Nga Fatmir Merkoçi*
Nëse politika jonë nuk do ishte hipokrite dhe shteti do respektonte popull e vet, të paktën me rastin e 25-vjetorit të revoltës më të madhe popullore, ku u rrëzua shtatorja e diktatorit, e bashkë me të dhe diktatura më e egër në Ballkan, do kishte festime të organizuara. Por, kjo nuk ndodhi. Nuk ndodhi pasi kuptohet se politika jonë është e mbushur me rimineshenca të së kaluarës. Gjatë këtyre viteve, politika e ka përdorur këtë datë për interesa të ngushta partiake. Të dyja kampet e kanë përdorur atëherë kur kanë pasur interes. Në kulmin e revoltës së Vitit të Mbrapshtë 1997, P. Socialiste e kujtonte këtë datë si kundërvënie të qeverisë së asaj kohe. Kurse e Djathta e ka përdorur deri në keqpërdorim këtë datë.
20 Shkurti
Është një datë e cila ndan dy sistemet. Është ajo datë, e cila nuk pati protagonistë partitë politike apo dhe vetë Presidentin e asaj kohe Ramiz Alia. Ky i fundit u mundua që pushtetin ta kalonte në mënyrë të butë. Kjo, jo se i dhimbsej populli, jo se nuk donte gjakderdhje, jo se e tradhtonte partinë e tija dhe komandantin e tij legjendar, por se kërkonte ti shpëtonte ndëshkimit që duhet të merrte. Ndëshkim që do kishte një qetësi shpirtërore për popullin. Nëse do i dhimbsej populli, Alia nuk do kryente varjet në litar në qendër të qyteteve; nuk do vriste në kufi; nuk do burgoste për agjitacion e propagandë kur ishte vetë President. Alia kishte gjynahet e tija.
Nga ana tjetër, Alia kërkonte me çdo kusht që të shpëtonte jo vetëm shokët e gjallë të idealit,por dhe ata të vdekur, ndaj për ruajtjen e tyre, Alia nxori dekretin famëkeq për ruajtjen e monumenteve. Alia e kasta e tij, nuk pranonin kurrsesi që udhëheqësi i tyre të tërhiqej zvarrë nga populli siç u tërhoq. Nëse do ishte ndryshe, vetë Alia do kërkonte ta hiqte në mënyrë të qetë. Ta bënte siç e bëri Hrushovi me Stalinin, por nuk kishte ndërmend ta lëshonte pushtetin në duar e disidencës. Ai kishte marrë mësimet e Katovicës. Pasi i studioi, ai, mbajti fjalimin famëkeq në Byrosë Politike, ku ai hodhi tezën se Partia e Punës ishte në gjendje të krijonte 60-të Komitete Qendrore, se komunistët duhet të bëheshin demokratë, të shanin të shfrynin, por të përndjekurit duhet të rrinin nën hije. Ata nuk duhet të dilnin të parët. Nuk duhet të kishin asnjë armë për të sulmuar regjimin e përmbysur.
Skenarin e R.Alisë për kalimin butësisht të pushtetit, si dhe të gjitha lëvizjet duhet të ishin të kontrolluara e të komanduara prej tij. Skenarin ja prishi 20 shkurti. Ai ishte një organizim i B.S.P.SH.-së, e cila sapo ishte krijuar. Këtë sindikatë Alia nuk e kishte llogaritur. Nën thirrjen e kësaj sindikate u organizua dhe 20 shkurti. Po të vihet re me kujdes: Asnjë parti politike nuk e përmend faktin se demonstrata e 20 shkurtit u organizua nga grupi nismëtar i saj me Kryetar Gëzim Shimën. Përse? Këtë ditë, janë munduar ta falsifikojnë dhe ta manipulojnë. Kryesisht në këtë manipulim kanë marrë pjesë individë të veçantë,por të mbështetur fuqimisht nga politika e cila ishte e interesuar që ta falsifikonte këtë datë. Retushim, pra, si në kohën e diktaturës. Këtë retushim apo falsifikim nuk mundën ta bëjnë, por janë munduar ta lënë disi në harresë ose ta festojnë në mënyrë të vakët. Gjatë gjithë këtyre viteve ka pasur tentativa të shumta. Pengesa më e madhe ka qenë fakti dhe dokumenti. Falë fotove e filmimeve të asaj ditë, vërtetohet katërcipërisht ajo ngjarje dhe protagonistët. Falë dëshirës së zotit dhe vullnetit tim, unë arrita bashkë me G. Shimën ta ideojmë atë demostratë. Unë pata dhe fatin dhe përgjegjësinë që ta udhëheq këtë revoltë popullore. Fatkeqësisht dhe u plagosëm mbi piedestalin e diktatorit. Por çdo gjë do ishte manipuluar nëse nuk do kishte filmime e foto. Në vitin 1995, Ali Begeja hapi një ekspozitë. Aty për herë të parë janë ekspozuar fotot e mija i plagosur. Foto që qëndrojnë dhe sot e kësaj dite në bodrumet e Muzeut Kombëtarë të pa ekspozuara. Por për këtë ngjarje ka shkruar dhe kryehetuesi Qemal Lame në librin e tij, ku flet për vitin 1990-1991. Pikërisht për demonstratën e 20 shkurtit Lame flet e përmend pikërisht emrin tim. Ndërsa politikanët e shtetarët tanë bëjnë sikur se dinë të vërtetën historike. Mjerim për ta.
Në të gjithë skenarin e tij, Alia kishte vendosur që ngjarjet të drejtoheshin prej tij. Pikërisht revoltën e 20 shkurtit, çuditërisht i rrëshqiti nga dora. Ai dhe kasta e tij nuk e menduan se populli do i bindej sindikatës së porsaformuar. Më datën 19-të, ku u bë dhe thirrja publike në R.T.SH. për grumbullim në Qytetin “Studenti” u transmetua, por në lajmet e fundit njoftuan se ky grumbullim është i pa ligjshëm. Pavarësisht këtij njoftimi populli u grumbullua rreth studentëve që ishin në grevë urie. Ky ishte momenti i parë që skenari i Alisë nuk po funksiononte.
Duke qenë së nuk kishim ndonjë ide fikse se çfarë do bëhej më tej në atë datë, sigurimi dhe kasta e kuqe me Alinë në krye, por dhe vetë opozita e sapokrijuar, nuk e dinin se çfarë zhvillimesh do merrnin ngjarjet. Ideja e lëvizjes së njerëzve drejtë bulevardit, më ka lindur në atë moment. Më Kryetarin Shima kishim diskutuar diçka më 19-të, por meqë Kryetari Shima ishte në bisedime me studentët e grevës së urisë, vendimin e kam marrë aty për aty. Në situatën që ndodhesha, pasi policia ishte prezent në atë ballkon që ish kthyer në foltore, midis Marjeta Larjas e Rajmonda Bulkut, mikrofonin për thirrje ja jap Rajmondës pasi, kisha më shumë njohje.Dëshmitarë për këtë minimalisht është Ilia Terpini, të cilit i shpëtova kameran që xhironte nga duar te policisë.
A ka pasur dhunë?!
Në këtë shkrim nuk dua të zgjatem më ecurinë e ngjarjes minutë pas minute apo orë pas ore. Ajo që dua të kundërshtoj është vetëm fakti se, ka shumë manipulatorë, sidomos të politikës, që deklarojnë me paturpësinë më të madhe se atë ditë nuk ka pasur dhunë. Nuk ka pasur përdorim force. Nuk ka pasur të shtëna me armë. Nuk ka pasur viktima. Në të gjitha filmimet duket qartazi përdorimi i gazit lotsjellës. Përdorimi i forcës, shkopinjtë e gomës, pompat e ujit me ngjyrë,të shtënat me kallash e me shotgan e deri tek plagosja ime mbi piedestal, kur shpalosja për herë të parë Flamurin pa Yll. Se kanë parë as kur demonstruesit më mbajnë në krah. Foto që janë fiksuar, publikuar, por “ qorrat e politikës” bëjnë sikur nuk i kanë parë. Bëjnë sikur nuk kanë parë as filmin “ Vdekja e Kalit”, ku filmimet si tek Kryeministria dhe tek RTSH-ja si dhe momenti i plagosjes time dhe rrëzimi i shtatores, janë filmime origjinale.
