Avokati Spartak Ngjela në një intervistë ka bërë një deklaratë të fortë, duke thënë se PS dhe Pd kanë tentuar të bëjnë një qeveri të përbashkët deri para 1 muaji e gjysmë, por janë ndaluar nga SHBA.
Ai deklaroi se listat e hapura i kërkon vetëm opozita parlamentare, ndërsa PD dhe PS nuk i duan.
“Halli i përbashkët të bashkon se dy parti janë në konflikt me njëri tjetrin për pushtetin. Por para një muaji e gjysmë donin të bënin qeveri të përbashkët që ta bënin mirë grupin anti-reformë. Por nuk i la ajo. Atëherë Rama doli me kod tjetër. Opozita parlamentare kërkon lista të hapura por nuk dalin këta me lista të hapura as njëra as tjetra”, tha Ngjela në Abc News.
Ndërkohë i pyetur nëse do të kandidojë në zgjedhjet e 25 prillit, Ngjela e ka lënë të hapur mundësinë për të kandiduar.
Gazetari Endri Xhafo: A keni ambicie për të qenë mes atyre që do të mbushin vakuumin?
Spartak Ngjela: Patjetër që kam, por ky është një ekuacion që do të shihet kur të vijë momenti. Por ambicien për t’u rikthyer në politikë e kam.
/e.rr