Kastriot Islami ka dhënë një intervistë për “KJ”, ku si zakonisht demonizon Edi Ramën, ndërsa thotë se është gati të kandidojë sërish për PD-në si deputet.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kreu i PDK, Kadri Veseli janë paditur për krime gjatë luftës në Kosovë. Mendoni se kemi të bëjmë më një komplot kundër Kosovës apo padia ndaj individëve të veçantë nuk ndikon në negociatat me Serbinë dhe ecurinë e Kosovës? Nga ana tjetër, si e gjykoni qëndrimin personal të kryeministrit Edi Rama?
Rama është damkosur me plotësisht të drejtë nga shqiptarët e Shqipërisë, të Kosovës e kudo ku ndodhen si tradhëtar, si një sharlatan që e ka gjetur tradhëtinë si strehën e fundit të mashtrimeve e maskallarëqeve për të ruajtur edhe nga frika pushtetin e tij personal. Shqiptarët për këtë gjë duhet ta ndëshkojnë sepse të gjithçka tjetër, hajdutëria, lidhjet me kriminelët e trafikantët, pastrimi i parave të pista, varfërimi i shqiptarëve, detyrimi për tu larguar nga vendi, blerja e votës, rrënimi ekstrem i ekonomisë, e shumë e shumë zullume të tjera, janë shumë të rënda por përballë tradhëtisë për të ndarë Kosovën në shërbim të Serbisë së Madhe, vetëm e vetëm për të ruajtur e forcuar pushtetin personal, janë thjesht si ta ndëshkosh për “kafetë”.
Akuza është shumë e rëndë ndaj Presidentit të Kosovës, por ajo nuk shënjon as UÇK-në dhe luftën për liri e pavarësi të popullit të Kosovës kundër rregjimit barbar të Milloshevicit. Rama për këtë çështje ka pasur një standart të dyfishtë. Kur bëhej fjalë për Haradinajn, Rama do të pohonte se ai duhet të shkojë në Hagë e të mbrohet për të mos implikuar UÇK-në. Kurse tani që bëhet fjalë për Thaçin, ai me gjuhën e një “patrioti të rremë” tenton ti mbushë mendjen shqiptarëve se akuza ndaj Thaçit drejtohet kundër UÇK-së dhe luftës së popullit të Kosovës për liri e pavarësi? Përse Rama e bënë këtë gjë tani? Sepse ka shumë frikë. Do të pyesni përsëri, nga çfarë ka frikë Rama dhe çlidhje ka me akuzën ndaj Thaçit? Rama me Thaçin janë bashkë me Vuçiç në çështjen e ndarjes së Kosovës. Pra në copëtimin e Kosovës në shërbim të krijimit të Serbisë së Madhe. Pra për ti vënë flakën Ballkanit dhe të gjithë rajonit. Për ti ngulur thikën pas shpine Europës e më konkretisht Gjermanisë.
Të gjitha këto i artikuloi John Bolton, duke shtuar se ideja e coptimit të Kosovës nuk ka ardhur as nga Trump, as nga Shtëpia e Bardhë, as nga Uashingtoni dhe as nga SHBA-ja. Prandaj akuza ndaj Thaçit është edhe “akuzë” edhe për Ramën. Ai e di shumë mirë këtë gjë ose të paktën e ndjen. Madje e ka shumë të qartë se ky është fundi i tij i tmerrshëm si tradhtar. Kjo duhet të jetë damka që duhet ti vendoset e të mbahet mënd nga të gjithë brezat për këtë individ pervers dhe narcist.
Prej disa javësh PD-ja ka nisur fushatën, ku kandidatët për deputetë do të përzgjidhen nga anëtarësia dhe në 4 faza. Nga ana tjetër, Basha flet për faktorin e ri por nuk ka mohuar as rikthimin e figurave të vjetra të politikës që ku të gjithë në PD, thonë se është shumë e rëndësishme. Keni marrë ju një ftesë për të qenë pjesë e ekipit për zgjedhjet e ardhshme?
