Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Gazmend Aga, ka reaguar ndaj deklaratave të Mustafa Nanos e Maks Velos mbi Islamin. Deklaratat për: një “islam që nuk jep garanci”, apo “kur falen në bulevard, mua më zë frika”, ose “duken si Arabi Saudite”, kanë ngjallur shqetësim në Komunitetin Mysliman. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Aga thotë se të dy personazhet janë emra me ndikim e të respektuar në shoqërinë shqiptare dhe shton se “çdo stereotipizim, ofendim i përgjithshëm mbi fenë myslimane dhe myslimanët, kuptohet që është shqetësues”.
Sipas Agës, “Islamofobia është burimi kryesor i radikalizmit. Kuptohet që, nuk është një arsye që arsyeton radikalizmin për një individ me arsye të shëndoshë, por për individë të mundshëm për t’u përdorur për kauza të tilla të rreme, islamofobia mund të përdoret. Nëse jemi të kujdesshëm me islamofobinë, me antisemitizmin, me antikrishtërimin në deklaratat tona, mendoj se nuk u lëmë hapësirë e shteg atyre që duan t’i keqpërdorin këto deklarata”. Në intervistën e tij për “GSH”, nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ndalet në deklaratat e bëra nga Nano e Velo, rithekson se KMSH është distancuar nga ata që shkojnë në luftë dhe tregon ku ndahet e ku bashkohet me deklaratat e dy intelektualëve, që sipas tij “janë emra të respektuar në lëminë përkatëse”.
– Janë bërë së fundmi disa deklarata nga Mustafa Nano dhe nga Maks Velo sa i takon traditës së Islamit Shqiptar. Si i keni pritur ju këto deklarata?
Të dy personazhet që përmendët, janë personazhe me ndikim në shoqërinë shqiptare, të respektuar në lëminë përkatëse. Mendoj se deklarata nga persona të tillë kanë peshë në opinionin publik, kështu që, nëse deklaratat në fjalë do të ishin nga njerëz të tjerë, nuk besoj se do meritonin as 1% të vëmendjes së kushtuar. Komuniteti Mysliman, si institucion që përfaqëson besimtarët myslimanë në Shqipëri, njëkohësisht është i kujdesshëm të ruajë edhe dinjitetin e fesë Islame dhe të asaj që ajo përfaqëson. Për këtë arsye, çdo stereotipizim, ofendim i përgjithshëm mbi fenë myslimane dhe myslimanët, kuptohet që është shqetësues. Jemi në demokraci dhe të gjithë janë të lirë të thonë atë që mendojnë. Megjithatë, në demokracitë e zhvilluara, stereotipizimi, fyerja e një komuniteti të caktuar dhe nxitja e urrejtjes ndërfetare janë akte që ndikojnë negativisht në paqen sociale.
– Mustafa Nano ka thënë që, pamja e njerëzve që luten në bulevard i kujton atij Arabinë Saudite. A keni një koment për këtë?
Për të qenë korrekt, z. Nano ka cituar faljen e disa individëve në bulevard gjatë një proteste për armët kimike. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është shumë i kujdesshëm në mos instrumentalizimin politik të fesë dhe radikalizmin fetar për vetë faktin se të dyja këto dukuri cenojnë paqen sociale. Për sa kohë falja nuk ka karakter fetar por instrumentalizim për një protestë apo kauzë jofetare, atëherë ajo falje nuk është e pëlqyer as fetarisht. Nëse është thjesht kryerje e ritit për mungesë infrastrukture apo kohe, kjo mbetet çështje e së drejtës së individit për praktikimin e fesë.
– Ndërkohë, a është kjo falje, siç mundet një i krishterë të bëjë kryq, në një protestë?
Falja nuk përdoret për të shprehur përkatësinë e vet fetare gjatë një proteste, cilido qoftë motivi i saj. Nuk ka një praktikë të tillë në historinë e Islamit. Kështu që, besoj se kjo çështje, nëse është thjesht për të ilustruar rastin në fjalë, ka pasur reagime në lidhje me faljen gjatë protestës edhe nga vetë besimtarët. Është diçka që i përket së kaluarës dhe është e vështirë që edhe ne sot të japim një opinion të shëndoshë për të.
– Maks Velo ka thënë për Islamin, se është një fe që nuk të jep garanci. Si i përgjigjeni kësaj?
