Dhjetëra persona janë plagosur, një në gjendje të rëndë që është makinisti, në aksidentin që pësoi treni i shpejtësisë së lartë i linjës Strasburg-Paris.
“Dëgjuam zhurma dhe më pas kuptuam se treni kishte dalë nga shinat. Për disa sekonda frenoi duke u anuar në një anë”, -tregoi një dëshmitar.
Incidenti ndodhi në mëngjes në zonën hekurudhore mes Ingenheim-Saessolsheim, në zonën e Saverne. Treni kishte 348 pasagjerë në bord. Edhe pse lokomotiva dhe katër vagonët e parë dolën nga shinat, makinisti aktivizoi frenat e emergjencës, duke shpëtuar njerëzit.
Sipas kompanisë, incidenti ndodhi prej rrëshqitjes së dheut në zonën e Saverne. Në momentin e aksidentit, treni lëvizte me 270 km/orë.
/a.r