Nga Ben Andoni
Ka mjaftuar një incident brenda Lëvizjes “Vetëvendosja” për të gjykuar dhe kuptuar realisht sesi funksionon demokracia e brendshme në partitë shqiptare të Kosovës. E themi një incident sepse ka shumë syresh në partitë e tjera kosovare që as nuk bëjnë përshtypje prej ritualit përsëritës së tyre. Një anëtare e vjetër është shprehur fyese ndaj Albin Kurtit, njërit prej themeluesve kryesorë të Vetëvendosjes dhe menjëherë ky formacion është ndarë në dy grupime, që i janë kundërvënë ashpër njëri-tjetrit. Anëtarët kanë debatuar pa pritur fare atë që do sjellë mbledhja e strukturave, por edhe reagimi i instancave partiake, që merren me strukturën e brendshme. Problemi nuk ka qenë thjesht te incidenti, por te fakti se nëse kjo ndodh kaq hapur tek VV, që ka një organizim të mirë dhe shfaqet si e tillë, atëherë e llogarit thjesht pjesën tjetër politike kosovare.
Por nëse për Kosovën dhe Shqipërinë ka vështrime interesante sa i përket mosfunksionimit të demokracisë së brendshme dhe problematikave të saj, kjo pothuaj mungon me vendet e tjera fqinje, ku shqiptarët kanë organizimet e tyre politike dhe shpesh shfaqen të përçarë dhe me sherre më shumë se banale.
Gjithsesi rasti i Kosovës ka përcjellë stadin real ku është demokracia partiake e shqiptarëve të rajonit dhe mungesën e duhur të maturisë politike për të trajtuar problemet. Në rast se do t’i referoheshim Shqipërisë, ajo vetë nuk përbën shembull të mirë në këtë drejtim sepse demokracia e brishtë e brendshme ka treguar dhe shkakun se nga ku burojnë shumë kriza, që projektohen pastaj me zhvillimet e tensionuara në vend.
Duke iu kthyer Kosovës, mosfunksionimin e Demokracisë e pamë që në caktimin (rekrutimin) e listave të kandidatëve, ku fuqia e Njëshit të partisë, nuk ishte vetëm vendimtare, por edhe paracaktuese. Kjo nënkuptonte se çdokush i cili do bënte një veprim jashtë vijës së kryetarit do përballej me vështirësi të mëdha deri në moskandidim. Fillimisht problemi vinte nga vetë strukturat e partisë dhe pastaj nga i gjithë formacioni. Në rast se dikush mendon, se tashmë konfliktet zgjidhen nga organet e brendshme të partive kosovare, që duhet t’i vlerësojnë këto situata, ato janë treguar thjesht inaktive dhe zgjatime interesash. Me skandalet dhe konfuzionin politik që vazhdoi përgjatë vitit në Kosovë dhe që kulmoi me rastin “Pronto”, mosfunksionimi i demokracisë u duk në faktin se u desh shumë që organet e PDK-së, që lidhej direkt me këtë skandal, të merrnin masat e duhura, për të mos thënë që këto masa ishin thjesht sa për të mbuluar skandalin.
Programet e partive kosovare janë modernizuar dhe ato kanë evoluar vazhdimisht në formë, kuptohet në një periudhë të ngushtë, që nga pavarësimi dhe janë përshtatur tashmë me shtetbërjen. Në thelb, programet politike ndryshojnë shumë pak sepse partitë kosovare janë të paqarta ende sot për shtrirjen e tyre ideologjike dhe fashat e popullsisë që përfaqësojnë. Ky konfuzion përcillet dhe në strukturat e brendshme, që rregullojnë mbarëvajtjet e tyre. Përjashtim bën këtu vetëm Lëvizja “Vetëvendosja” që ka paraqitur një fytyrë shumë më demokratike dhe më moderne, por që gjithsesi, pas këtij veprimi të fundit u pa se nuk kaq diferencë të madhe në thelb me simotrat e saj.
Ajo që mëson nga e gjithë kjo: Nëse je i paqartë në programe këtë e manifeston me veprimet politike, si ndodh me formacionet e sotme kosovare. Nëse strukturat e partisë janë thjeshtë në dukje, por nuk funksionojnë dhe ato mbeten zgjatime të urdhrave të kryetarëve, lindin shpesh situata anormale. Të tilla që na shfaqen ngado në Kosovë.
Fakti ka treguar se liderët politikë kosovarë i kanë përdorur dhe i shfrytëzojnë partitë apo organizatat e tyre për të artikuluar qëllime e tyre, por edhe për t’u konsoliduar bashkë me tarafet e tyre. Analistët vendas nuk vërejnë kushedi se çfarë diferencash mes partive, kurse në vitet e fundit programet e partive politike në Kosovë në thellësi përfaqësojnë realitetin klientelist të partive, deri ngushtësisht interesat e komuniteteve nga marrin më shumë votat, por jo respektin për fashat ideologjike të grupeve që përfaqësojnë. Kjo ka bërë që në asnjë nga përcaktimet klasike të partive nuk e përshtat dot funksionimin normal të partive kosovare. Ajo çalon me të gjithë këto përcaktime, që nga ai klasik i Max Weber që definonte se: “Partitë janë në thelbin e tyre të brendshëm organizata të krijuar në mënyrë të lirë mbi bazën e rekrutimeve të lira duke pasur gjithmonë si qëllim kërkimin e votave në zgjedhje për të siguruar poste politike”.
Formalisht të gjitha partitë kosovare janë të krijuara në mënyrë të lirë, kanë struktura, por mënyra sesi menaxhohen krizat brenda partive tregojnë se ato nuk janë aspak demokratike. Gjithçka që prish rehatinë e Njëshit dhe tarafit të tij merr goditje nga të gjitha anët. Kjo është një nga arsyet që krizat politike në Kosovë nuk mbarojnë. Nëse nuk di të formësosh si duhet strukturën, që mban partinë, si do mundësh të menaxhosh politikisht vendin tënd. Me pak fjalë e me këtë lloj funksionimi, kjo klasë politike kosovare që po përcjell këtë mendësi politike, nuk mund të shkojë më tutje, përveçse në kaos. Kjo të mbeste në vëmendje ditët e fundit pas sherrit me fjalët banale te Vetëvendosja. (Javanews)