Në të gjitha takimet, daljet publike apo në emisionet televizive, kreu zyrtar i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Ilir Meta, por dhe lideri real i kësaj aleance Sali Berisha janë shprehur se më 14 maj do të marrin një fitore të rëndësishme përballë kundërshtarit politik Edi Rama.
Meta dhe Berisha flasim dhe për numër të lartë bashkish të cilat deklarojnë se do t’i fitojnë në zgjedhje, përfshirë këtu sigurinë se do të fitojnë dhe bashkinë e kryeqytetit, Tiranë.
Ndonëse sondazhet serioze që po zhvillohen në media, prezantojnë një trend krejt ndryshe të garës elektorale për pushtetin vendor në 61 bashkitë e vendit, pra parashohin një humbje totale të opozitës dhe një fitore të thellë të mazhorancës së drejtuar nga Rama, sërish liderët e koalicionit “Bashkë Fitojmë” mundohen të përcjellin tek mbështetësit e tyre idenë se Tirana është e fituar.
Se ku e mbështesin këtë besim lideri real i këtij koalicioni Berisha dhe ai zyrtar Meta, mbetet e pashpjeguar, megjithëse shqiptarët në një masë të konsiderueshme, përmbi 80 përqind, të majtë dhe të djathtë janë të bindur se kjo opozitë me këto drejtues, dhe sikurse është në këto momente e përçarë, nuk ka asnjë shans fitoreje në zgjedhjet për pushtetin vendor, më 14 maj. Përkundrazi.
Vetëm Meta dhe Berisha me sa duket besojnë në fitore, apo bëjnë sikur besojnë në fakt, për të karikuar atë masë të vogël mbështetësish e votuesisht që kanë mbetur, që më 14 maj të shkojnë në kutitë e votimit dhe të hedhin votën për koalicionin mes Partisë së Lirisë dhe “Rithemelimit”.
E përmes deklaratave për fitore, do vijë më 14 maj sipas Metës e Berishës, në Tiranë, Shkodër, Durrës, Elbasan e shumë bashki të të tjera, po mbajnë me gajret mbështetësit kur kanë mbetur dhe pak ditë nga dita e zgjedhjeve.
Madje dhe kandidatët respektivë në këto bashki kanë nisur të flasin ‘kaluar’, sikur fitoren e kanë të sigurtë e mbetet vetëm modaliteti zyrtar më 14 maj, që të marrin drejtimin e këtyre bashkive, për t’i qeverisur për një mandat 4 vjeçar, për të futur në punën militantët dhe për të treguar se fitojnë, paçla se shqiptarët e SHBA nuk i duan. Një ‘sfidë’ vërtet surreale kjo e Berishës dhe Metës ndaj SHBA, pasi pa mbështetjen amerikane e ka të vështirë çdo subjekt politik të marrë besimin e një populli siç janë shqiptarët, mbi 90% e të cilëve beson te Uashingtoni dhe Brukseli. Pra jemi populli më pro-amerikan dhe më pro-europian në rajon e më gjërë.
Se ku do ta gjejnë popullin anti-perëndim që do t’i votojë në shumicë për të qeverisur në pushtetin vendor, vetëm Berisha dhe Meta e dinë, ndonëse është e pamundur t’i mbushësh mendjen njeriu në lidhje me këtë strategji radikale politike për të ardhur në pushtet.
Dhe meqë jemi te bindja e Berishës dhe Metës për fitore më 14 maj, madje dhe në kryeqytet, duke ‘sfiduar’ të gjitha shifrat e sondazheve serioze që nxjerrin fitues Erion Veliajn me një diferencë që sa vjen e thellohet përballë kandidatit të “BF” Belind Këlliçi apo Belo siç ka dëshirë ta quajnë sepse kështu e paskan thirrur kalamajtë e lagjes në vogëli, pra meqë jemi tek siguria e kësaj dyesheje drejtuese e koalicionit “BF” në fitore, atëherë na lind e drejta të bëjmë një pyetje të thjeshtë: Pse nuk e shfrytëzuan për vete personalisht garën për kryetar për bashkinë e Tiranës.
Pra, kur e kishin bindjen se fitorja është e sigurtë përballë Veliaj në kryeqytet, meqë jemi tek Tirana, atëherë pse nuk kandidoi vetë Ilir Meta për kryetar bashkie, për t’u përballur direkt në zemër të Shqipërisë ku është gati gjysma e popullsisë së vendit, me Edi Ramën.
Pasi nëse merr kryeqytetin, pra ‘pushton’ zemrën e Shqipërisë, hapja e dyerve për fitoren në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2025, do të ishte e sigurtë. Dhe këtë “shans” pse t’ia linin në dorë Belos, një i vogël në politikë, pasi një fitore në Tiranë siç pretendojnë Meta dhe Berisha, përballë mazhorancës së së Ramës, do ta forconte shumë Belon aq sa të pretendonte për të udhëhequr koalicionin e ri “BF”. Pra partinë e Metës dhe grupimin e Berishës bashkë.
