Data 31 Korrik është afati i fundit për dorëzimin e Deklaratës Individuale të të Ardhurave, një detyrim për të gjithë individët që gjatë 2019-s kanë realizuar mbi 2 milionë lekë të reja të ardhura.
Këtu përfshihen krahas pagës, edhe të ardhura të tjera nga qiraja, fitimi nga shitja e pronave, dividenti i kompanive apo çdo burim tjetër.
Për të plotësuar formularin, duhet të shkoni tek faqja online e Drejtorisë së Tatimeve, në seksionin e-Shërbime, për individë. Nëse nuk jeni regjistruar më parë në sistemin E-Tax, plotësoni të dhënat tuaja personale dhe merrni automatikisht akses.
Për herë të parë nga ky vit, formulari vjen i paraplotësuar, duke e bërë procedurën më të thjeshtë, megjithëse përdoruesit kanë të drejtë të bëjnë ndryshime. Në fund, formulari ju tregon nëse keni apo jo detyrime shtesë për t’u paguar.
Mosplotësimi në kohë i Deklaratës Vjetore të të Ardhurave ndëshkohet me gjobë për individët. Ndërkohë, nga viti tjetër, ky formular do të bëhet i detyrueshëm edhe për individët e dypunësuar, edhe kur nuk i arrijnë 2 milionë lekë të ardhura në vit. Ndryshimi ligjor i miratuar vitin e kaluar, do të bëjë që këta persona të paguajnë më shumë taksa.