Ka qënë 13 janari i vitit 1991 kur është realizuar takimi i parë i presidentit Ramiz Alia dhe kryeministrit të Greqisë, Kostandin Mitsotakis. Kishin filluar të hidheshin hapat e parë të marrëdhënieve dy palëshe.
Statusi i minoritetit grek në Shqipëri, vetëpërcaktimi i etnisë, fati i Kishës Ortodokse shqiptare, pluralizmi politik, “çështja çame” ishin këto ndër problematikat kryesore që u shtuan në tavolinën diplomatike të kohës. Shqetësimi kryesor i Micotaqisit ishte që fshatrat e minoritetit grek në Shqipëri nuk duhet të zbrazeshin, nuk duhej që minoritarët të emigronin në Greqi, por i këshilloi ata që të rrinin aty e madje i kërkoi edhe Ramiz Alisë që kjo ikje të ndalohej në një farë mënyre. Nga ana tjetër, çështja çame u ngrit nga Alia si një çështje që kërkonte zgjidhje. Por, Mitsotakis deklaroi se për Greqinë ishte çështje që nuk ekzistonte.
Pjesa në vijim flet për përplasjet e forta ndërmjet tyre për çështjen e minoritetit grek në Shqipëri dhe fatin e çështjes çame. Dokumenti që pasqyron këtë ka vlerë historike dhe ndriçon më mirë objektivat diplomatike të synuara nga Greqia ndaj vendit tonë, edhe sot, ku shfrytëzohet si pretekst diplomatik qenësia “greke” e një individi që nuk është përfaqësues i ndonjë minoriteti, siç është rasti Bejleri. Po si u zhvilluan bisedimet Alia-Mitsotakis, për çfarë u mirëkuptun dhe për çfarë nuk ranë dakord, çfarë ndodhi më tej me agjendën diplomatike të dy vendeve…
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Minoriteti mund të ketë konfuzion, qëndrimi im është i qartë. Për të zgjidhur këtë problem duhet t’u japim që të besojnë. Prandaj thashë është e nevojshme t’i falni ata që ikën në mënyrë ilegale, t’i falë qeveria shqiptare përpara se te kthehen. Të japë amnisti.
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: E para dhe e dyta po, po e treta jo.
RAMIZ ALIA: Edhe e treta…
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Nuk më pëlqen të më ndërpresin se dua të mbaroj fjalën time. Ne duam t’i bindim të kthehen dhe është ky qëllimi themelor që kam ardhur në Shqipëri. Që të kthehen prapë ju të bëni amnisti dhe unë jam gati që ta bëj. Në qoftë se nuk e bëni këtë, nuk mund t’u them të kthehen prapa. Kjo është pyetja.
RAMIZ ALIA: Mund të flas tani? Shqipëria kurrë, kurrë nuk është e interesuar të largohet asnjë qytetar prej saj. Minoritetit grek në Shqipëri i është ruajtur gjuha greke dhe e mësojnë që fëmijë të vegjël tërë fëmijët grekë. Atyre u është ruajtur folklori, muzika, etnografia, të gjitha u janë garantuar. Kanë botimet e tyre në gjuhën greke.
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Ne nuk këshillojmë as ashtu, as kështu.
RAMIZ ALIA: Minoriteti grek në tërë këta 40 vjet ka qenë shumë korrekt dhe ka punuar krahpërkrah me shqiptarët dhe sot punon. Fenomeni i largimit të tyre sigurisht ka disa shkaqe të brendshme të lidhura edhe me dëshirën e të rinjve që mendojnë se në Greqi do të gjejnë parajsën. Nuk ka dyshim që gjendja ekonomike në Greqi është shumë më e mirë se në Shqipëri. Të rinj janë, kanë aspirata. Është logjike, unë nuk i dënoj për këtë. Në Greqi filloi gjithë ajo fushatë e madhe: po vriten djemtë e Epirit, pse nuk lejohen të kalojnë. Shtypi, radiotelevizioni njëkohësisht ndikojnë në psikologjinë e këtyre djemve e vajzave të reja, plus faktori i brendshëm ekonomik që është një realitet.
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Në realitet është e qartë se këta njerëz nuk kanë të drejta deri sot. Që nga çasti që do t’i fitojnë?