Maks Velo është i respektuar për kontributin që i ka dhënë fushës së vet dhe është një person që ka vuajtur për shkak të idealeve të veta, nga ana tjetër, një intelektual, i cilitdo niveli qoftë, qëndron ose duhet të qëndrojë gjithnjë larg stereotipizimeve dhe përgjithësimit ofendues të një shtrese të caktuar besimtarësh, apo mendimi të caktuar. Mua më duhet të them se Maks Velo, me deklarata të tilla tregon se nuk njeh asnjë besimtar nga afër, sepse po t’i njihte, jo vetëm që do të ishte shumë i lumtur dhe i kënaqur që ka një mik besimtar mysliman, por besoj se do të ishte edhe entuziast. Nga ana tjetër, nëse një intelektual shqiptar, ndihet i fyer për shkak të një personi që shkon dhe lufton në një vend, a vret njerëz në emër të fesë, përpara këtyre intelektualëve, edhe ne si besimtarë shqiptarë, jemi të fyer e të shqetësuar. Ata, jo vetëm që nuk na përfaqësojnë si komb, por ata që vrasin njerëz në emër të fesë, nuk na përfaqësojnë as si besimtarë. Madje, ne jemi të shqetësuar më shumë sesa njerëzit në fjalë, sepse cenohet edhe imazhi i fesë Islame, si fe e paqes dhe bashkëjetesës ndër shekuj. Nëse bëhet fjalë për islamin në tërësi, është një fe 1400-vjeçare dhe ka ekzistuar para z.Velo, para meje, dhe para jush. Gjatë gjithë historisë, feja Islame, por dhe feja në përgjithësi, ka një kontribut të pamohueshëm në ruajtjen e stabilitetit dhe formimit të shëndoshë individual e shoqëror. Ka individë që jetojnë në kundërshtim me vlerat e islamit, vlerat që ai mbart, e këto janë raste që përfaqësojnë vetëm individin në fjalë. Çdo stereotipizim, çdo përgjithësim, i një feje a një mendimi për shkak të akteve të personave të caktuar, nuk është i shëndoshë, nuk është as akademik, as intelektual.
– Nga ana tjetër, KMSH është distancuar nga elementët që kanë shkuar në Siri. Cila është thirrja e bërë?
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është mbase institucioni i parë në botë, sa u takon institucioneve islame, që është distancuar nga çdo thirrje e nga çdo akt, për t’iu bashkangjitur kauzave të cilat nuk i përkasin shtetit tonë. Pavarësisht përkatësive fetare të shpallura, ne mendojmë se çdo luftë, është e dëmshme për njeriun, individin e shoqërinë. Sidomos, për konfliktet ku ka shumë palë, e që nuk i përkasin vendit tonë, jemi tërësisht të distancuar nga çdo thirrje e nga çdo akt. Nga ana tjetër mendojmë se nuk është e shëndoshë që çdo thirrje populiste të bërë me terma islame për konflikte, t’ia veshim direkt islamit. Nga studimet e bëra, për shumë prej luftëtarëve, përveç ideologjisë, është edhe çështja e varfërisë, e konflikteve, mungesa e arsimit, që ndikon në pjesëmarrjen në luftë. Nuk është vetëm lufta nga e cila KMSH distancohet, por edhe nga çdo akt e thirrje, çdo bisedë a fjalë e cila nxit urrejtjen ndërfetare ose ndëretnike- që jo domosdoshmërisht përfundon me dhunë, jo domosdoshmërisht është luftë, por edhe nëse cenon të drejtën, shpresën, liritë e jetesës së një individi, edhe në lagjen ku jetojmë.
– A janë shqetësuese deklaratat e Mustafa Nanos e Maks Velos dhe a nxisin këto urrejtje fetare?
Unë mendoj se KMSH dhe besimtarët myslimanë shqiptarë, dinë të ndajnë qasjen e individit me qasjen e shoqërisë, dhe shoqëria shqiptare ka një qasje tepër pozitive, ndaj feve në përgjithësi, po sidomos ndaj besimit mysliman si shumicë e shqiptarëve. Këshilla jonë, sepse ne jemi institucion këshillimor, për çdo intelektual, për çdo person fjala e të cilëve ka peshë, ka zë në shoqërinë shqiptare, nëse duam të japim kontributin tonë, në paqen e shoqërisë, nganjëherë, thjesht edhe duke qenë të kujdesshëm në deklaratat tona, mund të japim kontribut. Disa deklarata, sado që mund të shprehin mendimin e lirë të një personi, mund të keqpërdoren, pikërisht nga ata që ushqejnë ekstremizmin në shoqërinë tonë. Mendoj se islamofobia është burimi kryesor i radikalizmit. Kuptohet që, nuk është një arsye që arsyeton radikalizmin për një individ me arsye të shëndoshë, por për individë të mundshëm për t’u përdorur për kauza të tilla të rreme, islamofobia mund të përdoret. Nëse jemi të kujdesshëm me islamofobinë, me antisemitizmin, me antikrishtërimin në deklaratat tona, mendoj se nuk u lëmë hapësirë e shteg atyre që duan t’i keqpërdorin këto deklarata.
Edhe njëherë, përsëris që Maks Velo e çdo individ që për arsye nga më të ndryshmet ka paragjykime ndaj islamit e myslimanëve, është i ftuar të ulet, të njihet me një besimtar nga pranë. Kjo është edhe metodologji kërkimore që të njihesh me personat dhe komunitetet për të cilët flet apo paragjykon. Shprehja jonë e madhe ka qenë që, asnjë mysliman nuk mund të jetë terrorist dhe asnjë terrorist nuk mund të jetë mysliman. Të gjithë si shoqëri kemi përgjegjësi të ndihmojnë të rinjtë që janë të infektuar nga idetë radikale fetare apo jofetare. Jo duke i përjashtuar, por duke i integruar në shoqëri nëpërmjet besimit, arsimit e dashurisë.
– Dhe nëpërmjet interpretimit të saktë të Kuranit?
Po, pa dyshim! Kurani është libri me i keqpërdorur në ditët tona, dhe kjo është edhe një nga përgjegjësitë tona si Komunitet Mysliman. Një mysliman që e kupton siç duhet Kuranin, është burim i vlerave, përgjegjësive shoqërore dhe bashkëjetesës në vendin ku jeton.
BW/d.i.