Kryeministri Berisha: “Jam sot para jush për të informuar qytetarët shqiptarë se qeveria vendos të kërkojë hetim ndërkombëtar për problemet e dala ditët e fundit. Ky vendim nuk merret, në mënyrë absolute, për morinë e shpifjeve dhe trillimeve të pafundme ndaj cilitdo person.
Ky vendim merret për dy arsye:
E para, në rast se faktohet se qeveria shqiptare i ka dhënë qoftë edhe 1 qindarkë të vetme nga fondet publike biznesmenit Damir Fazlliç, kuptohet se kjo qeveri i ka dhënë atij miliarda. Kjo është e detyrueshme për t’u sqaruar.
Së dyti, kanë ndodhur veprime shumë të rënda gjatë 4 ditëve të fundit, motivet e të cilave duhet të qartësohen. Është goditur biznesi shqiptar dhe ndërkombëtar, në mënyrën më të pabesueshme, janë ngrirë llogari, asete të kompanive dhe firmave të cilat nuk kanë, në këtë vend apo në ndonjë vend tjetër, asnjë penalitet të vetëm.
Këto janë dy motivet bazë që argumentojnë se përse qeveria do të kërkojë hetim ndërkombëtar.
Kjo nuk është hera e parë që unë e kërkoj këtë gjë, por në takime me zyrtarë të lartë të vendeve mike, kam kërkuar mbështetjen e plotë të tyre për hetimin e ngjarjes së Gërdecit. Formulimi im për këtë kërkesë ka qenë se ndihma më e madhe që mund t’i jepni qeverisë sime është që ju të kontribuoni në hetimin dhe zbardhjen e ngjarjes së Gërdecit. U jam shumë mirënjohës këtyre vendeve sepse jam i bindur që e kanë dhënë dhe po e japin këtë ndihmë. Të njëjtën gjë kam bërë edhe në rastin e aksidentit të z. Kosta Trebicka, sepse z. Trebicka pati meritën e padiskutueshme të denoncimit të aferës së Devirolit dhe për rrjedhojë, ishte e domosdoshme që vdekja e tij të zbardhej në tërësinë e vet. Ministri i Brendshëm, të cilit unë i dhashë urdhër që t’u kërkonte agjencive të vendeve mike që të vijnë dhe të hetojnë këtë ngjarje, më informoi se një kërkesë të tillë e ka bërë Prokuroria e Përgjithshme. Në këtë rast i kam kërkuar ministrit që të mos vazhdojë më tej, pasi tashmë ishte marrë vendimi i duhur.
Dua të informoj shqiptarët se krahas angazhimit të madh për të zbardhur të vërtetën mbi çështjen Trebicka dhe jashtë çdo tendence politike, në Prokurorinë e Përgjithshme u bënë përpjekje të mëdha për të deformuar të vërtetën. Gazetares së një televizioni kombëtar iu kërkua nga një prej prokurorëve kryesorë të çështjes, që të informonte shqiptarët se nuk do të jetë ekspertiza e ekspertit amerikan që do të përcaktojë vendimin, pasi për këtë gjë ishte marrë një ekspert i pavarur. Do t‘i lutem këtij televizioni kombëtar të ketë njerëzinë ta ritransmetojë këtë kronikë, për ta dëgjuar të gjithë shqiptarët. Një ndër shikuesit e këtij televizioni isha edhe unë, që pas transmetimit të saj, komunikoj me drejtuesin e TV-së dhe i them se si ka mundësi kjo gjë. Vendi ka thirrur një ekspert ndërkombëtar për këtë çështje. Pas kësaj, Drejtori i këtij televizioni i kërkoi sqarime gazetares dhe ajo i tha emrin e prokurorit që i kishte kërkuar formulimin e këtij lajmi. Unë nuk e kam bërë publike këtë gjë, por natyrisht kam mbajtur shënime.
