Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë sërish seancë të jashtëzakonshme dhe në rend dite është ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.
Seanca do të fillojë në ora 10:00. Për miratimin e këtij Projektligji nevojiten 2/3 e votave të deputetëve, saktësisht nevojiten së paku 80 vota.
Një ditë më parë seanca dështoi të mbahet në mungesë të votave të mjaftueshme për ta miratuar marrëveshjen e Demarkacionit në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
Një pjesë e deputetëve nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Vetëvendosje e madje edhe nga Lista Serbe kanë munguar në sallë.
Mediat kosovare madje raportuan se Lista Serbe as nuk ka hyrë në ndërtesën e Kuvendit, ndërkohë që është deklaruar zyrtarisht se kjo parti nuk do ta votojë demarkacionin.
Në konsultimet para seancës, partitë duket se kanë patur mospajtime sa i përket projektligjit.
Pas një takimi me përfaqësues të të gjitha forcave dhe në kushtet e mungesës së kompromisit politik, kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli ka njoftuar shtyrjen e seancës për ditën e premte.
Në lajmërimin tij, Veseli gjithsesi shprehu optimizmin e tij për arritjen e një konsensusi.
Pika ku partitë nuk kanë gjetur pajtim është përfshirja në votim i raportit të Bulliqit, që pohon se Kosova ka humbur territor në marrëveshjen për shenjimin e kufirit me Malin e Zi.
LDK dhe Alternativa vendosën si kusht mospërfshirjen e raportit të Bulliqit për një votë pro demarkacionit.
Në anën tjetër, AAK deklaroi se do të votonte kundër në rast të mospërfshirjes së këtij dokumenti.
Vetëvendosje ndërkaq, nuk u lëkund nga vota kundër projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes.