Maxhoranca votoi dje kundër projektligjit të Partisë Demokratike për vetingun në politikë. Me 74 vota kundër dhe 52 vota pro, Partia Socialiste rrëzoi kërkesën e demokratëve që ka qenë edhe kushti i vendosur nga ta për thyerjen e bojkotit parlamentar.
Në seancën e djeshme parlamentare nuk munguan as akuzat dhe debatet ndërmjet maxhorancës dhe opozitës. Por ndryshe nga seanca e ditës së enjte që pati edhe akte dhune, ku kryeministri Rama u godit me vezë, seanca e djeshme u shoqërua vetëm me akuza ndërmjet palëve. Mbledhja u ndërpre vetëm një herë me kërkesë të kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Ai e kërkoi ndërprerjen e seancës me argumentin që të merren masa disiplinore ndaj ish-Kryeministrit Sali Berisha, pasi gjatë fjalimit të tij recitoi vargjet e këngës “O djem rrëmbeni armët, ja vdekje, ja liri”, e cila nga ana e PS-së u konsiderua si thirrje për prishjen e rendit kushtetues. Debatet dhe akuzat nuk munguan as nga përfaqësuesit e LSI-së në seancë plenare.
Të rreshtuar përkrah aleatëve të tyre të Partisë Demokratike, deputetët e LSI-së kërkuan nga maxhoranca që mos ta rrëzojë projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshme në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, që konsistonte në lejimin e asaj që njihet si vetingu në politikë. Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, hodhi akuza ndaj Kryeministrit Rama, akuza të cilat shkuan deri në personale.
“Sepse një Kryeministër që drogohet është peng i spaçatorëve. Prej 20 vitesh i është fshehur kartela e tij mjekësore nga zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakaçolli. Nuk po merrem me burrin e Mirës, doktor Perlatin, se ai e kuron nga astma dhe i them mos pi mall se të bën shumë keq për astmën dhe ia thotë kjo doktoresha këtu”, u shpreh ndër të tjera Kryemadhi.
Ja debati i zhvilluar dje në seancë plenare, si edhe sharjet e akuzat e bëra pa mikrofon, të cilat nuk janë transmetuar në media.
DEBATI NË PARLAMENT
Monika Kryemadhi: Si mund të pranojë Edi Rama veting në politikë, kur problemin e parë e ka me bashkëshorten e tij që drejton një bankë dhe një offshore, që s’dihet se paratë e kujt janë dhe paratë e kujt lëvizin?! Si mund të pranojë Edi Rama veting në politikë, kur problemin më të madh e ka me vëllain e tij?! Sepse një Kryeministër që drogohet është peng i spaçatorëve. Prej 20 vitesh i është fshehur kartela e tij mjekësore nga zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakaçolli. Nuk po merrem me burrin e Mirës, doktor Perlatin, se ai e kuron nga astma dhe i them mos pi mall se të bën shumë keq për astmën dhe ia thotë kjo doktoresha këtu. Edhe pse ju mendoni që KLP-në dhe KLGJ-në i kontrollon Ulsiu. Por kjo do të jetë e pamundur Ulsi, sepse gjërat do të lëvizin.
Ulsi Manja: Që kur kështu?!
Monika Kryemadhi: Ulsiu i shkretë merr vetëm fjalët, sepse lekët i merr Edi Rama me don Agaçin. Përgjegjësia që do të keni nesër do të jetë shumë e madhe. Sot jemi të qetë, por mos harroni nuk do të ketë bigerinë veze që do ta ndalojë Edi Ramën.
Monika Kryemadhi: E mër Taulant, po asaj fabrikës së cigareve si do t’ia bëjmë hallit.
Sali Berisha: A nuk e vë re ti zonja kryesuese e seancës se përfaqësuesit më të zinj të krimit janë zhdukur si minjtë dhe duan të mbrohen me thinjat e Majkos, ku janë ata, pse kanë frikë? Mendojnë se imazhi i Pandeliut do t’i lajë fytyrën sot, të vijnë aty se sytë e kombit janë në ato karrige, bajlozë të krimit që po e zhbëjnë vendin, ndërpre seancën, detyroji të vijnë aty të qëndrojnë. Duhet të jesh në lartësinë e detyrës. Ti Pandeli ngjet si fals aty, i keqpërdorur, thirri kolegët të jenë aty, se duan të maskohen me ty. Vër nga një maskë në çdo karrige aty dhe të shohim si duket. Pse nuk vjen Ditmir Bajri, po vjen kjo zonja (Senida Mesi).