Ata që veprojmë në këtë mënyrë, janë ata që i venë kazmën pavarësisë së një institucioni jetik dhe vendimtar për shtetin ligjor. Unë mbetem i vendosur të bëj çdo përpjekje për pavarësinë e këtij institucioni. Natyrisht, veprime politike të tilla do të marrin përgjigjen që meritojnë.
Unë kam këtu sot dy deklarata të dy oficerëve të policisë së shtetit, të cilëve, në datën 8 tetor, u është kërkuar me telefon, të ndalojnë shtetasin Damir Fazlliç, me një urdhër verbal, në dhunim të të gjitha ligjeve dhe kushtetutës së vendit. Këto kërkesa u janë parashtruar atyre nga prokurori Shtylla dhe prokurori Mazreku.
Dua t’ju bëj me dije se edhe armiku më i egër i këtij Kryeministri, nëse do të ndalohej në mënyrë të tillë do të përbënte turpin më të madh për këtë vend. Nuk mund të kem një mendim tjetër, kur rastis që ky zotëri të jetë një mik i Kryeministrit, një njeri që ka kontribuar në fushatën time elektorale, për të cilin theksova gjithashtu që do të hetohet nëse ka përfituar qoftë edhe një qindarkë të vetme nga fondet publike.
Qeveria do të procedojë me dekret për këtë vendim, pasi ky është një problem i ngutshëm. Ajo do të bëjë dekretin për të kërkuar hetim ndërkombëtar. Kjo nuk do të thotë aspak se do të përjashtohen nga hetimi prokurorët shqiptarë. Kategorikisht jo! Kjo do të thotë që në hetim do të marrin pjesë dhe prokurorë të huaj, të cilët do t’u thonë shqiptarëve dhe vendeve mike, Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara, partnerëve tanë se cilat janë “keqbërjet” e qeverisë shqiptare, cilat janë të vërtetat mbi bllokimet e sekuestrimet antiligjore të pasurive të kompanive që kanë qenë shtyllë e suksesit të biznesit të brendshëm shqiptar.
Sikundër, parlamenti do të krijojë një komision hetimor parlamentar,. Kjo, jo për dosjen përkatëse, sepse ligjet e vendit nuk lejojnë as ndërhyrjen më minimale në një çështje që është në hetim, por parlamenti do të ndalet në marrëdhëniet e krijuara midis ministrisë së Drejtësisë, ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Institucionet tona janë institucione ligjore dhe veprojnë mbi bazën e ligjeve, ndaj çdo që duhet të bëhet transparente para shqiptarëve. Dje u informova se këtë gjë e kishte kërkuar edhe zoti Rama, Kryetari i Partisë Socialiste. Nëse është e vërtetë, më vjen shumë mirë.
Unë nuk mbroj absolutisht asnjë njeri, por unë mbroj parime që janë të çmuara për çdo qytetar shqiptar dhe investitor vendas apo të huaj. Unë nuk mbroj Fazlliç, pasi ai i ka të gjitha hapësirat për të bërë mbrojtjen e tij, por mbroj dy parime që janë themelore për një vend të lirë. Këtë do ta realizoj, sado që të kushtojë, koston e këtij hetimi qeveria do ta përballojë në emër të interesave më të mëdha të vendit.
Më pas, kryeministri Berisha iu përgjigj interesimit të medieve:
Pyetje: Zoti kryeministër, a mund të na e shpjegoni pak më thjeshtë procedurën që do të ndjekë qeveria për hetimin ndërkombëtar? Ju thatë se do të veproni me dekrete, por me dekrete vepron vetëm Presidenti. Ndërkohë një hetim ndërkombëtar është bërë në rastin e çështjes Hajdari dhe këtë e ka kërkuar prokuroria. Mos po i hiqni në këtë rast të drejtën prokurorisë, ose ju nuk keni besim se prokuroria do të bëjë një hetim të drejtë , të paanshëm, dhe të gjithanshëm?
Kryeministri Berisha: Në rastin konkret Prokurorisë nuk i merret asgjë. Është e drejtë e qeverisë të thërrasë hetim ndërkombëtar dhe qeveria do ta bëjë këtë. Prokuroria shpresoj ta mirëpresë këtë veprim dhe unë uroj që ta mirëpresë. Nuk po kërkoj transferim të çështjes tek hetues ndërkombëtarë, por po kërkoj një grup hetimor së bashku me hetuesit shqiptarë, siç është një praktikë rutinë e ndjekur në shumë vende. Askush nuk duhet të trembet nga një hetues austriak, grek, amerikan ,britanik , etj. Ne jemi një vend i hapur.
Për sa i përket çështjes së besimit tek prokuroria, unë kam detyrimin tim madhor, të përmbush çdo detyrim për pavarësinë e saj. Por pavarësinë e prokurorisë e shkelmojnë, më shumë se çdo gjë tjetër, ata që urdhërojnë me telefon ndalimin e shtetasve të huaj apo vendas, jashtë flagrance. Këtë pavarësi, e rrënojnë më shumë se çdo gjë tjetër ata që thërrasin gazetarët dhe u thonë që tu përcjellin shqiptarëve lajmin se eksperti i huaj s’do të merret për bazë. Ata besoj se nuk punojnë për pavarësinë e institucionit të tyre, por shkelmojnë mbi këtë pavarësi. Unë mbetem shumë i vendosur për pavarësinë e prokurorisë. Natyrisht ky është një hetim që do të ketë detyrimisht ekspertizë ndërkombëtare. Të ngrish asetet në llogari për hesap të hanxharëve të vjetër të mafies, kjo nuk duhet të lejohet. Të atakosh firmat që kanë bërë biznese në të gjitha qeveritë me dinjitetin më të madh dhe që nuk kanë asnjë lloj penaliteti, kjo do të thotë se ke shkelmuar mbi një parim shumë themelor të vendi dhe të biznesit tënd. Kjo kërkon një zbardhje të plotë. Presionet janë evidente, por detyrimi i kryeministrit, detyrimi i Prokurorit, detyrimi i gjykatësit, është tu qëndrojë presioneve dhe të mos tundohet. Është bërë një presion i jashtëzakonshëm për ta bllokuar në mënyra të tjera një nga kompanitë së cilës i janë ngrirë asetet sot. Po kanë hasur në një mur dhe ky mur ka qenë Sali Berisha. Kjo është e papranueshme sepse nuk mund të goditen kompanitë në këtë mënyrë. Kështu tejkalohet çdo lloj kufiri dhe kjo është shumë e rëndë për vendin. Ky është një mesazh i tmerrshëm për biznesin kombëtar dhe ndërkombëtar. Do të kemi një hetim që do të zbardhet sa më shpejt në përputhje me të gjitha rregullat e shtetit ligjor.
Pyetje: A mund te na sqaroni lidhur me mënyrën se si zoti Fazllic ka blerë pronën e tij në Porto Romano? A është e moralshme , sepse e ligjshme besohet se është, që një mik i juaji të blejë një pronë në një vend që shqiptarët nuk e dinin që do të bëhej park industrial, ndersa ai e dinte paraprakisht këtë.?
