Dekriminalizimi, zgjedhjet dhe “CEZ”-i, Basha: CDU e Merkelit na mbështet
Gjatë vizitës së tij në Gjermani, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vlerëson CDU e Kancelares Merkel, e cila sipas tij “i jep mbështetje të plotë dhe të gjithanshme Partisë Demokratike në aksionin e saj politik dhe në hartimin e programit qeverisës”.
Në një postim në profilin e tij në “Facebook”, Basha thotë se “me zyrtarët e lartë gjermanë, ndamë shqetësimet lidhur me zhvillimet në Shqipëri, të cilat po shkojnë në drejtim të kundërt me parimet e vendeve demokratike dhe janë larg përmbushjes së standarteve evropiane”.
Sipas Bashës, “kusht i panegociueshëm për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian mbetet për partnerët gjermanë, dekriminalizimi i politikës shqiptare. Gjatë takimeve që zhvillova në Berlin, deputetët gjermanë vlerësuan propozimet e Partisë Demokratike dhe inkurajuan miratimin me konsensus të ligjit për dekriminalizimin”.
Basha nënvizoi se një tjetër shqetësim i diskutuar në takimet me deputetët gjermanë, ishte dhe procesi zgjedhor i 21 qershorit. “Deputetët gjermanë dhe kreu i Komisionit për Çështjet Europiane në Bundestag, Gunther Krichbaum, i kanë cilësuar tërësisht të papranueshme për një vend që aspiron të bëhet anëtarë i Bashkimit Europian, shkeljet e konstatuara në raportin e OSBE-ODIHR-i, për zgjedhjet. Mega afera CEZ, ishte po ashtu çështje e bisedës”, – shtoi Basha.
Kreu i opozitës deklaroi se ka marrë mbështetjen e plotë të partnerëve tanë gjermanë, për iniciativën e Partisë Demokratike, për të angazhuar hetues ndërkombëtarë për zbardhjen e kësaj afere si mënyra më e mirë për një hetim të plotë dhe të besueshëm.
“Partia Demokratike po bashkëpunon ngushtësisht me kristiandemokratët e Kancelares Angela Merkel për hartimin e alternativës së saj; programin qeverisës të demokratëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. CDU, po na jep ekspertizën e saj për ofertën tonë të zhvillimit të vendit dhe kthimit të shpresës qytetarëve tanë që të ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri dhe jo të shohin si shpresë emigrimin”, – përfundoi Basha në postimin e tij në “Facebook”.