ADIL ÇARÇANI: Cilat?
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Të drejtat personale dhe fetare. Tani që do të hartohet kushtetuta besoj që do t’i fitojnë dhe kjo do të ndihmojë që të mbeten në vend. Pyetja është në qoftë se jeni dakord ne edhe ju se është në interes të dy vendeve që minoritarët të mbeten këtu. Të bëjmë ç’është e mundur të dy palët që t’i bindin të qëndrojnë.
RAMIZ ALIA: Ashtu është.
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Që në fillim thashë që duam të mbeten në Shqipëri. Kur vijnë në Greqi ne nuk mund t’i dëbojmë. Por duam që këta njerëz të binden edhe nga ne edhe nga ju që të kthehen përsëri në drejtim të Shqipërisë demokratike. Në qoftë se doni dhe prandaj propozova në mëngjez se veprimi i vullnetit të mirë të qeverisë shqiptare është që t’i lejojë këta të kthehen. Ja këtë pres nga ju.
RAMIZ ALIA: Po. Domethënë, ju mendoni se po të bëjmë në një amnisti ata do të kthehen këtu dhe nuk do të ikin. Po ju ç’amnisti do të bëni?
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Unë do të bëja një deklaratë ku do të them që ata të qëndrojnë në Shqipëri dhe ata që kanë ikur të kthehen. Propozimi është shumë konkret.
RAMIZ ALIA: Po për kthimin e çamëve ç’do të bëjmë? Na kanë bërë disa lutje. Zoti ambasador ka 100 e ca kërkesa nga familjet çame po atyre nuk u jepet vizë të kthehen. Si do të bëjmë për këtë?
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Zoti President e di mirë historinë.
RAMIZ ALIA: E di mirë edhe historinë e Shqipërisë, edhe të Greqisë.
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Çamët bashkëpunuan me nazistët dhe ka 45 vjet që kanë ikur.
RAMIZ ALIA: Jo nuk kanë ikur.
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Është një histori 45-vjeçare.
RAMIZ ALIA: Qeveria greke ka bërë shumë mirë dhe unë e përshëndes pajtimin kombëtar.
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Çamët kishin bashkëpunuar me gjermanët dhe nuk ishin grekë, ishin të një kombësie tjetër.
RAMIZ ALIA: Pse ju ata të një kombësie tjetër i përzini?
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Nuk i kemi dëbuar po ata si rezultat i bashkëpunimit me gjermanët ikën.
RAMIZ ALIA: Më falni, ai që i përzuri ishte Zervas dhe në historinë e Greqisë Zervas nuk njihet si antinazist. Unë historinë e Greqisë e njoh.
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Historia e Greqisë e njeh si luftëtar të rezistencës, nuk ka bërë dallim. Atëherë kishte rezistencë komuniste dhe jo komuniste dhe Greqia i pranoi të dy palët.
RAMIZ ALIA: E kam të qartë po Zervas nuk bënte pjesë në atë pjesë të rezistencës.
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Gjenerali Zervas është njohur si luftëtar i rezistencës.
RAMIZ ALIA: Mirë, është puna juaj, po ju për çështjen e kthimit të çamëve jeni kundër?
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Po.
RAMIZ ALIA: Po për pasuritë e tyre që janë atje si i bëhet? Meqenëse e keni zgjidhur si e keni zgjidhur? Unë nuk jam shumë partizan që të shikohen problemet në mënyrë parciale se mund të kemi pikëpamje të ndryshme. Unë mendoj që të gjitha gjërat midis Shqipërisë e Greqisë mund të zgjidhen drejt në qoftë se ekziston vullneti i mirë dhe sikur t’i shikojmë pa paragjykime. Pasi në qoftë se nisemi me disa paragjykime, me falni që them paragjykime, por krijojmë disa artifise në marrëdhëniet midis vendeve. Për shembull, më thanë edhe gazetarët pak më përpara që në Shqipëri ka 400 mijë grekë. Në qoftë se një farë shtypi grek merret e rimerret se janë 200-300 apo 400 mijë grekë, kujt i shërbejnë këto?
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Sa janë grekë në Shqipëri?