Kryeministri Berisha: Dua të sqaroj se së pari Porto Romanon nuk e kam shpallur unë Park Energjetik. E ka shpallur paraardhësi im. Kur unë u bëra kryeministër, ata që kanë bërë dillin me paraardhësin tim u përpoqën të më impononin ekskluzivitetin, u përpoqën me një presion të dëshpëruar. Për hir të së vërtetës, paraardhësi im nuk ua kishte dhënë ekskluzivitetin. Sepse po tua kishte dhënë unë do tua hiqja, por zoti Nano nuk ua kishte dhënë. Po të hyni në faqen e Internetit të Këshillit të Ministrave, ju do të gjeni me mijëra biznesmenë të pritur nga unë dhe që do të vazhdoj ti pres në të ardhmen. Por gjatë takimeve me përfaqësuesit e këtyre kompanive, unë ua kam bërë të qartë se unë nuk jap ekskluzivitete. Ne jemi një vend kohëhumbur. Këtyre zotërinjve unë ua bëjë të qartë se në se ju e keni portilin 30 apo 70 m, dhe në se ndonjëri vjen e më kërkon të ndërtojë ndonjë portil prej 4 km, në të cilin të shkarkohen anije 50 mijë apo 100 mijë tonëshe, atëherë ai do ta përfitojë menjëherë lejen koncesionare. Por çfarë ndodhi? Është ndonjëri prej tyre që bërtet nëpër konferenca e që familjarët e tij kanë shitur tokën tek ky grup dhe kanë vepruar drejt. Ju uroj ti gëzojnë sepse është një veprim normal i pastër privat. Kushdo mund të blejë aty dhe askush nuk do të mund të gjobisë më biznesmenët shqiptarë. Le të përdorim mediat e tyre, në mënyrat më të lira që të duan, por një gjë do tua bëj të ditur, biznese s’do të mund të pengojnë dot, gjoba s’do mund të presin. Ky është i gjithë morali. Në qoftë se ai ka marrë qoftë dhe një metër katror tokë publike, atëherë i kemi dhënë 10 mijë ha.
Pyetje:Nëse prokuroria vendos të thërrasë në Tiranë zotin Fazllic , ju do të bashkëpunoni për ta sjellë atë në Tiranë? Para një jave thatë se do të bashkëpunoni për ta sjellë atë në parlament.
Kryeministri Berisha: Që Damir Fazllic do të paraqitet para drejtësisë në përputhje me rregullat e vendit tim, këtë konsideroj të domosdoshme. Të jeni të sigurt se nuk jam unë që e bëj këtë. E bën ai vetë. Ai është një njeri i lirë, një biznesmen. Nuk mund të ketë asnjë lloj mëdyshje për këtë. Zoti Fazllic do ti nënshtrohet të gjitha rregullave, për sa kohë të bëjë biznes në këtë vend. Lidhur me ardhjen në parlament, ajo ishte një polemikë politike. Zoti Fazlliç erdhi dhe foli. Intervista e tij ka patur shikueshmërinë më të lartë në historinë e vendit. Ai u tha shqiptarëve të gjitha të vërtetat. Ai u tha, më tregoni një dokument që tregon se kam bërë shkelje. Në se tjetri ndalohet për shkrime në gazeta, kjo pastaj është një gjë shumë speciale.
Pyeteje: Zoti kryeministër , ju thatë se u është bërë një sekuestrimat ligjor i kompanive që kanë qene shtyllë e suksesit të biznesit. Për cilin rast bëhet fjalë? Flitet gjithmonë për bizneset e zotit Fazlliç?
Kryeministri Berisha: Nuk kanë asnjë lidhje. Fatkeqësia e këtyre bizneseve është se kunati i Ministrit , Erion Isufi, një djalë i ri në moshë, i cili nuk ka qenë kurrë ortak ose bashkëpronar me Damir Fazlliç, ka punuar një vit apo disa muaj si administrator në kompanitë e tij dhe i ka dhënë dorëheqjen me shkrim Fazllicit. Biznesmeni i firmës për të cilën behet fjalë, e ka patur në bord këtë biznesmen të ri dhe kjo ka mjaftuar që prokuroria të urdhërojë ngrirjen e investimeve që janë në vazhdim me të paktën me një objekt 36 milion euro dhe me një grup shumë të gjerë të huaj dhe vendas. Për të qene i saktë, pyeta Ministrinë e Financave, në se ky biznes kishte patur ndonjë problem me tatimet. Por rezultoi se nuk kishte patur asnjë problem. Ishte një aksion i mirëfilltë i prokurorisë, për fajin e vetëm se “krimineli” Erion Isufi, kunati i ministrit ishte në bord. Kjo është e vërteta.