Ajo që bie në sy është fakti se përse politika nuk e përmend apo e anashkalon këtë ngjarje. Ashtu siç thash më lartë: Alia të gjitha lëvizjet i kishte të kontrolluara e të komanduara. Pikërisht këtë revoltë popullore nuk e kishte nën kontroll. Aq më shumë që unë i përkas një familje të përndjekuri politik. Kjo është arsyeja pse 20 shkurti nuk përmendet. Alia dhe lakenjtë e tij, pranonin çdo gjë. Ata vetëm të përndjekurit politik nuk i pranonin në këtë lëvizje popullore. Kjo për vetë faktin që thash më lartë. Çdo gjë duhej të ishte nën kontrollin e tij.
Kujdesi i shtetit
Çdo vend ka datat e veta të historisë. Data të cilat nuk i vendos politika, por i vendos vetë koha dhe zhvillimet e saj. Të parët janë historianët që nuk e zbardhin historinë e vërtetë. Kjo për vetë faktin e thjeshtë: Ata janë jo vetëm me mundësinë e së kaluarës, por dhe të komanduar nga politika. Historianët tanë më shumë janë për retushim apo për mohim se sa për të shkruar një të vërtetë.
Kryeministri është më i interesuar të krijojë festa e data pa lidhje, siç është Nata e Bardhë, Shën Valentini, Ditën e Verës ta kthejë në Festë Kombëtare, Halluinin, e turuli lloj datash e festash të ndryshme. Qeveria feston dhe ditën e Çlirimit, por kurrsesi nuk mundet të festojë ditën e ndryshimit të sistemit. Nëse do kishte një gazetari të mirëfilltë, gjithkush do i drejtonte një pyetje kryeministrit;- Cila është data simbol e demokracisë në Shqipëri ?-pyetje që nuk bëhet dhe si pasojë dhe vetë kryeministri hesht, ashtu siç kanë heshtur për vite me radhë të gjithë ato që e kanë mbajtur atë post.
Presidenti kishte shansin e tij të artë për të treguar se është një President, që e kishte lënë pas të kaluarën. Kjo dhe për faktin e thjeshtë pasi në atë kohë ka qenë një nga njerëzit që kërkonte të zëvendësonte monumentin e sheshit me atë të Shkollës së Bashkuar. Por presidenti heshti. Heshti duke treguar se nuk e ka të kollajtë të ndahet nga e kaluara. Por ndoshta nuk i ka bërë përshtypje as deklarata e Ambasadorit gjerman për mos festimin e 20 shkurtit si ngjarja më e madhe e popullit shqiptar. Presidenti e ka të lehtë të shpërndaj dekorata e tituj për gjithkënd, por vetëm 20 shkurtin nuk mundet ta festojë. Festoi 8 Dhjetorin Ditën e Rinisë dhe çuditshëm harron 20 shkurtin. Kështu bënë dhe paraardhësit e tij. Madje ish-Presidenti Topi e kujtoj në Maj, në një ceremoni zyrtare. Ky e shfrytëzoi për fushatë elektorale. U tregua dhe më i ngushtë, kur unë i refuzova dekorimin me deklaratën: “Pa i hequr titullin ‘Hero i Popullit’ Diktatorit unë nuk e pranoj këtë dekoratë” që si hakmarrje bëri bllokimin në media duke mos e transmetuar këtë mesazh. Dhe në këtë ceremoni vetëm ambasada gjermane ishte ajo që më uroi për veprimin e bërë.
