Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka zhvilluar sot mbledhjen e radhës ku ka diskutuar për aksionin e mëtejshëm në Parlament. Kreu i këtij grupi, Gazment Bardhi ka propozuar që opozita nuk duhet të lëshojë pe sa i përket bashkëkryetarit të komisionit të reformës zgjedhore, ndërsa si zgjidhje propozon që grupimi i Lulzim Bashës të ketë një anëtar. Në diskutimet e zbardhura nga gazetari Osman Stafa, deputetë të tjerë kanë dhënë propozime të ndryshime sa i përket aksionit opozitar, duke theksuar se nuk mund të vazhdohet me të njëjtat metoda.
Gazment Bardhi: Do duhet të dalim me një vendim për sjelljen që ne do duhet të kemi në seancën e nesërme dhe tek Komisioni i Reformës Zgjedhore të premten. Unë bashkë me disa deputetë mungoj për shkak të përjashtimeve. Për reformën zgjedhore jemi mbledhur në një qëndrim 47 deputetë nga 55 që ka opozita në total. Mendoj se ne nuk duhet ta negociojmë bashkëkryetarin e reformës, por do duhet që grupimit tjetër t’i jepet mundësia e një anëtari. Duhet të lëshojmë në këtë pikë.
Ferdinand Xhaferraj: Ne jemi 47 deputetë që jemi mbledhur rreth një qëndrimi për reformën zgjedhore. Unë mendoj që t’i drejtohemi edhe grupimit të Bashës. S’kemi pse të jemi ekstremistë. Ti themi që të takon një anëtar në komision, sill kë të duash.
Agron Gjekmarkaj: Ky qëndrim opozitar ka pasur një rëndësi themelore për opozitën, pasi pas 2 vitesh, nuk luftuam më me njëri-tjetrin, por u përballëm me qeverinë. Opinioni publik konfirmon se ne kishim të drejtë për kërkesat tona, të drejtat kushtetuese, mosndërhyrjen në punët e brendshme të PD, për komisionet hetimore parlamentare.
Në të njëjtën kohë, kur kemi hyrë në muajin e katërt, kur edhe reagimi i faktorit ndërkombëtar është i vakët, po shoh që kryeministri po luan nga pozitat e forcës dhe nuk ka ndërmend të lëshojë, qofsha i gabuar nga mungesa e eksperiencës, madje po mendoj se atij i intereson të jemi pa zë dhe pa figurë, mos të artikulojmë asgjë, pra të jemi në barrikadën e protestës dhe jo në tribunën e fjalës. Kjo sepse ai (Rama) e ka më të lehtë të përballet nëpërmjet kësisoj sesa ndërmjet debatit intensiv. Ai vazhdon e qeveris dhe ecën me axhenden e vet ne rrimë vendnumëro. Në këtë pikë që jemi besoj se na duhet një diversifikim i aksionit, ku fuqia e protestës të alternohet me fuqinë e fjalës dhe t’i japë prioritet asaj.
Të funksionuarit si “grup i gatshëm” duhet të ketë një limit. Pra ato çështje që ne i kemi ngritur në emër të protestës, t’i kthejmë në tema, debate në Parlament, të akuzojmë qeverinë pa fund për këtë autoritarizëm. Mesa e kam ndjekur unë linjën e kësaj partie, në këto 11 vite, ka pasur gjithmonë entuziazëm në fillimin e çdo radikalizmi, por jo racionalizëm në daljen prej tij. Mua s’më pëlqen t’i referohem vetvetes, por javën e tretë kur kemi nisur aksionin, kur ka qenë edhe Sali Berisha këtu, ju kam thënë që rrezikojmë që të hyjmë në një fazë monotonie dhe me kalimin e kohës, do kthehet në dobësi e jona dhe mbase rrezikojmë të humbasim edhe empatinë e shoqërisë.
Janë 2 probleme themelore, njëra anë është kauza e Berishës dhe tjetra opozita në protestë. Dhe të dyja mund të konsiderohen padrejtësi ndaj opozitës, dhe qeverisë i intereson të na lërë brenda kësaj kornize. Pra qeverisë i intereson që Berisha të shfaqet në dyert e SPAK-ut dhe ta kthejë këtë në temën kryesore të diskursit publik sipas mënyrës se vet, raportin e tij me drejtësinë, si dhe opozitën në një protestë të pa konsideruar, e cila ka disa kërkesa, që me kalimin e kohës humbasin vlerën e tyre, sepse po u afrohemi zgjedhjeve. Në këtë mënyrë s’kemi mundësi të organizohemi, të ndërtojmë platforma komunikimi me shoqërinë, të bëhemi atraktiv dhe konkurrues duke mbetur brenda një rrethi vicioz si udhëtar pa cak. Nëse mundemi ejani ta radikalizojme po realisht se di sa fuqi kemi për ta realizuar dhe mesa shoh e kemi te gjithë këtë dyshim të gjejmë mundësi të bëjmë fjalën efikase sa me shume e kudo.