Taulant Balla: Po ti ku e ke Lulin apo çohet në 12 ai.
Ulsi Manja: Ata që kanë punuar me mua më njohin dhe nuk besoj se ma njollos imazhin askush në këtë sallë. Sa për Alibeajn dhe Spahon, ju ndoshta më keni parë në ëndërr se unë nuk kam qenë në ato zgjedhje, por me vjen mirë që ju dal edhe në ëndërr. Por të jeni i sigurt që të hapet Dibra dhe çdo dosje tjetër, mua do të më keni në krah të drejtësisë.
Ulsi Manja ndalon për të pirë ujë gjatë fjalës, Berisha: T’u thaftë goja Ulsi.
Ulsi Manja: Nuk të thahet goja nga e vërteta Sali.
Edmond Spaho: I kërkoj falje publikut për ndonjë fjalë që mund të përdor. Po më shpjegon dot se si i trefishove votat pasi t’u këput zinxhiri i brekëve.
Edi Paloka: Po pse, ky ishte fjalor për të kërkuar falje.
Sali Berisha: Ulsi, fjalimin ta ka përgatitur Ymer Lala, të kapi për zverku e të nxori nga gara e PS-së në Dibër, edhe ato interceptime që mund të jenë për ty janë të skllavit sepse jo të gjithë ju jeni shtylla krimi, disa janë bosët e krimit, të tjerë jeni skllevër të krimit. Më ngjave si Edmond Bego mbrëmë në telefon. Ulsi, gjithçka the ti ishte mashtrim me Venecian, ajo e ka të shkruar e zezë mbi të bardhë, vetingu është legjitim. Ndaj dhe secili prej jush, po Gjylameti, edhe ti ndrikull mos do t’ia lexosh fjalimin Djana Shullazit. Secili jeni o skllevër të krimit, o shtylla të krimit, ndaj keni ikur.
Sadri Abazi: Ulu mor Sali, ulu.
Pjerin Ndreu: O doktor, ke mbaru punë me mua.
Vasilika Hysi: Uluni Berisha se fjalën e ka kërkuar deputetja Gjylameti për procedurë.
Berisha: Po kjo për ça do të flasi, Blerina Shullazi. Edhe ti Klotilda Shullazi…
Blerina Gjylameti: Unë nuk kam asnjë merak për asnjë nga familjarët e mi. Duke nisur që nga bashkëshorti im, pasi disa nga zonjat që ke në krah (deputete të PD-së) mohojnë edhe bashkëshortët. As ndonjë merak për fëmijën tim, sikundër do të kesh ti shumë merak dhe pa merak, jo vetëm ju Berisha, por me merak edhe shumë të tjerë për fëmijët e tyre.
Ulsi Manja: Kur kryetari i grupit të opozitës katandiset dhe përdor fjalët brekë dhe ushkurë, ky është fundi i opozitës së vendit. E dyta, Berisha unë mund të të ngjaj me këdo, por ta kam thënë dh do ta them prapë se në xhaketën e Ulsi Manjës as s,ka pasur dhe as s’ka për të pasur njolla gjaku shqiptarësh të ndershëm të këtij vendit.
Sali Berisha: Palo burra, palo kriminelë, pse ju nuk pranoni amendamentin? Edhe një herë ju bëj thirrje, momenti është kritik, unë ua them se bëni një gabim, më të rëndin që mund të keni bërë nëse ju përdorni kartonët e zinj, të nxira të krimit siç i keni përdorur më parë. Në rast se ju përdorni edhe sot këtu diktatin e krimit si përfaqësues të tij për të hedhur poshtë këtë amendament, i cili do të bënte historinë për shqiptarët, ju garantoj se forca do t’ju shkulë nga këto karrige, përndryshe në rrugët e Shqipërisë do ushtojë: O djem rrëmbeni armët, ja vdekje, ja liri.