Bashkia e Tiranës e ka si modë mos ta kujtoj 20 Shkurtin. Megjithëse është ngjarja më e madhe në Tiranë, të gjithë kryetarët e kanë injoruar këtë datë. Në Tiranë më shumë ju është vënë vëmendja të simbolizohen emra që s’kanë ndoshta lidhje fare me Tiranën se sa 20 shkurti. Shumë sheshe e rrugë kryesore mbajnë emra të njerëzve të ndryshme. Askush nuk mori inisiativën për të simbolizuar në një shesh të Tiranës 20 shkurti. Pranë zyrave të Kuvendit është vënë një beton që është marrë nga Gjermania dhe që simbolizon Murin e Berlinit. Po 20 shkurti me çfarë simbolizohet të paktën në Tiranë……..??? Për mua kjo nuk është rastësi. Nuk është as mosdije. Kjo është thjeshtë një keqdashje deri në mohim të kësaj date simbol për vetë Popullin shqiptar. Kryetari aktual Velia e filloi me festime dhe deklaroi se do përkujtonte çdo ngjarje që kishte lidhje me Tiranën e më gjerë. Duke qenë i ri, të jep përshtypjen e mos indoktrinimit, por me sa duket, mosha nuk ka rëndësi për të qenë i indoktrinuar deri në nostalgjik për diktaturën. Dhe ky njësoj si shefat e tij.
Opozita pritej të bënte një festim madhështor. Ky festim do i jepte mjaft pikë vetë opozitës dhe P.D.-së. Mirëpo ndodhi e kundërta. 20 shkurti u përkujtua në një sallë të vogël të Muzeut Kombëtar. Dukshëm sikur po përmovonin një libër do si do. Është e kuptueshme se vetë P.D.-ja do kishte një përfitim të madh nga kjo ngjarje. Lufta politike e saj duhej domosdoshmërish të niste pikërisht më 20 shkurt. Në të shumtën e rasteve dhe pse në mungesë të plotë të protagonistëve, gjithmonë është përkujtuar me një tubim në shesh. Sivjet dhe pse ishte vit jubilar, nuk u bë asgjë për këtë ditë kaq të madhe. Ky është një rast i humbur për vetë opozitën. Duhet të ishte Kryetari Basha, i cili duhet ti kërkonte Kryeministrit që 20 shkurti të festohej pasivisht e të kthehej në festë Kombëtare siç i takon të jetë. Me këtë rast, vetë Kryetari i Opozitës do të qartësonte pozicionin e Kryeministrit dhe të maxhorancës në lidhje dhe me dekomunistizimin e politikës.
Për këtë ngjarje nuk ka asnjë lëvizje apo propozim në Kuvend. Deputetët hyn e dalin prej andej pa ditur se çfarë flasin e votojnë. Z. Mesila kërkoi (kuptohet një vit më vonë, pasi unë i refuzova Presidentit dekorimin) ti hiqej titulli Diktatorit. Por në asnjë rast nuk kërkoi që 20 shkurti të shpallej ditë zyrtare e demokracisë. Pse…? Përgjigjen mundet ta japi vetë Mesila Doda. Por një gjë e tillë nuk është pranuar. Unë e kërkova që dita e 20 shkurtit të ishte festë zyrtare, i pari që e ka kundërshtuar ishte “plaku i urtë i politikës” Sabri Godo, e të tjerët me radhë.
Pavarësisht nga të gjitha çfarë ka ndodhur: publikisht kërkoj që 20 shkurti të shpallet Festë Zyrtare e Shqipërisë. Kjo është gjëja më minimale që duhet të bëjë politika për të treguar se është ndarë nga e kaluara. Këtu fillon dhe dekomunistizimi i vetë politikës, nëse do të pranojë që është e shkëputur nga e kaluara diktatoriale. Mohimi i kësaj date, do tregojë në vazhdim se shteti ynë në tërësinë e tij, vazhdon të ruaj nostalgjinë e së kaluarës. Gjithashtu do vërtetojë katërcipërisht se politika jonë është e komanduar nga sistemi i kaluar diktatorial.
*Avokat. Një nga protagonistët e 20 shkurtit