Deputeti i LSI-së në Vlorë, Shkëlqim Selami i është përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike, sipas së cilës, në formularët e dekriminalizimit nuk ka publikuar një dënim në marrë në Brindizi në mesin e viteve ’90, për “trafik të qenieve njerëzore” si dhe për futjen në Itali të qytetarëve ekstrakomunitarë.
Në një prononcim për News 24 dhe BalkanWeb, deputeti i mazhorancës i quajti këto akuza thjesht broçkulla.
Gjatë një bisede me gazetaren Marsela Karapanço, Shkëlqim Selami tha se “llumi që nuk do miratimin e vettingut hedh akuza të tilla”. Sipas deputetit të LSI ai vendim nuk ka lidhje me të dhe dokumenti mund të kontrollohet në KQZ.
Ai shton se “në vitet ‘90 ka shkuar disa herë në muaj në Itali për biznes dhe nuk është ndaluar asnjëherë”. Deputeti thotë se është njohur me dokumentin në fjalë në vitin 2007 kur ishte me pushime në Itali. “Vendimi i gjykatës u pushua sepse ishte i falsifikuar”,- sqaron ai.
Duke përfunduar Selami thotë se “Venecia i dha shuplake atyre që s’e duan vettingun, por vettingu do të behet. Qentë le të lehin, karvani do shkojë përpara”./a.m.