Pyetje: Pati një reagim nga Ministria e Brendshme, që policia e shtetit nuk është angazhuar në ato ditë që Fazlliç ishte në Tiranë. Atëherë si mund të justifikohen pamjet e shefit të komisariatit të Rinasit që e shoqëron zotin Fazllic deri në brendësi me një polic tjetër, i cili nuk lejonte gazetarët. Është një shërbim që ne qytetarëve të tjerë nuk na ofrohet.
Kryeministri Berisha : Duhet të analizohet momenti. Së pari, e ka shoqëruar para telefonatës, apo pas telefonatës. Nuk ka vend të lirë në këtë tokë që të ndalohet tjetri, përveç flagrancës. Flagranca është autorizim ligjor për ndalim. Në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë nuk mund të ndalosh një njeri të lirë me telefon. Së dyti, ligji lejon në raste të caktuar, dhe asnjëherë kur është i pandehur apo nën hetim, komunikimin gojor midis prokurorit dhe të interesuarit, por në mënyrë absolute, jo midis prokurorit dhe policisë gjyqësore. Ne këtë rast ka vetëm komunikim shkresor dhe policia gjyqësore është e detyruar ti përgjigjet një për një, në rast se nuk janë në kundërshtim me ligjin. Sepse ka një nen në ligjin e policisë, i cili thotë se zbatohen urdhrat që nuk bien në kundërshtim me ligjin. Unë mendoj se problemi madhor është se i është kërkuar drejtorit të kufirit për Tiranën të merrej në shoqërim biznesmeni Damir Fazllic. Ishte në Rinas dhe duhej të shoqërohej për tu pyetur nga ana e Prokurorisë dhe deklarata tjetër ishte se nuk duhet të lejohet që të udhëtojë. Këto janë momentet. Këto do të zbardhen nëpërmjet parlamentit dhe hetimit të pavarur. Në se ka përgjegjësi policia do të marrë ndëshkimin më të madh ligjor. Në se ka përgjegjësi tjetër kush atëherë do të marrin ndëshkimin ligjor. Ky është vendi i shtetit ligjor, i institucioneve të pavarura, që do të zbatojnë ligjin.
Pyetje: Zoti Berisha ju dhatë disa fakte për zotin Damir Fazllic, i cili është i cenuar më shumë se askush tjetër nga prokuroria dhe drejtues apo punonjës të prokurorisë së përgjithshme. Sa të sigurtë janë qytetarët e këtij vendi, apo biznesmenët e huaj, kur kemi një rast të tillë, që një njeri që është miku juaj, dhe bashkëpunëtori i Tom Ridge, ish sekretarit amerikan, pra një njeri i tillë që ka kredenciale shumë më të mëdha se çdo qytetari tjetër, pra sa garanci jepni ju për biznesmenët e tjerë në këtë vend.
Kryeministri Berisha : Absolutisht ata kanë garanci dhe nuk duhet ti universalizojmë sepse ja që ka një reagim, ka një gjykatë, një sistem gjyqësor dhe të jeni të bindur, pavarësisht nga defektet, janë këto institucione, të cilat kanë bërë që Shqipëria të jetë këtu ku është. Kjo sigurisht përbën një gjë shumë të rëndë parimore, e cila sigurish do të marrë zgjidhjen në mënyrë ligjore. Një njeri u përpoq që të indoktrinonte opinionin se mendimi i ekspertit amerikan nuk do të merret për baze, se do të jetë ekspert i pavarur. Por të gjithë ekspertët kanë patur një qëndrim. Donte ai që të justifikonte mitingun e Partisë Socialiste, por dështoi se nuk ka një ekspert ligjor të gjitha të një grupi që kanë patur një mendim ndryshe. Që të gjitha aktet e ekspertimit arriten në të njëjtin përfundim. Prokuroria është ajo që zbardhi, ndërsa ky është një individi që shfrytëzoi , por janë prokurorët shqiptarë ata të cilët zbardhën të vërtetën dhe nuk pranuan asnjë lloj presioni. Dhe kjo është një gjë pozitive që edhe eksperti amerikan tha të njëjtin gjë. Ne duhet të kemi besim. Është në detyrimin tonë më madhor të respektojmë pavarësinë e këtij institucioni. Të bëjmë çdo gjë për forcimin e pavarësisë. Nuk është Shqipëria, siç duan ta trajtojnë një grup i vogël njerëzish. Shqipëria është një vend me shoqëri mature dhe institucione të maturuara që mund të bëjnë gabime, që kanë defekte dhe që i korrigjojnë ato.
