Nga Besnik Bakiu
Para disa ditësh lexova se rastet e dhunës në familje janë rritur në shifra shqetësuese. Në prokurori janë referuar 20139 raste të kësaj dhune. Lajmi i ka dy anët e medaljes, e para tregon ndërgjegjësimin e shoqërisë për të denoncuar dhe e dyta, është kambanë alarmi, ku po shkon familja shqiptare?
Ne akoma nuk duam që ta kuptojmë se familja shqiptare është në depresion, se kriza më e madhe shoqërore që kalon shoqëria jonë është “defunksionalizimi i familjes”.
Të dhënat zyrtare tregojnë se familja po tkurret dhe zvogëlohet nga njëra anë dhe nga ana tjetër ka shfaqur prirjen e shpërbërjes. Numri i personave për familje ka zbritur nën 4 persona, pra çiftet nuk po riprodhojnë as vetveten.
Ndërkaq, shtimi marramendës i divorceve me një rritje vjetore dyshifrore jo rrallë nxit konflikte e krime në familje. Këto nuk janë shenja, janë provat e tronditjes së thellë të marrëdhënies sociale të shoqërisë shqiptare.
Familja, e cila tek ne historikisht ka përbërë bazën e njësisë, duke zëvendësuar jo rrallë shoqërinë edhe vetë shtetin, familja që duhet të ishte shembull për shoqërinë në tërësi, ka humbur dhe po e humb dita-ditës këtë rol, duke e kthyer shoqërinë në një shoqëri konfliktuale. Sot (për fat të keq) mund të themi se familja ka qenë, por nuk është më…
Ky depresion ka kohë që troket kërcënueshëm në dyert e shoqërisë shqiptare, duke rrezikuar të ardhmen e saj, e cila u gjend e papërgatitur për të përballuar pasojat që solli kalimi i shoqërisë nga një shoqëri e mbyllur, në një shoqëri të hapur, në këtë tranzicion të pafund. Duket sikur terapinë shock që kaloi ekonomia, e pësoi edhe familja.
Disa studiues të shkencave sociale, psikologë e sociologë pretendojnë dhe përpiqen ta justifikojnë këtë gjendje me argumentin se këto nuk janë fenomene vetëm shqiptare, por mbarë botërore, si rrjedhojë janë çështje të modernizimit të familjes. Vërtetë shoqëria perëndimore duket sikur e ka “vrarë familjen tradicionale”, por është organizuar në mënyrë të tillë që individi ta ketë të mundur ekzistencën edhe jashtë gjirit të familjes.
Progresi i bërë nga shoqëria perëndimore në drejtim të sigurimeve shoqërore dhe përkrahjes sociale të njerëzve synon plotësimin e zbrazëtisë së krijuar nga kriza e familjes: njeriu e humb familjen, por shoqëria i gjendet me krijimin e disa kushteve duke mos e lënë në mëshirën e fatit. Kurse shoqëria shqiptare është ende larg krijimit të kushteve të tilla dhe kjo është arsyeja pse kriza e familjes shqiptare bëhet edhe më e mprehtë.
Defunksionalizimi i familjes ka sjellë shkatërrimin e elementëve më të qenësishëm të jetës sociale të njeriut. Sot familja shqiptare vuan nga: mungesa e edukimit për liri dhe për përgjegjësi (liria pa përgjegjësi është anarki), privatizimi i lidhjeve afektive (punë për mua, mos ndërhy në jetën time private); largësia me familjen (pjesa dërmuese e kohës kalohet jashtë familjes). Krimi në familje është kthyer në një fenomen të frikshëm dhe kjo ndikon negativisht jo vetëm në integritetin fizik, psikologjik, ekonomik dhe social të pjesës më të ndjeshme të shoqërisë (grave, fëmijëve dhe të moshuarve), por edhe në stabilitetin e familjes tradicionale, pasi shoqëria shqiptare nuk i ka ende instrumentet e duhura për ta përballuar krizën e familjes.
Raportet zyrtare tregojnë se fenomeni i krimit në familje rritet vit pas viti. Burri që vret gruan, gruaja që vret burrin, babai që përdhunon të bijën, vëllai që rreh motrën, fëmija që vret prindërit, vëllai që vret vëllanë, prindër që detyrojnë vajzën të prostituojë, nëna që braktis foshnjën etj.. Nëse Thomas Hobbes do e merrte në shqyrtim shoqërinë tonë, do e cilësonte shqiptarin e sotëm si individ në “gjendje natyrore”, të përfshirë nga instinktet dhe jo nga rregullat e të jetuarit në shoqëri.
