Ambasada e SHBA në Shqipëri i ka uruar mirëseardhjen tre gjeneralëve që mbërritën sot në Shqipëri për të asistuar në nisjen e stërvitjes Defender 21, e cila konsiderohet stërvitja më e madhe ushtarake në Ballkanin Perëndimor.
Tre gjeneralët janë takuar me ambasadoren Yuri Kim gjatë ceremonisë së pritjes në Shqipëri.
“Ne i urojmë mirëseardhjen Gjeneralit Tod Wolters, Komandant i Komandës Europiane të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Komandant Suprem i Aleatëve Europian të NATO-s;
Gjeneralit Jeffrey Harrigian, Komandant i Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Europë – Forcave Ajrore Afrikë, si dhe Komandës Ajrore Aleate; dhe gjeneralit Christopher Cavoli, Komandant i Ushtrisë së SHBA në Evropë dhe Afrikë.
Tri Gjeneralët me katër yje mbërritën sot në Shqipëri për të asistuar në nisjen e Defender Europe21, stërvitjes më të madhe ushtarake në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Stërvitja e NATO-s në Shqipëri, “Defender Europe 2021” është konsideruar ndër të tjera tregues i nivelit të ngushtë të bashkëpunimit dhe i marrëdhënieve që Shqipëria ka me SHBA. Në stërvitjen “Defender Europe 21” do të marrin pjesë rreth 6 mijë trupa dhe qindra mjete ushtarake nga SHBA, Shqipëria dhe vende të tjera aleate.