Pyetje: Z. Kryeministër, kush dhe si do të zgjidhen ekspertët ndërkombëtar që do të hetojnë këtë çështje?
Kryeministri Berisha: Unë kam si synim zbardhjen e të vërtetave për këto dy parime të lartpërmendura. Është një pyetje mjaft interesante se kush do t’i përzgjedhë ata. Ata do t’i përzgjedhin qeveritë e vendeve mike, me besimin më të plotë. Nuk mund të përzgjedhim ne ekspertët e huaj, sepse nuk kemi një listë të tyre. Ne do t’u adresohemi qeverive të vendeve mike dhe ato do t’i caktojnë, pasi edhe ato janë thellësisht të interesuara për rregullat e tregut, sepse një nga kushtet kryesore të këtij vendi për t’u integruar në Europë, është ekonomia funksionale e tregut. Ekonomi funksionale e tregut do të thotë që “dora e shtetit” të rrijë larg sektorit privat, në mënyrë të paligjshme.
Pyetje: Ju folët për hetim parlamentar, për marrëdhëniet mes institucioneve përkatëse në rastin konkret. A do të thotë kjo se në përfundim të hetimit mund të konkludohet me një kërkesë për shkarkimin e Prokurores së Përgjithshme?
Kryeministri Berisha: Hetimi parlamentar nuk do të ketë të bëjë me këtë çështje. Ka një ligj që përcakton që parlamenti nuk mund të hyjë në çështje të hetimit dhe ky është një përcaktim shumë i drejtë dhe unë i qëndroj plotësisht. Ky është një vendim shumë i rëndësishëm. Parlamenti nuk mund të ndërhyjë dhe nuk mund të bëhet prokurori, pavarësisht nga fuqitë që ka. Nëse ai dëshiron që të bëjë hetim të plotë të çështjes, le të presë sa të përfundojë hetimin prokuroria dhe le të veprojë. Por që ajo t’i marrë dosjen e hetimit prokurorisë kjo nuk mund të ndodhë. Pra, parlamenti do të hetojë çështje që nuk kanë të bëjnë me dosjen e hetimit.
Pyetje: Z. Kryeministër, si e argumentoni bindjen tuaj se intervista e Fazlliç është censuruar në Tv Klan?
Kryeministri Berisha: Kjo çështje nuk ka lidhje me mua. Ky është një problem midis zotit Fevziu dhe Damir Fazlliç.
Pyetje: A do të bashkëpunojë ky grup hetimor me Prokurorinë?
Kryeministri Berisha: Ky grup do veprojë në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë. Kushti kryesor i tij është bashkëpunimi me prokurorinë, pasi ai nuk mund të bashkëpunojë me qeverinë. Sigurisht ata do të jenë një grup hetimi, ekspertët ndërkombëtar bashkë me prokurorët shqiptar. Por hetimi do të bëhet, pasi janë shkelur rregulla themelore. E theksova se, edhe sikur armiku më i egër i imi të ishte urdhëruar, përmes telefonit që të ndalohej, jashtë flagrance, unë nuk do ta lejoja kurrë këtë gjë. Shqipëria është një vend shumë i lirë. Eshtë koecidencë që kjo gjë rastisi me një biznesmen të ri, i cili më ka ndihmuar në fushatë elektorale, me këshilla dhe me asgjë materiale. Ai ka pasur meritën më të madhe që të mos kërkojë qoftë edhe favorin më të vogël. Kjo është e vërteta mbi të. Megjithatë, një nga objektivat themelore të hetimit të kërkuar do të jetë edhe kjo gjë.
