Territori i Qarkut Lezhë vazhdon të jetë i përfshirë nga reshje shiu dhe dëbore, ku dëbora ka zbritur deri në qytetin e Lezhës dhe Laçit.
Ndërkohë, raportohet për bllokim të aksit rrugor që lidh qytetin e Laçit me kishën e Sh’na Ndoit. Si pasojë e dëborës së rënë, disa mjete që kishin shkuar për pelegrinazh në vendin e shenjtë, kanë mbetur të bllokuara dhe po ndërhyhet me mjetet e Bashkisë për pastrimin e kriposjen e këtij segmenti.
Policia bën apel që drejtuesit e mjeteve të cilët udhëtojnë nga Skurajt në drejtim të Ulzës, ta shmangin këtë segment rrugor pasi është bllokuar rruga në Qafë të Ulzës.
Si rezultat i erës me intensitet të vrullshëm, vazhdon të ketë ndërprerje të energjisë elektrike, sidomos në zonat rurale. Grupet e punës janë në terren për riparimin e defekteve të shfaqura dhe po punojnë për normalizimin e gjendjes.