Nga ana tjetër, pasqyrimi në media në kronikën e zezë pa kriter i ngjarjeve të tilla e rëndon akoma më shumë psikikën tonë dhe atmosferën në jetën e qytetarit të thjeshtë. Edhe pa këto ngjarje është i traumatizuar e i mbingarkuar me streset e përditshmërisë për përballimin e mbijetesës biologjike dhe nuk është në gjendje të përballojë edhe një ngarkesë të tillë emocionale.
Studiuesit rendisin si shkaqe të këtij fenomeni gjendjen ekonomike, xhelozinë, konsumimin e alkoolit, bixhozin, papunësinë, shkollimin e pakët, mosmarrëveshjet për pasuri dhe prona, bashkëjetesën pas zgjidhjes së martesës, mospërballimin e kushteve të jetesës. Sipas tyre, shteti nuk ofron mundësi për parandalimin e këtij krimi, por përkundrazi, ka krijuar liri të tepruar edhe për “kriminelët”.
Disa të tjerë akuzojnë abuzivisht “Kanunin e maleve”. Por po të lexosh me vëmendje dhe pozitivisht Kanunin e Lek Dukagjinit, rezulton e kundërta. Kanuni (nyja 9: 19 ) sanksionon, se: “Familja asht nji të mbledhun gjymtyrësh, të cilët gjallisin nen nji kulum, qellimi i të cillvet asht të shtuemit e gjindes nepermjet të martesës, të mkabunit te tyne kah zhdrivillimi i shtatit e kah zhvillimi i mendes e i shises”;…. “Familjen e perbajn gjindja e shpise; si të shtohen këta, dahen në vllazni, vllaznija në gjini, gjinija në fise, fiset në flamur e të gjith zbashku permblidhen në nji Familje ma të hapët, e cila quhet Komb, e kan nji atdhe, nji gjak, nji gjuhë, e doke”.
Të gjithë mund të rendisim 1001 arsye, por problemi qëndron të përgjigja e pyetjes: Çfarë duhet të bëjmë? Sot, kur jemi ende në kohë të reflektojmë mbi këto probleme e shqetësime, pa i lënë ato të rëndohen dhe të bëhen të pashërueshme; duhet urgjentisht të mos vazhdojmë si struci t’i fshihemi realitetit me pseudoarsye, duke i kërkuar shkaqet e të keqes larg nesh.
Hapi i parë duhet të jetë ai i pranimit të realitetit; se deri më sot shteti shqiptar me gjithë organizmat politike e shoqërore kanë dështuar t’ia dalin për të frenuar fenomenin e “rrënimit” të familjes. Ky nuk do të ishte vetëm hapi i parë, por edhe një pikë kthese, një lëvizje që do të ndizte dritëzën e shpresës për frenimin e shkatërrimit të bërthamës së shoqërisë shqiptare, familjes.
Procesi i rimëkëmbjes së familjes dhe si rrjedhojë edhe ai i shoqërisë shqiptare, është një proces që ecën paralelisht me proceset e tjera të zhvillimit ekonomik, social e kulturor, atij juridik e ligjor, atë të luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar e ordiner.
Shteti dhe qeveria kanë detyrë të kujdesen për të krijuar e zbatuar projekte konkrete e afatgjata, ku të përfshihen shtresat me të goditura të shoqërisë, për punësim, edukim, strehim dhe integrimin e tyre në shoqëri.
Sigurisht, familja perfekte nuk ekziston dhe as që duhet kërkuar, por familja reale, familja funksionale po. Për ta pasur këtë familje duhen luftuar shkaqet që e vënë atë në rrezik: injoranca, varfëria, padrejtësia, pasiguria, humbja e moralit shoqëror dhe e ndjeshmërisë dhe e nderimit për pjesëtarët e familjes. Mënyra më e mirë për të parashikuar të ardhmen është të fillosh ta krijosh atë.
Miqtë e mi duhet të punojmë të gjithë që sensibilizimi i popullsisë të jetë më i madh. Në përfundim dua të risjell në kujtesën e të gjithëve fjalët e Papa Françesku (Zoti i shtoftë jetën): “Të kujdesemi. Të kujdesemi për shumë gjëra… Por sidomos, kujdesuni për familjen! Familja është thesar, fëmijët janë thesar. Luani me fëmijët: është kaq bukur.
Kjo do të thotë të mbjellësh farën e së ardhmes”. Kjo, që familja, nga faktor dëshpërimi të shndërrohet në faktor shprese. Kjo që ta përjetojmë vlerën e të pasurit familje. Zoti na ndihmoftë!