Tomor Alizoti: Ne nuk mund të japim shpresë njerëzve nëse s’jemi të bashkuar. Duhet t’u përgjigjemi votuesve. Dhe nuk duhet të kemi frikë ndaj një qëndrimi që duhet të mbajmë ndaj liderit të opozitës, për arrestimin e tij. Ne aktualisht nuk jemi një grup politik që mund të marrim vendime. Ne duhet të unifikohemi sepse nuk jemi të unifikuar, hapi i dytë më pas është të mbajmë mbledhjet në seli ku e kanë vendin, të marrim vendime dhe të dalim në terren tek votuesit, tek qytetarët.
Dash Sula: Ne duhet të jemi të besueshëm për njerëzit. Duhet të kemi propozimin e një qeverie në hije, ku të jenë figura të pastra opozitare. Askush nuk e mendon që Sali Berisha të bëhet kryeministër dhe ne që të jemi përballë Ramës një alternative duhet të kemi një qeveri në hije me figura të pastra.
Asllan Dogjani: Ne duhet ta vendosim sot se kur do të mbajmë mbledhjet në seli.
Tritan Shehu: Pse dalin diskutimet nga kjo mbledhje. Është e palejushme dhe e paparanueshme që na dalin fjalët. Ne duhet të kemi një deklaratë të ashpër si grup për të mbrojtur liderin e opozitës, Sali Berishën.
Helidon Bushati: Tritan unë po çohem që mos kem asnjë peng, që ta dish që sta kam nxjërrë unë. Pra po pastrohem. (Ikën nga mbledhja)
Agron Gjekmarkaj: Po iki edhe unë Tritan, një spiun më pak këtu, që unë të mos akuzohem.
Dash Sula: Edhe unë po iki Tritan.
(Tre deputetët largohen nga mbledhja)
Albana Vokshi: Përse Rithemelimi nuk ka përfaqësi në Bruksel, (i referohet takimit në Komistetin e Stabilizim Asoçimit BE-Shqipëri), në mënyrë që në rezolutë të propozohej, që lideri i opozitës është i burgosur. Gjatë diskutimit atje duhet të ishte mbrojtur kjo temë, pasi atje ne kemi përfaqësues. Pse nuk e keni propozuar juve që në rezolutë të jetë edhe kjo pikë?
Gazment Bardhi: Juve keni Inën, dhe Ina nuk erdhi për arsyet e veta objekitve. Nuk kemi ne ekskluzivitetin të propozojmë të tilla amendamente. Dhe e treta, ne s’mund të propozojmë amendamente për individë të veçantë. Atje flitet për çështje, kemi ngritur dhe përfshirë të gjitha çështjet që janë shqetësime të opozitës, përfshirë drejtësinë, dhe gjykoj se delegacioni ka arritur një sukses me bindjen që u kemi bërë eurdeputetëve për të mbështetur amendamentet tona.
Xhelal Mziu: Ne duhet të kërkojmë me çdo kusht që të votoj diaspora, që janë maxhorancë në raport me votuesit vendas, ashtu siç bëjnë dhe në vendet perëndimore. Të rikthehen me patjetër Koalicionet Zgjedhore, sepse po humb identiteti i pluralizmit politik. Sa i përket situatës në PD, bashkimi i Grupit Parlamentar në korrik 2023 ndikoi maksimalisht në rritjen e aksionit opozitar dhe fokusimin e dialogut Opozitë-Pozitë, pas dy vitesh. Beteja për ngritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhor për të përfituar një reformë bashkëkohore, dhe komisioneve hetimore ishte një betejë reale që e sensibilizojë opinionin vendas dhe faktorin ndërkombëtar, për shkeljen e Kushtetutës nga maxhoranca.
Beteja duhet të vazhdojë por nuk mjafton, duhet kombinim strategjie. Ka 7 muaj që nuk po ndodh një bashkim energjie i grupit dhe një përfaqësim i saj, por kemi ngel në kuadrin e fjalëve, duhet që të ndodhë sepse jemi në Pragë zgjedhjesh, koha nuk pret. PD sot më shumë se kurrë ka nevojë për bashkim dhe përsëri nuk mjafton, ka nevojë dhe për përthithje të eksponentëve publik në Shqipëri, ka nevojë për një përfaqësim të Diasporës në Strukturë dhe në Parlament, duhet ta bëjmë deri në një Kuvend përbashkues, shprese, triumfues ndaj Rilindjes. Terreni është braktisur, ndaj duhet që ky përfaqësim sa më sipër, të angazhohet në grupe punë për riformatimin e strukturës, rekrutimin dhe përthithjen e elitave të ndryshme që të krijojmë Shpresë dhe Fitore për 2025. Nëse vazhdojmë me këtë ritmin e muajve të fundit që mjaftohemi vetëm me prishjen e seancave dhe komisioneve dhe jo një organizim e betejë zgjedhore dhe gjithëpërfshirëse, atëherë unë nuk do të vijë më në mbledhje që nuk bëjnë një strategji për ta bërë PD triumfuese dhe fituese dhe jo thjeshtë një PD mbijetuese si sot.
Dhurata Çupi: Ne duhet te kemi qendrim te qarte per amnistine penale. Dhe duhet ta vendosim sot kete. Na marrin nga zonat dhe jane te interesuar per kete. Protesfuesit tone qe enden neper gjykata duhet ti mbrojme pa asnje kompleks. Une do zbatoj vendimin e grupit gjithsesi, por duhet te jemi te qarte dhe pa komplekese./m.j