RAMIZ ALIA: Në regjistrimin zyrtar janë 60 mijë. Në qoftë se ju i konsideroni tërë ortodoksët e Shqipërisë grekë, këtu ka një gabim.
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Ne nuk i konsiderojmë të gjithë ortodoksët grekë, por unë besoj që grekë nuk janë 60 mijë.
RAMIZ ALIA: Nuk i shërben kujt ky problem. Në një kohë kur po flitet për integrim të diskutojmë ne të dy se sa janë?
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: I shërben një çështjeje. Në qoftë se nga tërë ne ju e njihni kombin minoritar, ekzistojnë disa fshatra që kujtojnë se janë greke dhe e duan kishën dhe shkollën, ata të kenë mundësi të shkojnë në shkollë e kishë. Ata që kanë tradita greke edhe e ndiejnë veten grekë të mund të informohen për historinë e artin grek, për qytetërimin grek. Ekzistojnë disa parime kryesore për minoritetin që janë në Kartën e Evropës dhe ju, në qoftë se doni të futeni në KSBE dhe pranoni që ka disa parime të OKB-së, duhet t’i zbatoni. Nuk e kam fjalën: për numrin, por për parimet.
RAMIZ ALIA: Për parimet fola edhe unë kur fola për çamët.
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Nuk flasim për ata që nuk janë më.
RAMIZ ALIA: Jo, ju me një fjalë i shuajtët 30 mijë njerëz si bashkëpunëtorë me nazizmin, deri edhe fëmijët e vegjël, dhe tani thoni që është çështja për ndonjë fshat që e quan veten se është grek. Unë nuk dua të bëj filozofi se ç’është kombi. Kombi nuk është dëshira ime, ka disa faktorë historikë, kulturorë, etj., etj., prandaj në qoftë se ka ndonjë njeri që mund t’i thotë vetes që është grek, nuk do të thotë se ai është grek. Ai mund ta quajë veten grek në qoftë se vërtet është i tillë.
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Ekzistojnë rregulla, norma ndërkombëtare, të caktuara nga OKB-ja dhe që i përcakton Karta Evropiane.
RAMIZ ALIA: Ta konsideroj këtë si kusht apo si kërkesë?
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Nuk jam i autorizuar të vë asnjë kusht. Bisedë miqësore po bëjmë.
RAMIZ ALIA: Edhe unë për bisedë miqësore jam. Kushtet nuk më pëlqejnë.
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Mua më pëlqen biseda pozitive, prandaj e përsëris, të mbetet minoriteti grek atje ku është. Këta që ikën mbrëmë të lehtësohen në qoftë se duan të kthehen. Ne nuk mund t’i kthejmë detyrimisht, por, po të duan, le të kthehen. Të hyjnë e të dalin lirisht dhe nga ana jonë të bëhen përpjekje t’i lehtësojmë për të ardhur në Greqi. Kërkojmë të dërgohen ndihma humanitare nga jashtë si ilaçe etj.
RAMIZ ALIA: Pse është sëmurë njeri, ka rënë ndonjë epidemi?
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Unë këto them dhe ky është qëndrimi im.
RAMIZ ALIA: Unë dëshiroj ta mbyll këtë çështje duke ju thënë këtë që të dy palët duhet të bëjmë përpjekje që minoriteti grek të jetojë në Shqipëri, të respektojë ligjet e shtetit shqiptar të krijohen të tëra kushtet që të kenë lidhje e marrëdhënie me Greqinë. Nga pala shqiptare nuk ka asnjë pengesë, në mënyrë kategorike, as një pengesë që të gjithë minoritarët grekë në Shqipëri të pajisen me pasaporta e të shkojnë sa herë të duan në Greqi, të shkojnë e të vijnë. Bile nuk i pengojmë që të shkojnë të rrinë edhe 6 muaj, 1 vit e pastaj të kthehen.Gjithashtu, kthimi i atyre që kanë ikur matanë, unë ju siguroj një gjë, që deri tani janë kthyer 250 vetë dhe asnjë nuk është në burg, të gjithë janë në shtëpitë e tyre. Ju mjafton kjo fjalë?
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Ai është konstatim për të kaluarën.
