Komisionerët e Partisë Demokratike në Berat kanë kërkuar pavlefshmërinë e një kutie. Ata pretendojnë se kutisë nuk i korrespondojnë vulat.
Kjo ka sjellë tensionimin e situatës në ambientet e KZAZ-së. Demokratët thonë se kutia e mësipërme nuk është shoqëruar drejt Vendeve të Numërimit të Votave nga ana e policisë, por nga militantë partiakë dhe hedhin dyshime se gjatë transportit mund të jetë hapur.
Në fund është vendosur që kjo kuti t’i dërgohet KQZ-së, e cila do të marrë një vendim për të.
Aktualisht kandidati i ASHE-së udhëheq me 1052 vota, kur kanë mbetur edhe 26 kuti për t’u numëruar, bashkë me kutinë e konstatuar si problematike.