Prokuroria e Përgjithshme ka nisur një hetim penal ndaj Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve pasi dyshohet se nuk ka vepruar në përputhje me ligjin e Dekriminalizimit për disa zyrtarë të lartë, të cilëve i ka dalë në mbrojtje sipas rokurorisë duke pranuar formularët me të dhëna shtesë jashtë afateve.
“Gjatë procesit të verifikimit, janë konstatuar disa problematika të theksuara nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si në administrimin e dokumentacionit, ashtu edhe në bashkëpunimin me Prokurorinë e Përgjithshme”, bën me dije organi i akuzës.
Kështu, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve për një deputet dhe për dy kryetarë bashkie ka pranuar dorëzimin e një formulari të dytë tej afateve ligjore. Afati i dorëzimit të formularëve është brenda dy muajve nga data e hyrjes në fuqi të vendimit 17/2016. Afati i fundit për të gjithe subjektet, ka qenë data 4.05.2016. Nga dokumentacioni i përcjellë rezulton se për këta tre subjekte KQZ, në kundërshtim me ligjin, ka pranuar një formular të dytë, me të dhëna shtesë, në qershor 2016.
Po ashtu, pas ushtrimit të nismës nga ana e Prokurorit të Pergjithshëm për deputetin Armando Prenga, informohemi nga KQZ se subjekti nuk ka deklaruar një vendim të formës së prerë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Këtë informacion, KQZ e ka disponuar në 27.05.2016 me anë të një vertetimi të Gjendjes Gjyqësore. KQZ duhet të kishte bërë kallëzim penal menjëherë pas këtij konstatimi, pra në Maj 2016, pasi subjekti ka konsumuar veprën penale të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal. Deri më sot, KQZ nuk e ka kryer këtë detyrim ligjor. Për më tepër, edhe në shkresën KQZ, datë 14.02.2017, sjellë për verifikim të thelluar pranë Prokurorisë së Përgjithshme, nuk specifikohet që subjekti i është përgjigjur me “JO” pyetjes nëse ka një vendim penal të formës së prerë.
/a.m.