Taulant Balla: PS-ja do t’i kërkojë Byrosë marrjen e masës disiplinore të përjashtimit nga Kuvendi. Do t’i takojë Byrosë të thërrasë deputetin që të japë shpjegime për thirrjet publike për veprime të dhunshme të përcaktuara nga Kodi Penal. Thirrjet e bëra publikisht për të bërë vepra të dhunshme kundër rendit kushtetues dënohen me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet. Kjo është pjesë që u takon organeve të drejtësisë. Unë i bëj thirrje PD-së. Dje kryetari i PD-së kthehet në transportues vezësh, me të cilat goditet Kryeministri. Sot ish-Kryeministri Berisha bën thirrje për dhunë. Këto janë të papranueshme. Unë besoj që brenda PD-së ka ngelur shtetarizëm për t’u distancuar nga kjo dhunë e pashembullt.
Edi Paloka: Për kulturë, ai është tekst i një kënge patriotike të kohës së robërisë turke. Me tekst të patriotit Thanas Floqit. Përderisa kanë dalë edhe vezët antikushtetuese, nuk ka asgjë të keqe që të dalin edhe këngët patriotike.
Edmond Spaho: Ju ka hyrë tmerri nga protestat popullore, po e ndjeni fundin e pushtetit tuaj dhe në tentativë për të shpëtuar kaloni në spektakle, por nuk i shpëtoni protestës së studentëve. Është komike, sa vargjet e një kënge patriotike i konsideroni si thirrje për rrëzimin e rendit kushtetues. Po propozoni të përjashtohen të gjithë drejtuesit e opozitës, por nuk do ia arrini të mbyllni gojën e opozitës, gjithmonë do të na keni këtu, jeni bërë e keqja më e madhe e vendit. Derisa ju të shporreni, do të na keni këtu.
Dashamir Shehi: Pas kësaj punës së këngës, se fillon bëhet serioze kjo çështje. Rrini të qetë se ne që jemi këtu kur ishte kjo puna e armëve e mbyllëm dhe e bëmë me letra demokracinë. Kështu që, rrini të qetë se nuk ka për të marrë njeri armën. Përtej pasionit të Berishës, rrini të qetë. Ishte koha për të marrë armët dhe nuk i morëm. Lëreni këtë muhabet.
Lulzim Basha: Edi Rama solli në këtë sallë dhe u dha çelësat e qeverisjes llumit të shoqërisë, për një arsye të vetme, sepse i përdori ata në fushatën elektorale të vitit 2013 nën sloganin e bashkimit të të gjithë qelbësirave për të marrë pushtetin me çdo kusht. Shqiptarët e dinë fare mirë se kjo nuk është as shprehje retorike e imja dhe as një sajesë, por strategjia politike e Edi Ramës për të marrë pushtetin: Bashkimi i të gjithë qelbësirave. Fatura që shqiptarët kanë paguar për këtë bashkim qelbësirash është para syve tuaj, është para tavolinave tuaja, është në xhepat tuaj, është në mendjet tuaja të dashur bashkëqytetarë, ku për herë të parë në historinë e vendit, më shumë se gjysma e banorëve duan të largohen. Kjo sepse aleanca e Edi Ramës me krimin shkaktoi krizën më të thellë politike, ekonomike dhe shoqërore të vendit. Për dy vite me radhë Edi Rama dhe të njëjtët folës si sot i rezistuan projektit të dekriminalizimit që opozita, PD-ja solli si zgjidhje. Me miratimin e këtij projekti, gjithsesi, kjo sallë u pastrua nga një numër jo të vogël kriminelësh të veshur me petkun e deputetit që vazhdonin trafikun e drogës, trafikun e qenieve njerëzore, por që tashmë kishin shtënë në dorë edhe tenderat, prokurimet, doganat. Plot 350 funksionarë të emëruar nga Edi Rama nga niveli i deputetit, kryetarit të bashkisë, këshilltarëve bashkiakë dhe institucioneve të tjera të larta të shtetit nuk janë më e nuk do të jenë për të paktën 20 vite funksionarë të