Pyetje: Ju thonë se janë shkelur rregullat. Por dimë gjithashtu se organi i prokurorisë është i centralizuar dhe urdhrat duhet të miratohen më parë nga Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama. Mendoni se ajo është e përfshirë në këtë thyerje të ligjit?
Kryeministri Berisha: Unë ia le vlerësimin për të gjitha të vërtetat komisionit parlamentar dhe hetimit dhe nuk marr përsipër asnjë lloj paragjykimi. Unë jam Kryeministri i vendit dhe jam i bindur dhe i vendosur të bëj çdo gjë për pavarësinë e këtij institucioni. Kam pasur një takim me zonjën Rama për çështjen e Gërdecit dhe kam pasur rastin e mirë t’i them asaj se shërbimi më i keq që mund t’i bëhet kësaj qeverie është mos hetimi. Këtë gjë ia kam thënë me bindjen më absolute. Jam i bindur se kjo do t’i shërbejë atij institucioni dhe vet qeverisë për të zbardhur 2 parimet themelore të shkelura. Sepse si çështje personale, zoti Fazlliç i zgjidh vet si qytetar i lirë dhe nuk ka asnjë nevojë për ndihmën e Kryeministrit.
Pyetje: Prokurorja e Përgjithshme ka deklaruar sot institucioni i Prokurorisë po sulmohet nga institucione të tjera. Po bëhet një vit që ajo është zgjedhur në këtë detyrë, a keni ju një vlerësim për atë që fillimisht e quajtët simbolikisht Silvia Konti dhe sulmi juaj është, kundrejt saj, apo kundrejt personave të tjerë që ndodhen në prokurori?.
Kryeministri Berisha: Ju e inkuadroni gabimisht në çështje personash këtë gjë. Kjo nuk është çështje personash. Unë nuk di ndonjë urdhër të Prokurorisë, një rast të vetëm që nuk janë zbatuar urdhrat e saj dhe e garantoj atë se do t’i zbatohen të gjitha urdhrat dhe do të ketë të gjitha lehtësitë. Se çfarë nënkupton ajo me presion, kjo është çështje tjetër. Nëse bllokohet puna e inspektorëve, kjo është çështje presioni, pasi ata nuk mund të pengohen. Është në detyrimin e prokurorisë të japë statistika dhe të verifikohen ato. Nëse ajo merr si presion faktin që oficerët e policisë nuk zbatojnë urdhra me gojë për të shoqëruar qytetarë vendas apo të huaj në Shqipëri, kjo është një praktikë e kaluar me dekada në Shqipëri. Kjo nuk mund të ndodhë. Ata që mbajnë një praktikë të tillë në Prokurorinë e Përgjithshme, ata e dëmtojnë shumë thellë këtë institucion. Këto janë praktika të kohërave të errëta. Ne jemi një vend me Kode të reja të procedurave ligjore.
Pyetje: A mund të themi se kjo është një luftë e hapur brenda grupimeve të Partisë Demokratike.
Kryeministri Berisha: Në mënyrë absolute jo. Kjo çështje nuk ka asnjë lidhje as me opozitën, jo më me PD. Opozita ka të drejtën e saj. Nëse ajo përfiton ose jo politikisht nga këto situata, kjo është një çështje e saj. Opozita e shpalli z. Trebicka si të vrarë nga qeveria dhe organizoi mitingun për këtë gjë. Ai kërkoi falje për z. Ilir Meta, por nuk kërkoi falje se e shpalli të vdekurin si të vrarë. Unë mendoj se ai duhet ta bëjë këtë gjë, sepse kodi i të vdekurit është kodi më sublim, kodi më i lashtë. Opozita ka kërkuar në parlament mocion për çështjen e Fazlliç dhe unë i falënderoj për këtë gjë dhe i ftoj ta shndërrojnë atë në mocion mosbesimi. Të gjitha interpretimet e tjera lidhur me këto çështje janë jo realiste.