Nga Ilir Yzeiri
Nëse do të vëresh ligjërimin publik të atyre që mbështesin Lulëzim Bashën dhe anatemojnë Ramën, nëse do të vëresh se çfarë thonë e si e shohin Shqipërinë dhe realitetin ku jetojmë ne, të gjithë drejtuesit politikë të opozitës, por, sidomos, dy prej tyre Lulëzim basha dhe Monika Kryemadhi, ajo që të bie në sy është: deliri dhe paraja. Të gjithë ata që duan të na bindin se Edi Rama dhe qeveria e tij janë një e keqe e madhe dhe Lulëzim Basha dhe Monika Kryemadhi janë e mira që po afron, ndërtojnë një ligjërim delirant dhe shkruajnë e flasin si në delir. Në mjekësi gjendja delirante është një çrregullim psikik që e deformon realitetin dhe pacienti delirant sheh dhe tregon një realitet të deformuar që mund të jetë një shfaqje në ekstazë, qoftë për mirë qoftë për keq.
Në ligjërimin politik, politikanë delirantë dhe liderë të tillë i kanë hedhur popujt e tyre në luftëra të përgjakshme. Shkencëtarët e komunikimit dhe të filozofisë së gjuhës e ligjërimit kanë dalluar në fillim fjalimet e Bonapartit që frymëzonte popujt dhe ushtarët e tij për beteja të përgjakshme. Diktatorët e të gjitha kategorivë dhe ligjërimet e tyre janë kampionët e paraqitjes dhe ligjërimit në delir. Nga kjo sëmundje është i prekur te ne prej vitesh e vitesh Sali Berisha.
Sa herë që ai flet në publik, ligjërimi i tij nuk tregon asnjëherë atë që ndodh vërtet në Shqipëri, por e deformon dhe e zmadhon atë që ai percepton me përmasa të frikshme. Pasojë e këtij deformimi janë epitetet që ai përdor për kundërshtarin e tij politik dhe ofendimet dhe stili akuzues. Lulëzim Basha e trashëgoi këtë ligjërim, por për shkak të staturës mediokre, e ka varfëruar duke i hequr ngjyrat stilistike dhe duke ruajtur stilin akuzues. Shqipëria që tregon Lulëzim Basha është fotografia që ka bërë më parë Sali Berisha me ngjyra, por Lulëzimi na e paraqet bardh e zi.
Ndërsa kulmin e delirit e arriti një komentator nga shqiptarët e Maqedonisë që e quajti Tiranën një gropë septike dhe zhvillimin e kryeqytetit me ndërtime e kulla e quajti si një masakër urbane të krijuar nga mafia. Tani, që një shqiptar nga Maqedonia të flasë kështu për atë që ata e quajnë vendi amë është e pabesueshme, sepse Tirana, jo vetëm që është një qytet i mrekullueshëm dhe shumë i bukur, por është vendi i qytetarëve që baojnë këtu dhe nuk është prona e Edi Ramës.
Të quash kryeqytetin e Shqipërisë gropë septike vetëm pse urren Edi Ramën ky është një alucinacion i rëndë dhe artikullshkruesi është një i sëmurë, një delirant që shetit rrugëve dhe tmerron dynjanë me ato që nxjerr nga goja. Mirëpo, ky lloj ligjërimi dhe këta delirantë që po çmenden pse Edi Rama është në pushtet dhe me gjasë pse ai do të rrijë edhe për një e dy mandate të tjera, nuk janë problem i Shqipërisë dhe i shqiptarëve.
Ata janë problem i një komunieteti të vogël që i dëgjon dhe i merr për zëdhënës të zërit opozitar të shpartalluar, për fytyra të vrerosura nga një inat që nuk ka lidhje me asnjë shqiptar. Ligjërimi delirant që prodhon mendime alucinante që e paraqesin Edi Ramën dhe qeverisjen e tij si përbindësh apo si kryekriminelin e planetit Mars nuk janë problem për shqiptarët.
Me këtë paraqitje dhe me këtë gradë deliri që ata shfaqen në publik, po ia lehtësojnë punën Edi Ramës sepse shqiptarët po shohin se përballë kësaj qeverie nuk ka një forcë politike serioze, racionale që e ndan Shqipërinë nga Edi Rama dhe që ka një projekt për këtë vend e që mendon se disa punë mund të bëhen më mirë dhe se për këtë ata do të vijnë kokulur para shqiptarëve që t’i bindin ata se nuk janë delirantë që flasin me halucionacione, por janë njerëz normalë që njohin gabimet e tyre, që dinë kufizimet që ka ky vend dhe që njohin edhe dobësitë njerëzore, por që duan të provojnë të konkurojnë.
Deliranti ka vetëm një kundërshtar që është ai që ka përballë të cilin ose do ta vrasë ose do ta mundë me shpatë. Deliranti nuk llogarit se për fatin e tij dhe të kundërshtarit të tij vendos populli, domethëne zgjedhësit. Për Lulëzim Bashën dhe Monika Kryemadhin zgjedhjet kanë mbaruar. Lulëzimi gjithmonë në delir deklaron se ka fituar 100 deputetë. Monika, po ashtu në delir, deklaron se ka fituar 40 deputetë. Pra rezltati ka dalë : është 140 me 0.
Një tjetër anë e kësaj fushate të opozitës janë paratë. Nga mëngjesi e deri në darkë Lulëzimi dhe Monika flasin për para e për euro. Ata janë kthyer në llogaritarë e në arkëtarë bandash që thonë se sapo të vijnë në pushtet eurot do të derdhen lumë dhe madje kanë përcaktuar edhe sa do marrë secili prej nesh. Nuk mendoj se ka pasur ndonjëherë në historinë e këtij tranzicioni ndonjë opozitë më të mjerë sesa kjo që të flasë vetëm për para. Projekti i një force politike zakonisht nis me vizionin që ajo ka për zhvillimin e një vendi.
Një vend quhet i zhvilluar kur ai nxit ide të reja, kur publikut i ofrohen alternativa dhe projekte që mbështeten në dy shtylla kryesore në nxitjen e dijes dhe të teknikës dhe në reformimin e shtetit. Plaga më e madhe e tranzicionit shqiptar dhe krimi më i madh që po i bëhet këtij vendi është klima e acaruar politike dhe ndarja e përçarja për motive po ashtu politike. Si ka mundësi që Lulëzim Basha apo Monika Kryemadhi nuk shqiptojnë një fjalë për klimën politike. Në delir siç janë, ata e përfytyrojnë këtë vend ende si një teatër lufte ku ata do të përleshen dhe madje që tani nuk mendojnë as për humbjen as për asnjë gjë tjetër, por mendojnë për luftën që do të bëjnë pas 25 prillit.
Si mund t’u besosh këtyre delirantëve që Shqipërinë e shohin si një thes me para të cilin ata do t’ia rrëmbejnë kundërshtarit politik e do ta ndajnë mes vedi e çfarë të mbetet do të na japin edhe neve. Delirantët kanë një fatkeqësi se ata nuk e kuptojnë dot kurrë se çfarë është ajo që ekziston dhe çfarë është ajo që ata shohin në filmin që projektojnë për të tjerët.