Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm i kërkon Prokurorisë të hetoje për dekonspirimin e operacionit për arrestimin e katër ish drejtuesve te policisë, të dyshuar si të përfshirë në kultivimi dhe trafikimin e lendeve narkotike. Pas dyshimeve se operacioni për arrestimin e katër ish drejtuesve te policisë u dekonspirua, SHÇBA ka dorëzuar në prokurori një kallëzim me emrat e të gjithë personave që kanë patur dijeni për operacionin duke kerkuar zbardhjen e ngjarjes.
Mësohet se në kallëzim janë dhënë me detaje gjithe procedura e ndjekura, që nga moment i mbërritjes së urdher- ndalimeve nga prokuroria e deri në nisjen e operacionit për kapjen e tyre. Ndërkohe një hetim lidhur me këtë çështje ka nisur edhe vete Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, duke verifikuar oficerët që ishin në dijeni për urdhrin dhe veprimet dhe kontaktet e tyre .
Një nga katër ish-drejtuesit e Policisë që pritet të arrestohen pas urdhër-arrestit të lëshuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda është Sokol Bode, ish-drejtori i Postës në Dhërmi; i dyti, ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela i treti, Gjergj Kohila, shefi i sektorit të luftës kundër krimit të organizuar dhe i katërti Enkeled Greku ish drejtues i postes së Selenicës. Të katër ish-drejtuesit e Policisë së Vlorës gjatë viteve 2015-2016 dyshohen si të përfshirë në dosjen ‘Habilaj’ për trafikun e kanabisit. Ndërkaq, mësohet se një prej ish-zyrtarëve është larguar jashtë vendit ndërsa tre te tjerët nuk janë gjetur ne banesa gjatë kontrollit të tyre. /oranews