Fundja është një precedent i njohur tashmë, e kanë provuar Edi Rama dhe Lulzim Basha, që ai që fiton Tiranën, më pas bëhet kryetar partie. Pavarësisht nëse ke fuqinë politike dhe organizative për ta ngritur ‘stekën’ më pas, nga kryetar bashkie në kryerministër, gjë të cilën e ka bërë deri më tani vetëm Edi Rama. Por që precedenti i marrjes dhe të drejtimit të partisë nga ana e kreut të bshkiakisë së kryeqytetit ka ndodhur dhe tek opozita e sotme.
Ilir Meta kishte deklaruar se do të merrte drejtimin e opozitës që para zgjedhjeve të prillit të vitit 2021, kur ishte i veshur me ‘mantelin’ e Presidentit dhe kërcënonte Bashën se do ta merrte vetë drejtimin opozitar, pasi deri më tani opozita është ‘akomoduar’ rëndë me humbjen.
E mbajti gjatë në lojën politike emrin e tij përballë Veliaj për garën e kryetarit të bashkisë së Tiranës Meta, por që në fund përmes “primareve’ u zgjodh Belind Këlliçi që të kandidonte. Në një vend normal me opozitë normale, nëse do dëshironte vërtetë të godiste kundërshtarin politik të zemër të pushtetit, pra në kryeqytet, duhej të vinte si kandidat njeriun më të fortë politik që mund të garantonte fitoren. Qoftë dhe për të shënuar ringritjen e opozitës, pavfarësisht nëse shënonte rezultat fitues ose jo, por rriste numrat! Dhe Meta bënte si i fortë asokohe.
Shtuar këtu dhe “bindjen” e Metës se Tiranën e fiton koalicioni i udhëhequr prej tij dhe Berishës, atëherë pse vetë Meta nuk kandidoi përballë Veliajt, nëse besonte se fitorja ishte thjeshtë çështje date, sa të vinte 14 maji? Si e lejoi një ‘as’ të tillë t’i dalë nga dora Ilir Meta, një ‘manovrator’ i mirë politik, për të “hapur rrugën për vete drejt poltronit të kryeministrit pas dy vitesh”, por kandiduan Këlliçin ose Belon? S’do kishte rast më të mirë për t’u përballur direkt me “qendrën e së keqes, qeverisjen e Edi Ramës”.
Janë pyetje që e kanë përgjigjen brenda. Për hir të së vërtetës Meta dhe Berisha janë të bindur se Tiranën por dhe pjesën dërmuese të Bashkive në rang vendi, pa përjashtuar dhe Shkodrën, jo vetëm që i kanë të humbura përballë Ramës, por do të shënojnë një humbje tepër të thellë më 14 maj.
Duke qënë se dhe vetë e dinë si dreqi se Tirana dhe bashkitë e tjera të mëdha në vend kryesisht, por dhe të voglat, janë të sigurta se do jenë të humbura më 14 maj, Meta e shmangur kandidimin e tij dhe nuk ka rrezikuar për t’u përballur me Veliajn e mazhorancën e udhëhequr nga Rama në kryeqytet. “Sakrifikuan” dhe Këlliçin, i cili dorëzoi mandatin e deputetit, për të qënë pjesë e garës për bashkinë e Tiranës.
Megjithëse dhe vetë është i sigurtë se do të humbë përballë Veliajt, megjithëse është koshient se do të jetë përballë goditjeve dhe marrjes së përgjegjësisë për humbjen që i është rezervuar dhe pa diskutim që do të vendoset në një cep të goditjes së kundërshtarëve brenda “BF”, duke rrezikuar karrierën e tij politike, e rrezikuar që të mbetet jashtë kupolës drejtues të grupimit ët Berishës. Ndaj ka nisur të të bëjë veprime aspak dinjitoze, me postera me gishtat e mesit lart, apo veprime të tjera që vetëm i kanë ulur pikë në sytë e mbështetësve, e reflektuar dhe në sondazhin e fundit.
Por Berisha me këtë rast i nxjerr dhe inatin Belos, për ‘flirtet’ që bën me armikun më të madh të tij, SHBA e përfaqësuesen e qeverisë amerikane në Tiranë, Yuri Kim. Apo takimet me senatorë e kongresmenë amerikanë, gjatë udhëtimeve të Belos në SHBA, vendi që e ka shpallur ‘non grata” Berishën dhe vendi ku lideri i “Rithemelimit” është i dënuar deri në fund të jetës, madje dhe për brezin e dytë, fëmijët, që të mos shkelë.
Ndaj themi se kur dëgjohet nga Meta dhe Berisha artikulimi i fitores së sigurtë në zgjedhjet e 14 majit, gjithkush mund ta marrë me bazën reale: flasin për një humbje të sigurtë. Këtu do jemi dhe do shohim./Marin Nikaj