zgjedhur apo të emëruar për shkak të ligjit të dekriminalizimit. Pretendimi se kjo ndërhyn te Reforma në Drejtësi është po kaq idiot sa pretendimi se një kërkesë për të ndryshuar Kushtetutën qenka antikushtetuese. Nuk do të merrem me këtë se jam marrë mjaft kur zhvilloja seminare me studentët e vitit të parë, semestri i parë juridik, por është e turpshme që kjo vjen nga goja e ministres së Drejtësisë. Këta nuk e duan vetingun për një arsye të thjeshtë. Për shumë prej tyre kjo do të thotë fundi i karrierës politike, por për Shqipërinë ky është fillimi i çlirimit të Parlamentit, qeverisjes, zgjedhjeve dhe ekonomisë. Ndaj sot, dua t’ju bëj këtë apel të fundit që ta kalojmë këtë test moral, ta kalojmë këtë vetting në vetvete që është vota e sotme. Këta që janë në të majtë, të bashkohen me ne për të votuar amendamentet kushtetuese, duke iu dhënë mundësinë që propozimet për ligjin e vetingut t’i bëjnë vetë. Ne do t’i votojmë me një kusht: që të kenë miratimin e Komisionit të Venecias. Të gjitha t’i bëjnë vetë: mekanizmin e vetingut, proporcionalitetin dhe çdo masë tjetër do ta pranojmë siç do ta propozoni ju, nëse ju votoni sot amendamentin kushtetues, me një kusht, që propozimet tuaja të marrin miratimin e Komisionit të Venecias.
Taulant Balla: Te ky debat sot duket se Lulzimi kishte një hall dhe se shumë shqiptarë s’e gjetën veten në këtë debat. U duk sikur të gjithë po diskutonin hallin e Lulzimit. Në foltoren Kuvendit mund ta qëlloni Edi Ramën me çizme dhe me celularë dhe me plumba nëse i ikni kontrollit të Gardës. Foltorja e Kuvendit nuk është e mbrojtur me antiplumba, por është një forcë lirie që ua kanë dhënë qytetarët. Në vend që Kuvendi të bëhet një vend i pakëndshëm për ne maxhorancën, pasi ju natyrshëm duhet të sillni fjalën e atyre që s’e sjellin dot. Por ju nuk merreni vesh kur ikni e vini. Veting në politikë? Patjetër, me zgjedhje dhe me drejtësi. Edhe diçka, meqë jemi në fund të vitit dhe duhet të themi disa të vërteta. Njëri prej banorëve të “Astirit” erdhi dje dhe na tha se Lulzimi na vjen përditë në protestë me makinën e pronarit të kompanisë së tenderit të Unazës. Si ka mundësi Lulzim që u shkon banorëve të “Astirit”. Merre dosjen, kjo është dosja e makinës që ti shkon te protesta në “Astir”. Po deshe është e kompanisë “Victoria Invest”, që u shkon banorëve të “Astirit”. Bufa na di ne? Mendon se nuk e dimë lidhjen tënde me “Victoria Invest?” Nuk e dimë ne që njëra nga vajzat e tua e ka emrin Viktoria? Janë arsye të kumbarllëkut, kumbare e familjes tënde. Ngrije kokën ngrije.
Lulzim Basha: Instinkti i parë është instinkti i prindit dhe për atë që bëre këtu, instinkti i parë ishte të të fusja një grusht, por u ndala nga dy gjëra. E para e punës, që të prekësh mutin bëhesh vetë pis. E dyta, nuk do të arrija dot t’u përcillja qytetarëve 3 pika. A kuptuat gjë ju pse nuk e votojnë vetingun? Ky thotë ndërhyn me Reformën në Drejtësi. Ku ndërhyn?! Nuk ndërhyn fare me Reformën në Drejtësi, as nuk e ngadalëson, as nuk e shpejton, as nuk e pengon Reformën në Drejtësi. Është proces komplet paralel. Pra, është fare e qartë. Sot ndahet shapi nga sheqeri dhe nuk ka kovë më muti, si parafolësi që ta ndryshojë këtë. O e doni vetingun në politikë që të pastroheni nga kovat dhe kryesova, ose përndryshe e kuptojnë shqiptarët fare qartë se çfarë keni në bark./a.meta