Nëse këto që vendosni në gojën e Bashës janë të vërteta, atëherë gjithçka që ka deklaruar Basha jo vetëm që është në koherencë të plotë por madje koherenca është perfekte. Së pari është e rëndësishme të theksohet e përsëritet se forumi kryesor i PD-së, nën drejtimin e Bashës ka miratuar dokumentin e një gare të hapur e demokratike për përzgjedhjen e kandidaturave të PD-së për kandidatë për deputetë dhe për kryetarë bashkie, nën shëmbullin anglez.
Së dyti, kjo garë është e hapur për të gjithë, qofshin të rinj të cilët nëse e kam kuptuar drejtë do të kenë një kuotë ashtu si dhe gratë, ashtu për të gjithë figurat që eventualisht mund të jenë larguar apo vetëlarguar; pra është gara transparente dhe demokratike ajo që konsiderohet si mekanizmi i hapjes së derës për gjithkënd.
Për ti dhënë një përgjigje më konkrete pjesë së fundit të pyetjes suaj “të gjithë së bashku janë ftuar të garojnë”, kjo mua më mjafton edhe si ftesë “personale” qoftë në formë qoftë në përmbajtje. Do të dëshiroja shumë por edhe besoj e uroj që gara realisht të jetë demokratike, e lire dhe e ndershme.
Disa kohë më parë, Ju jeni shprehur se: Rama po negocion “jetën e tij të tretë”. Mandati i Edi Ramës si kryeministër po vjen drejt fundit. Si e keni parë përgjatë këtyre viteve qeverisjen?
Së pari, Rama është kryeministri me mediokër në historinë e Shqipërisë dhe ky është një turp për të gjithë politikanë në rradhë të parë por edhe edhe për të gjithë shqiptarët sepse “demokraci do të thotë qeverisje nga populli”.
Së dyti, është kryeministri më gënjështar e mashtrues në 100 vitet e fundit dhe këtë ai e konsideron veti pozitive të cilës ja dedikon edhe suksesin.
Së treti është Kryeministri më hajdut që zyra e OSBE në Tiranë e ka stigmatizuar pa u ulur në kolltukun e Kryeministrit të vëndit si “zotërues i 200 milion euro të paligjshme, të fshehura në llogari off shore në emër të të vëllait”.
Së katërti, si Kryeministri që është cilësuar nga OSBE/ODHIR se ka “blerë votat” me paratë e korrupsionit e të drogës dhe “ka kërcënuar votuesit” me kriminelët e trafikantët me të cilët ndan pushtetin.
Së pesti si Kryeministri hajdut i pasurisë kombëtare, pronave private e publike dhe i buxheti të shtetit, që varfëroi të gjithë shiptarët dhe detyroi të rinjtë dhe të trurin të emigronin si asnjëherë më parë në historinë mijëvjeçare të kombit tonë, madje në të njëjtat nivel si përgjatë pushtimeve armike. Si kryeministri që u tall, i ofendoi dhe i shau shqiptarët si askush tjetër më parë duke i nënshtruar me varfëri dhe duke i mbyllur gojën me shkopinj dhe geza helmues të policisë.
Kryesorja e mbi të gjitha si Kryeministri tradhëtar që tentoi të coptonte Kosovën dhe të cenonte integritetin e sovranitetin e saj, ti mbyllte rrugën europiane Shqipërisë, ti vinte flakën Ballkanit dhe ti ngulte thikën pas shpine partnerëve kryesorë strategjikë të Shqipërisë, SHBA dhe BE.
Përse opozita nuk vijoi si më parë me strategjinë e saj në rrugën e protestave ?
Opozita kishte tre mundësi për të vepruar dhe larguar një qeverisje hajdute, autoritare e kriminale. 1-Të ndiqte këtë rrugë që po vijon tani e mbështetur fuqimisht e qartësisht edhe nga ndërkombëtarët, të cilët u ndërgjësuan më së fundmi për bëmat e Ramës por edhe sepse Rama ju nguli thikën pas shpine e nuk mund ti mashtronte me gënjeshtrat e tij përmes “flekenshtejnëve dhe vallahutinëve të komprometuar”. 2-Të vazhdonte rrugën e nisur me mbështetjen modeste të ndërkombëtarëve, të pastër e të ndershëm derisa ata të kishin të gjithë pamjen e plotë për qeverisjen e oligarikike të Ramës. 3-Ta linte në dorë të ndërkombëtarëve largimin e “diktatorit”.