RAMIZ ALIA: Jo, është edhe për këtë.
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Nuk besoj që tani që erdha unë qeveria shqiptare të tregohet më e ashpër.
RAMIZ ALIA: Qeveria shqiptare jo vetëm se erdhët ju nuk tregohet e ashpër.
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Po ju thatë që kanë ardhur në shtëpinë e tyre. Nuk insistoj në fjalën amnisti. Unë do të kaloj nga gjenden ata dhe do t’u them qëndroni këtu, mos ikni dhe kur të kaloj kufirin do t’u them kthehuni prapa. Ç’t’u them?
RAMIZ ALIA: Merreni ju përgjegjësinë të na jepni listat dhe ne nuk i futim në burg.
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Ne nuk bëjmë hetime.
RAMIZ ALIA: Kush të dojë ta bëjë.
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Ky është një përparim.
RAMIZ ALIA: Edhe një parim. Ne do t’i lejojmë të kthehen dhe ata nuk kthehen në male po në fshat. Të bëhet lista, të dorëzohet kjo e të vijnë të kalojnë kufirin.
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Propozimi është logjik. Ne nuk duam të ikin. Ata që kthehen të kthehen. Duam ta shikojmë Shqipërinë drejt demokracisë. Nuk duam probleme me ju.
RAMIZ ALIA: Edhe unë e besoj se keni probleme të tjera për të parë.
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Kemi edhe probleme të tjera që jemi gati të bisedojmë. Kërkuam që konsullata që ka qenë më 1930 mendoj të krijohen. Nuk dua përgjigje tani, po është një temë që e parashtruam.
RAMIZ ALIA: Juve ju interesojnë disa çështje partikulare kurse unë mendoj që interesat shqiptaro-greke janë shumë më të gjëra dhe më të mëdha. Nuk ka qenë Shqipëria me Greqinë në gjendje lufte deri më 1988, nuk e kanë mbajtur shqiptarët po e mbante Greqia dhe, sigurisht, një atmosferë e atillë nuk krijon kushte të favorshme për marrëdhënie të mira. Kjo është në kohën e kaluar dhe unë dua ta harroj dhe e kam harruar sepse mendoj që midis Shqipërisë e Greqisë ka interesa shumë të mëdha. Ai ishte një absurditet, por, për hir të së vërtetës duhet thënë që ka pasur dhe pengesa të atilla.
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Kam bërë një shqyrtim të marrëdhënieve me Shqipërinë dhe kam parë që në shumë gjëra jemi afër dhe mund të bashkëpunojmë: në sektorët politikë, ekonomikë e kulturorë, dhe nuk gjetëm ndonjë pengesë asgjëkundi dhe tani që bisedojmë ne bashkëpunëtorët tanë bisedojnë për këto çështje.
RAMIZ ALIA: Shumë mirë.
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Mund të them që Shqipëria duhet të hyjë në KSBE. Isha i vetmi që thashë që Shqipëria të hyjë në KSBE. Besoj se do të hyni.
RAMIZ ALIA: Duam po nuk lutemi.
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Asnjë nuk lutet në këtë botë, as ju, as ne. Jemi të vjetër të dy.
RAMIZ ALIA: Po, jemi të vjetër.
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Të flasim si burrat e doni.
RAMIZ ALIA: Dua patjetër.
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Shikoni proceset që bëni për demokratizimin e vendit. Jam i vendosur të kuptoj se një regjim nuk ndryshon nga një çast në tjetrin.
RAMIZ ALIA: Ju konsiderojmë mik.
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Besoj me të vërtetë që doni demokracinë dhe kam mendimin që të shkojë më shpejt nga sa shkon.
RAMIZ ALIA: Më shpejt mos më këshilloni shumë.
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Një urim shpreha.
RAMIZ ALIA: Ne nuk ndalemi në rrugën tonë, por do të ecim në këtë rrugë, duke pasur parasysh karakteristikat e vendit tonë. Jemi për të shkuar në europë, po nuk jemi për të shkuar si një kopje e keqe e të tjerëve.
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Kjo ka fuqi për të gjitha vendet.
