mungesë të mjeteve të përshtatshme për një administrim më të mirë të mbetjeve. /A. Gegvataj/