RAMIZ ALIA: Shqetësimi im është që marrëdhëniet midis Shqipërisë e Greqisë të jenë shumë të mira,
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Edhe unë e besoj prandaj dua që kjo vizitë që bëra, që është e para e një kryeministri grek në Shqipëri, t’i çojë marrëdhëniet përpara, jo prapa.
RAMIZ ALIA: Prandaj e thashë që në fillim që vizita juaj ka rëndësi për marrëdhëniet midis Shqipërisë e Greqisë
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Ka edhe disa gjëra konkrete të cilat duhet t’i themi. Për çështjen e minoritetit grek besoj janë të mjaftueshme sqarimi i disa gjërave. Përpara se të largohem dua të di se çfarë do të them jashtë përpara gazetarëve. Dhe në qoftë se duhet që ky takim të jetë i suksesshëm të dy palët të themi të njëjtën gjë. Në qoftë se nuk do të jetë një komunikatë e përbashkët dhe nesër shtypi do të thotë ç’të dojë dhe rezultati do të jetë negativ.
RAMIZ ALIA: Formulat mund të gjenden. Ministrat e Jashtëm t’i gjejnë.
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Unë shpresoj.
RAMIZ ALIA: Në qoftë se e shikoni problemin siç e pamë ne.
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Të vërtetojmë ato që jemi dakord.
RAMIZ ALIA: Jam dakord dhe ja marrim për sa i përket nevojës së zhvillimit të marrëdhënieve midis Shqipërisë e Greqisë dhe interesat e të dy palëve dhe të zhvillohen këto marrëdhënie në fushat ekonomike, politike, sociale sepse kjo i shërben dy vendeve tona dhe miqësisë e paqes në Ballkan. Besoj që për këto jemi dakord.
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Me këtë jam dakord, po kjo nuk do të thotë gjë.
RAMIZ ALIA: Kjo është themelore. Për të konkretizuar këtë mund të ketë gjëra të tjera të veçanta dhe unë mendoj që mund të jetë pjesë e dytë çështja që midis të dy palëve u diskutuan probleme që u interesojnë direkt të dy palëve, midis të cilave edhe çështja e minoritetit grek dhe çështja e refugjatëve dhe ranë dakord të dy palët që të punojnë që minoritarët të mos largohen nga Shqipëria dhe që ata që janë larguar të kthehen në Shqipëri e të bëjnë jetë normale si të gjithë qytetarët e tjerë. Ju kënaq kjo?
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Po.
RAMIZ ALIA: Shikoni si gjenden gjërat?
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: T’i shikojmë dhe çështjet ekonomike, politike e kulturore, të gjitha. T’i shikojmë edhe ndihmat humanitare.
RAMIZ ALIA: Unë ju lutem dhe i them kryeministrit, mos të kufizohen ndihmat humanitare vetëm tek minoriteti grek se merr pamjen e patronatit.
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Në qoftë se është për gjithë minoritetin është edhe për shqiptarët.
RAMIZ ALIA: Të dy kemi qenë luftëtarë dhe kemi një emërues të përbashkët. Edhe me Mikis Teodorakisin e kemi diskutuar të mos marrin pamje të këqija gjërat se nuk ndihmojnë kështu. Po i dhamë pamjen e patronatit është keq.
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Nuk e duam ashtu.
RAMIZ ALIA: Ka që e duan kështu.
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Deri tani nuk ka akoma deklaratë për shtypin nga pala shqiptare.
RAMIZ ALIA: Kollaj bëhet kjo.
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Duke dalë që këtej do të them se unë bëra një bisedë shumë konstruktive dhe do të them që nga të dy palët nuk është bërë asnjë deklaratë.
RAMIZ ALIA: Nuk më intereson fare. Thoni ç’të doni.
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Në politikë ne të vjetrit nuk ekzistojmë pa inate.
RAMIZ ALIA: Ne shqiptarëve na thonë inat shqiptari.
KONSTANTINOS MITSOTAKIS: Jeni pak. Po edhe ne kemi pak gjak shqiptari. “Inat” është fjalë shqipe.
RAMIZ ALIA: “Inat” është fjalë turke. Ne shqiptarët nuk kemi faj që jemi pak inatçinj, në 2000 vjet kanë kaluar gjithato invazione.
(Panorama)